Komentin e tij për ngjarjen e 21 Janarit, vendimin e Strasburgut për hetimin e të gjithë zinxhirit komandues në atë ngjarje, zbardhjen e plotë, si dhe hetimet e nisura nga SPAK, e dha edhe eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.
Duke folur për emisionin “Studio Live” në Report TV, ai shprehu keqardhjen që ngjarja mbetet ende plagë e hapur dhe hetimet nuk kanë shkuar ende deri në fund apo çështja është zvarritur.
Softa e vë theksin tek verifikimi i të gjithë procedurave të ndjekura, që nga leja e dhënë për protestën dhe deri te analiza e komunikimeve të regjistruara në radio që ekzistojnë, për të zbardhur përgjegjësitë, veprimet dhe mosveprimet në atë kohë.
Gjithashtu vuri theksin te fakti se 21 Janari tashmë është bërë betejë politike mes palëve, ku çdo vit një krah justifikohet dhe tjetra vendos trëndafila te vendi i ngjarjes. Por Softa mendon se duhet të pyeten të gjithë personat që kanë pasur lidhje me ngjarjen dhe veçanërisht ata që kishin akses te kamerat e sigurisë apo ata që dhanë urdhrat sipas zhvillimeve të çdo momenti.