POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Akuza për kërcënim/ Martinaj i ofroi 7 mln € për të mbrojtur Shullazin? Beqja në prokurori, zbardhet dëshmia

Ylvi Beqaj, i shoqeruar nga truprojat

Mesditën e djeshme, biznesmeni Ylvi Beqja që gëzon dhe statusin e bashkëpunëtorit të prokurorisë, pasi është personi që ka kallëzuar Emiljano Shullazin, është paraqitur në prokurorinë e Tiranës, ku ishte thirrur për të dëshmuar për çështjen penale të nisur për Ervis Martinaj. I shoqëruar me dy efektivë të drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Beqja është shfaqur në prokurorinë e Tiranës, duke zhvilluar një takim me prokurorin e çështjes Kreshnik Ajazi. “Shqiptarja.com” mëson se gjatë takimit Ajazi, i ka kërkuar Beqjat të dëshmojë në procesin penal që ka nisur prej 4 tetorit 2018 kundër Ervis Martinaj, i cili pikërisht mbrëmjen e kësaj date u përfshi në një konflikt me armë në lokal “Monopol” në zonën e ish-bllokut, ku dhe mbeti i plagosur.

Prokuroria ka bërë pjesë të dosjes Martinaj edhe një kallëzim penal të bërë nga Beqja në 2017, ku biznesmeni, ka kallëzuar Ervis Martinaj për kanosje me qëllim heqjen dorë nga dëshmia në procesin gjyqësor kundër Shullazit dhe miqve të tij, por dhe për korrupsion, pasi në këmbim të kësaj kërkese, sipas Beqjat, Martinaj, i kishte ofruar shumën 7 milionë euro. Por kërkesës së prokurorisë së Tiranës për të dëshmuar kundër Ervis Martinaj, Ylvi Beqja, mësohet se nuk i është përgjigjur pozitivisht, pasi ka kërkuar kohë të japë deklarime lidhur me kallëzimin që vetë biznesmeni ka depozituar në muajin Mars 2017 kundër Martinajt. Njëherësh nga burime pranë prokurorisë mësohet se Beqja i ka kërkuar prokurorit të çështjes që të pyetet në një ditë të mëvonshme, pasi ka kërkuar që në seancën e pyetjes, të përfaqësohet me një avokat mbrojtës. Pas zhvillimit të kësaj bisede, Beqja dhe prokurori Ajazi mësohet të kenë fiksuar një datë javën e ardhme, me qëllimin e vetëm që biznesmeni Beqja të japë rrëfimin e tij, lidhur me kërcënimet që ka marrë nga Ervis Martinaj.

Lënia në burg e intesifikimi i hetimeve
Ndaj Ervis Martinaj që prej 19 nëntorit 2018 gjykata e Apelit Tiranë, ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest në burg 30 ditor në “arrest në burg” pa afat. Pas këtij vendimi nga ana e anëtarëve të grupit hetimor është bërë një mobilizim, me qëllim sigurimin e prova dhe fakteve të tjera, ku Martinaj besohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Plot dy muaj nga ndodhja e masakrës së 4 tetorit 2018, ku u përplasën me armë grupi i Ervin Matës me grupin e Ervis Martinajt, në ish-bllok, ku Fabian Gaxha mbeti i vdekur dhe Ervis Martinaj e Eljo Hato u plagosën, në prokurorinë e Tiranës është ngritur një grup pune, ku po shfletohet dhe analizohet çdo kallëzim, çdo provë dhe dëshmi që është dhënë në kohë kundër Ervis Martinaj dhe bizneseve të tij. Tashmë pjesë e dosjes së masakrës së 4 tetorit 2018 është bërë dhe kallëzim penal që biznesmeni Ylvi Beqja ka depozituar në prokurori në mars 2017.

