Tiranë- Ka nisur në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës për dosjen e ekzekutimit të ish-policit Santiago Malko, ish-mikut të biznesmenit të zhdukur të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, ngjarje për të cilën është akuzuar “Klani Duka”.
Teksa një pjesë e organizatës janë hetuar dhe gjykuar më parë, pas arrestimit dhe ekstradimit nga Belgjika, ka nisur prej javësh edhe procesi me prezencën e të akuzuarit si kreu i organizatës dhe porositësi i atentatit në muajin Gusht të vitit 2019, në zonën e "Porcelanit" (Xhamlliku) në Tiranë, Leonard Dukës.
I pandehuri ka dhënë dëshminë e radhës ditën e sotme në GJKKO, teksa u mor në pyetje nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, të cilin Duka gjatë dëshmisë e akuzoi se kishte "korruptuar letrat". Seancën e kaluar pati tensione të forta, për shkak të akuzave nga nëna e të ndjerit Malko, e cila drejtoi edhe fyerje ndaj të pandehurit.