Spaho në 'Pa Protokoll': Po abuzohet me fondet e rindërtimit, prej 1 viti nuk është bërë asgjë!

27 Nëntor 2020, 23:04

Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho u shpreh se ende 1 vit pas tërmetit nuk është rindërtuar pothuajse asgjë nga godinat e shembura. Për më tepër ai akuzon qeverinë për abuzim me donacionet që u mblodhën në ndihmë të Shqipërisë pas tërmetit tragjik një vit më parë.

Për më tepër, Spaho, i ftuar në emisionin Pa Protokoll tha se disa nga fondet e buxhetit të vitit 2020 nuk janë përdorur dhe janë transferuar në buxhetin e 2021 duke thënë se kjo i ka hapur rrugë qeverisë për vjedhjen e fondeve të rindërtimit.

Ndërkohë ekonomisti Alban Zusi është shprehur se të gjithë pakënaqësitë duhet që të adresohen ligjërisht në organet kompetente.

"Fondet e buxhetit të 2020 nuk janë përdorur të gjitha dhe janë transferuar në buxhetin 2021" - tha Spaho.

"Të gjitha këto duhen adresuar ligjërisht pranë institutcioneve. Duhej t'i adresonin që para disa muajsh" - tha Zusi.

Spaho nuk e ka pranuar duke u shprehur se opozita i ka dërguar të gjitha pakënaqësitë e saj në formë ligjore në prokurori por është kjo e fundit që nuk ka ndërmarrë asnjë hap. Ai gjithashtu thotë se nuk është vendosur asnjë person përpara përgjegjësisë për pallatet e shembura që morën jetë njerëzish.