Dëshmitari i mbrojtur dhe bashkëpunëtori i prokurorisë Ylvi Beqja deklaroi para Gjykatës së Krimeve të Rënda se Ervis Martinaj i kishte ofruar 7 milionë euro për t’u tërhequr nga dëshmia në gjykatë kundër Emiljano Shullazit. Ky takim sipas Beqjat është kryer mes tij dhe Martinaj në ambjentet e shtëpisë së tij në Tiranë. Mirëpo pas refuzimit të ofertës së Martinaj i cili kishte ardhur si mik në shtëpinë e Beqjat, sipas deklarimeve të biznesmenit, më pas Martinaj e kishte kërcënuar. Për pasojë në atë periudhë, Ylvi Beqja ka depozituar një kallëzim penal kundër Ervis Martinaj, për akuzën e “korrupsionit aktiv të dëshmitarit të mbrojtur nga drejtësia” dhe “kanosjes për të mos kallëzuar apo dëshmuar para organeve ligjzbatuese”. Fill pas këtij kallëzimi në 2017 prokuroria deklaroi se kishte nisur hetime për të dyja akuzat e ngritura nga Beqja, duke sekuestruar disa pamje filmike pranë banesës së Ylvi Beqja dhe disa komunikime në aplikacionin “Whats app”.

Prokuroria shtatë akuza për Martinaj
Kur ka kaluar më shumë se një vit nga kallëzimi i Beqjat, tashmë këto dokumente dhe dëshmia e biznesmenit janë bashkuar me dosjen e masakrës së 4 tetorit në ish-bllok, me qëllim ngritjen e akuzave të tjera për të arrestuarin Ervis Martinaj. Bashkimi i këtyre dy çështjeve penale, detyrimisht do të thotë shtimin e akuzave për Ervis Martinaj, ndaj të cilit momentalisht prokuroria e Tiranës ka ngritur 7 akuza atë të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim mbetur tentative”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”,“Falsifik të pasaportave apo letër njoftimeve”, “Pastrimit te produkteve te vepres penale ose veprimtarise kriminale”, “Fshehje të ardhurash”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe ”Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Por bashkimi i dosjes së kallëzimit të Ylvi Beqja në një procedim penal me këto 7 akuza, do të thotë që në sallën e gjyqit Ervis Martinaj të përballet me një bashkëpuntor të prokurorisë, Ylvi Beqjan, i cili dëshmoi kundër Shullazit dhe miqve të tij, ku rrëfimi i tij ishte vendimtar për dënimin e 5 të pandehurve nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Nuk dihet nëse biznesmeni Beqja ka vendosur të bashkëpunojë me prokurorinë për këtë çështje kundër Ervis Martinaj, por “Shqiptarja.com” ka mësuar se Beqja dje ka refuzuar të dëshmojë, duke kërkuar kohë për të dhënë rrëfimin e tij.

Cilët janë në burg dhe cilët në kërkim
Përplasja me armë më 4 tetor në lokalin “Monopol”, në zonën e ish-Bllokut, me grupit të Erin Matës dhe atij të Ervis Martinajt, nga ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, për momentin vijon të mbajë dy persona në burg, të cilët në fakt janë personat që kanë mbetur të plagosur në këtë ngjarje kriminale, Eljo Hato dhe Ervis Martinaj. Ndërsa nga ana tjetër autori i goditjes me armë, komandoja Merviol Bilo dhe Ervin Mata, i fejuari i Elvana Gjatës, vijojnë të jenë në kërkim.

Po kështu ende në kërkim policor besohet se është edhe Eldi Dizdari, bashkëshorti i ish-miss Shqipëria Suada Sherifi, që dyshohet të jetë strumbullari i këtij konflikti. Deri më tani nga policia e kryeqytetit asgjë nuk dihet për vendodhjen e tyre. Eldi Dizdari dhe Ervin Mata besohet se janë strumbullarët e këtij konflikti që solli dhe përdorimin e armëve, ku Dizdari dhe Mata fillimisht janë zënë në trotuarin, para lokal “Monopol”, dhe motiv besohet se është një borxh financiar i pashlyer nga Mata. Eldi Dizdari njihet edhe si kushëri i afërt i Arbër Çekaj, biznesmenit në konteinerin me banane të të cilit u kapën 612 kg kokainë në Maminas të Durrësit.

d.ba.
Komento