25 prilli po afron dhe palët politike janë aktualisht nën 'ethet' e listës së kandidatëve kur duhen pak ditë nga dorëzimi i tyre në KQZ. Kjo është edhe tema e diskutimit në emisionin ‘Pa Protokoll’ në Report Tv.
Eduard Shalsi, ministri i shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ka deklaruar se PS do të fitojë për të vijuar punën sipas tij për transformimin e vendit.
"Ne jemi në këtë fushatë për të vijuar atë që kemi nisur, për të vazhduar me transformimin dhe reformimin e thellë të Shqipërisë. Kemi ndërmarrë reforma shumë të vështira por jemi të bindur që kanë qenë të duhurat, si reforma në arsim, reforma në shëndetësi, reforma territoriale por mbi të gjithë reforma në drejtësi", tha ai.
I pyetur se a nuk mund t'i vazhdojë këto reforma një qeveri e re e PD, Shalsi deklaroi se opozita aktuale i ka vënë në mënyrë konstante shkopinj në rrota të gjitha reformave të rëndësishme që ka ndërmarrë vendi.
"Unë do ta pranoja një tezë të tillë nëse do të kisha para një opozitë që do të kishte reflektuar, një opozitë që nuk do të kishte vendosur vazhdimisht 'shkopinj në rrota' të gjitha reformave të marra. Kemi një konseguencë në vazhdimësi për kundërshtim të këtyre reformave. Madje kemi edhe deklaratat e një prej krerëve të opozitës, i cili duhet të ishte vetëm President i Republikës, kundër reformës në drejtësi. Falë gjithë këtyre reformave Shqipëria është me pranë se kurrë Bashkimit Evropian. Kurrë më parë një Kryeministër shqiptar nuk ka pasur raporte të tilla me liderët e Evropës. Kurrë më parë qeveria shqiptare nuk i ka pasur hapur dyert kaq shumë në Bruksel", tha z. Shalsi.
Ndërkohë që avokati Plarent Ndreca, në studion e emisionit "Pa Protokoll" duke folur për këtë prag fushate tha se "PD ka dalë në fushë për të mbrojtur rezultatin, unë mendoj se qasja është e ndryshme. PS ka një staf agresiv, i cili jo vetëm që do ta mbrojë rezultatin por edhe për ta rritur atë".