Rudina Hajdari i përgjigjet sulmeve të ish-kryebashkiakes Rira: S'komentoj çdo qen që më leh rrugës

16 Shkurt 2021, 20:12 | Përditesimi i fundit: 2021-02-17 11:29:03

Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari i është përgjigjur për herë të parë sulmeve të ashpra që i kanë ardhur nga ish-kryebashkiakja e Prrenjasit Miranda Rira disa ditë më parë. Në një intervistë në Report Tv, Hajdari u përgjigj po ashpër duke thënë se nuk ka komente për "çdo qen" që leh rrugës dhe që kanë probleme me drejtësinë si Rira, e cila është kallëzuar në SPAK duke u akuzuar për shpërdorim detyre. Kujtojmë se ish-kryebashkiakja e Përrenjasit Miranda Rira, sulmoi ashpër disa ditë më parë Rudina Hajdarin duke thënë se ajo është rritur me lekët e vjedhura të mamit dhe nuk i njeh hallet e qytetarëve.

"Miranda Rira është pjesë e LSI dhe nëpërmjet partisë së saj Rama erdhi në pushtet dhe nëpërmjet Ramës partia e saj ka përfituar postin e presidentit.  Nuk kam asnjë lloj komenti tjetër për çdo qen që më leh rrugës apo që kanë probleme me drejtësinë siç është zonja në fjalë", tha Hajdari.

Deklarata e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim që partitë të kenë kandidatë të pastër në zgjedhjet e 25 prillit, për Hajdarin është gjëja më normale dhe drejtë që duhet të bëjnë partitë. Ajo shprehet se partitë e vjetra janë të lidhura me krimin dhe kanë 30 vite që bëjnë vetëm show duke u pasuruar për vete.

"Çdo fjalim që ka dalë në foltore janë përqendruar në problemet e qytetarëve, kjo është arsyeja që vazhdoj ta bëj se duke evidentuar problemet shoqërore të gjemë një zgjidhje mbi këto probleme dhe të mos merremi me telenovela. Në 30 vite është bërë show politik, ku pasurohen vetë. Janë 4 veta që dominojnë politikën ndërkohë që vendi nuk përparon dhe i duhet një drejtim i duhur. Deklaratat e ambasadores Yuri Kim është e duhur dhe e drejtë për të pasur kandidatë të pastër, por politika në vend dhe partitë e vjetra janë të lidhura me krimin dhe kjo është fakt. Kemi kërkuar me kohë që krimi dhe pushteti të jenë të ndara por nuk ka ndodhur, përkundrazi krimi i organizuar është aleat për të mbajtur pushtetin", tha Hajdari