Sot nis sesioni i ri parlamentar, Begaj letër deputetëve: Uroj të nisë një periudhë e re bashkëpunimi! Zgjedhje me standarde, objektiv i panegociueshëm

20 Janar, 15:11

Dialog politik dhe bashkëpunim, ka qenë porosia e Presidentit Bajram Begaj për 140 deputetët, në një mesazh dërguar në nisje të sesionit të ri parlamentar. 

“Me fillimin e një viti të ri dhe rinisjen e punimeve të Kuvendit, uroj të nisë një periudhë e re bashkëpunimi e dialogu në shërbim të shqiptarëve në vend, në Diasporë dhe në rajon. Shqipëria ka hedhur tashmë hapa vendimtarë drejt integrimit evropian. Viti që lamë pas shënoi një moment historik për rrugëtimin e saj: çeljen e negociatave teknike me Bashkimin Evropian. Kuvendi i Shqipërisë ka rol të rëndësishëm për realizimin e këtij objektivi madhor. Ai duhet të kontribuojë në thellimin e reformave”, tha Begaj.

Sesioni do të jetë i fundit i kësaj legjislature, në pritje të zgjedhjeve të 11 majit, që do të zgjedhin 140 ligjvënësit e rinj. Kjo për kreun e shteti është një mundësi që politika të tregojë maturi për t’i dhënë vendit proces të drejtë e demokratik, ndërsa nuk e kurseu një falënderim për realizimin e votës së diasporës.