TIRANE-Banorët e zonës së ‘Astirit’ protestuan sërish paraditen e sotme duke bllokuar unazën për rreth një orë, ndërsa ka pasur edhe disa momente tensioni mes tyre dhe drejtuesve të makinave, kur njëri prej shoferëve tentoi të kalonte.

Nga incidenti është lënduar në sy operatori i televizionit Klan Plus, pasi njëri nga drejtuesit e mjeteve i ka thënë ‘mos filmo’ dhe më ka dalë nga makina duke e goditur me grusht, ndërsa i ka thyer edhe kameran. 

Protestuesit shprehen se nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër prandaj kanë bllokuar rrugën, ndërsa shtojnë se pronat e tyre do i mbrojnë me gjak. “Iu kërkojmë ndjesë shoferëve por nuk kemi zgjidhje tjetër me këtë qeveri të korruptuar. Prona është e shenjtë, mbrohet me gjak. Do ta mbrojmë si ata në Kukës”.

Operatori i goditur nga shoferi

Kjo është dita e tetë e protestës së banorëve që kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre pa marrë dëmshpërblimin sipas vlerës së tregut. Banorët paralajmërojnë që protesta do të përshkallëzohet.

Protestës sot i janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, Flamur Noka dhe Brahimllari, ndërsa dje ishte Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai ka dalë në mbështetje të familjeve, duke deklaruar se shtëpitë e tyre po shemben padrejtësisht, ndërsa u bëri thirrje për rezistencë.