U rendit në zonë ‘jo të sigurtë’ në Tiranë, Mimi Kodheli: Është një ndër sfidat e mia në politikë, e vështirë por jo e pamundur

12 Mars 2021, 22:49

Mimi Kodheli është një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Socialiste, e cila prej vitesh ka qenë deputete në Kuvendin e Shqipërisë, dhe ka mbajtur edhe postin e Ministres së Mbrojtjes.

Deputetja socialiste në një intervistë për emisionin ‘Pa Protokoll’ në Report Tv e cilësoi si ‘sfidë’ faktin që kreu i qeverisë e ka renditur emrin e saj të 21-tën në listën e kandidatëve për deputet në qarkun e Tiranës. Kodheli theksoi se ka kaluar shumë sfida në politikë dhe beson se edhe kjo është një tjetër sfidë e vështirë, por jo e pamundur për ta fituar.

Në këtë moshë ku jam unë ethet fillojnë edhe zbehen. Kur ke provuar shumë herë të qenit në listë e merr më me filozofi ethet nuk janë si të herës së parë. Ti e merr si pjesë të sfidës si pjesë të punës, vazhdon që të jesh aktiv në politik. Unë besoj se po është sfidë, nuk është sfida ime e parë dhe mbase nuk do të jetë e fundit. Kam garuar në 2005 me numrin 2 të PD dhe ishte hera e parë që ishte Bamir Topi. Kam pranuar të jem mbase në zonat më të vështira dhe të përfaqësoj PS-në atje. Kam pasur një sfidë tjetër në 2013 ku kam drejtuar qarkun e Lezhës. Pra po ti numërojmë sfidat politike, besoj se kjo është një ndër, as më e madhja dhe as e vetmja.’- tha Kodheli.

Kodheli tha se tashmë kanë të gjitha forcat e tjera politike përballë, por ato kanë njerëzit përkrah, duke shtuar së PS ka një listë shumë të mirë të kandidatëve për deputet.