Në Kuvendin e Shqipërisë u diskutua Akti Normativ për rikthimin e parave të marra për Profesionet e Lira. Deputetja e PD, Jorida Tabaku, e cila qe deputetja që u angazhua në betejën në Gjykatë Kushtetuese për të rrëzuar këtë propozim ligjor, deklaroi se kjo ditë simbolizon triumfin e ndershmërisë dhe drejtësisë.
Kuvendi miratoi Aktin Normativ që rikthen paratë e marra padrejtësisht nga mbi 6,000 profesionistë të lirë. Sipas deputetes së PD kjo konsiderohet si fitorja e tretë e shtresës së mesme dhe profesionistëve të ndershëm kundër një sistemi të pandershëm fiskal të qeverisë socialiste.
"Kjo është fitorja e tretë për profesionistët e lirë! Një fitore për shtresën e mesme dhe për të gjithë ata që nuk pranuan të përkulen përballë arrogancës së qeverisë. Ky akt është një rikthim i hakës tek i zoti, një dëshmi se e drejta mund të triumfojë, edhe kur përballë ka një sistem që ka ndërtuar pandershmërinë si parim qeverisjeje", deklaroi Tabaku.