Pyetjes së bërë nga gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku nëse është i gatshëm të diskutojë me pjesën tjetër të PD për një strategji të përbashkët opozitare, kryedemokrati Lulzim Basha u përgjigj duke deklaruar se është i hapur për bashkëpunim. Ai deklaroi se nuk iu është përgjigjur akuzave të pjesës së Rithemelimit sepse sipas tij nga kjo gjë përfiton vetëm qeveria.
“Nuk jam unë ai që kam përjashtuar dialogun, koordinimin apo bashkëpunimin për një qëllim më të madh siç është përballja ndaj kësaj qeverie. Nuk u jam përgjigjur sulmeve ndaj nesh, sepse askush nuk përfiton përveç Edi Ramës. Të paktën japim kontributin tonë duke mos pasur reciprocitet me llumin që derdh një pjesë kundër pjesës tjetër të opozitës sepse përfundimi është i njëjtë, fërkon duart Edi Rama
Në 9 shtator Berishës i kam thënë ke këto merita, hiqu mënjanë që mos të marrë kostot PD dhe Shqipëria. Qëndrimet e mia nuk kanë qenë kurrë ndaj një individi por në interes të demokratëve.
Gjithë baltën që hedhin ndaj meje e dinë se i kanë gënjeshtër sepse kanë qenë dëshmitarë të çmimit të lartë që kam paguar ndër vite për të ruajtur interesin e demokratëve. Pra mund të them se nuk jemi ne pala që sulmon apo denigron duke çuar energjitë opozitare në shërbim të luftës kundër opozitës”- tha Basha.
Ndërsa sa i takon pyetjes për listat e deputetëve, Basha tha se afatet janë përcaktuar nga Kodi Zgjedhor dhe u bëri thirrje të gjithë personave që duan të kontribuojnë që të jenë pjesë e procesit.
“Mirëpresim afrimin e tyre që duan të kontribuojnë në betejën e ardhshme elektorale. Afatet janë përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, PD do kërkojë të afrojë këdo që do të kontribuojë”- shtoi kryetari i PD