Super shije! Mashurka me mish dhe patate nga zonja Albana

16 Tetor, 12:06 | Përditesimi: 16 Tetor, 12:11

Mashurka me mish dhe patate

Përbërësit:

  • 700–800 gr mashurka
  • 500 gr mish pule
  • 3-4 patate mesatare
  • 1-2 qepë mesatare
  • 1 lugë gjelle salcë domate
  • 3-4 lugë gjelle vaj ulliri
  • 1 gjethe dafine
  • Kripë, piper i zi
  • Pak majdanoz ose koper

Përgatitja:

Në një tenxhere hedhim 2–3 lugë vaj ulliri, shtojmë mishin e pulës dhe e skuqim lehtë derisa të marrë ngjyrë të artë nga të dyja anët. E heqim përkohësisht mënjanë. Në të njëjtën tenxhere (me yndyrën që ka lënë mishi) shtojmë qepën e grirë imët, e kaurdisim derisa të zbutet pak, më pas shtojmë patatet e prera në kubikë. Vijojmë me kaurdisjen 2–3 minuta duke e përzier herë pas here. Shtojmë salcën e domates dhe pak ujë (rreth gjysmë filxhani). E përziejmë mirë dhe e lëmë 1–2 minuta që të lidhë shijen me patatet. Kthejmë mishin përsëri në tenxhere, shtojmë ujë sa të mbulohet masa, shtojmë kripë, piper dhe dafinë. E mbulojmë me kapak dhe e lëmë të ziejë në temperaturë mesatare për rreth 20 minuta, derisa patatet të fillojnë të zbuten. Në një tigan tjetër hedhim një lugë vaj, shtojmë mashurkat dhe i skuqim lehtë për 3-4 minuta me kapak që të zbuten. I kalojmë mashurkat në tenxheren me mish e patate, i përziejmë lehtë, vendosim kapakun dhe i lëmë të ziejnë në temperaturë të ulët për 20–25 minuta të tjera, derisa gjithçka të jetë e zbutur dhe salca të jetë e trashur natyrshëm. Në fund shtojmë koper ose majdanoz të grirë hollë, fikim sobën dhe e lëmë gatimin të qëndrojë 10 minuta para servirjes që të “ajkoset” vetë.

MC/Shqiptarja.com