Kryeministri Rama së bashku me ministren Manastirliu vijuan me konsultimin e radhës në Fier me prindërit për ndalimin e TikTok dhe Snapchat. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se një problem i madh është trajtimi mediatik i tragjedive, si ajo e Martin Canit, ku ngjarje të dhimbshme shpesh manipulohen për të rritur audiencën apo për interesa politike dhe ekonomike.
Më tej shtoi se Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të sigurta, jo vetëm nga vendasit por edhe nga turistët e huaj, të cilët shpesh e krahasojnë pozitivisht me metropolet evropiane si Londra apo Parisi, ku ndjenjat e pasigurisë janë më të larta.
'Sigurisht sporti një nga ilaçet. Për 1001 arsye. Dua të qëndroj tek një pikë tjetër. Kur një tragjedi merret dhe përdoret si material, për të bërë sa më shumë konfuzion në trurin e njerëzve me qëllimin për interes politik ose biznes mediatik. Domethënë të krijojë audiencë sa më shumë. Duke treguar dhe ta tregojnë sa më katastrofike që të mbahen njerëzit pas ekranit. Dalin bëjnë moral dhe tregojnë historia dhe dalin të paguar nga të tjerë. Në këto kushte gjatë gjithë këtyre ditëve është stimuluar një ndjenjë pasigurie se në të gjitha shkollat, fëmijët shkojnë dhe s’dihet a kthehen.
Nuk është rasti. Nëse dëgjon të gjithë të huajt, Shqipëria nga vendet më të sigurta. Një nga arsyet pse turistët e duan Shqipërinë. Takoj të huaj, dhe thonë si ka mundësi. Nuk është ky realiteti në qytetet e mëdha të Europës. Në Londër nuk ecet në rrugë nëse ke një orë në dorë që ka një vlerë, nëse ke një çantë në krahë. Në fund të ditës gjithë procesi i bashkëjetesës së shoqërisë është një proces ngjarjesh, problemesh që nuk janë zgjidhur', tha Rama.