POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Don Pal Zogaj, babai i gramatikës shqipe 200 vjet i harruar

Mark Palnikaj

Në numrin e kaluar të “Shqiptarja.com” u botua shkrimi “Arkivat e Vatikanit e Kroacisë, zbulime për gramatikat e para të shqipes që më 1700-n”, ku u fol për kontributin jashtëzakonshëm të Don Pal Zogajt për hartimin e gramatikës së gjuhës shqipe në Kroaci në vitin 1776.

Emri i vërtetë i këtij kleriku, siç merret vesh nga arkivat e Universitetit Urbaniana të Vatikanit, shkruar me dorën e tij, ishte Pal Brija, por mbasi ky ishte nga fshati Zogaj i Tropojës, ai prezantohej si Don Pal Zogaj, siç ishte zakoni për shumicën e klerikëve të asaj kohe, sidomos të atyre me kombësi italiane që në 99 për qind të rasteve, në praktikën kishtare, përdornin si mbiemër të tyre fshatin e origjinës. Pal Zogaj i lindur më 20 shtator 1752, pas përfundimit të studimeve në Universitetin Urbaniana të Vatikanit në degët e gramatikës, filozofisë dhe teologjisë, ka bërë betimin në gjuhën latine dhe ka shkruar “… Dëshmoj se jam Pal Bria nga Zogaj”. 

Don Pal Zogaj, veprimtar atdhetar dhe humanist i shekullit XVIII

Zogaj është një fshat i Komunës Bytyç të Rrethit të Tropojës. Rrethi i Tropojës në shekullin XVIII nuk ka qenë njësi administrative më vete, por zona nga Gjakova deri në qafat e Agrit dhe të Ndërmajës në Nikaj Mërtur përfshihej në sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë dhe njihej me emrin Malësia e Gjakovës. Me këtë emër është njohur  zona që përfshinte Nikajt, Mërturin, Krasniqen, Gashin, Bytyçin dhe Berishën e Brigjeve. Zogaj është një fshat i fisit Bytyçi dhe ndodhet më pak se 10 kilometra në anën perëndimore të qytetit të Gjakovës, afër Qafës së Prushit. Sipas dokumenteve që kemi marrë në Arkivin e Propagandës Fide në Vatikan, popullsia e këtij fshati ishte e besimit katolik dhe në vitin 1705 është ndërtuar një kishë e re.

Nga ky fshat kanë origjinën disa priftërinj të cilët kanë shërbyer kryesisht në Dioqezën e Shkupit por edhe në dioqezat e tjera në disa shtete të gadishullit Ballkanik. Sipas shkrimeve në librin e Fra Benedetto Mazzara “Leggendario Francescani”, mbas vitit 1636 shërbesat fetare i kryenin fretërit françeskanë, por një shekull e gjysmë më vonë shërbesat fetare i kryenin priftërinjtë dioqezan. Personi i cili ka lënë më së shumti gjurmë në historinë kishtare dhe atdhetare, nga klerikët me origjinë nga ky fshat është Don Pal Zogaj. Deri tani, në historiografinë shqiptare të vjetër dhe të re, emri i këtij kleriku me aktivitet thellësisht atdhetar, në Shqipëri, nuk është përmendur në asnjë punim as nga institucione shtetërore as nga ndonjë studiues privat. Prej disa vitesh studiuesit nga Kosova kanë rënë në gjurmë të veprimtarisë kryesisht atdhetare të këtij kleriku dhe kanë këmbëngulur që të ndërmerren studime për veprimtarinë e tij.

Studiuesi i etnokulturës shqiptare, Prof. Dr. Zymer Neziri, punonjës i Institutit Albanologjik në Prishtine, e ka ngritur prej vitesh zërin pran studiuesve dhe institucioneve shqiptare për hulumtimin e veprimtarisë së Pal Zogajt por përpjekjet e tij rezultuan pa ndonjë rezultat pozitiv deri sot. Personi që më së shumti ka bërë hulumtime për këtë person është një klerik nga Kosova, Don Frrok Zefi, me shërbim për një kohë të gjatë në Kroaci. Falë burimeve të shumta arkivore në gjuhët latine dhe italiane nga Vatikani, Dubrovniku, Zara, Zagrebi por edhe botimeve të shumta në gjuhët serbokroate dhe gjermane të bibliotekave në Kroaci dhe Austri, ky studiues ka arritur të nxjerrë në pah pjesën më të madhe me të dhëna për jetën e këtij personi. Mbështetur mbi dokumente të pakundërshtueshme dhe mjaft të besueshme, ka arritur që të krijojë një tablo të plotë të jetës dhe veprimtarisë së Don Pal Zogajt. Bazuar kryesisht në punën e palodhshme të këtij studiuesi, do të mundohemi të bëjmë një jetëshkrim të shkurtër të këtij atdhetari.

Pal Zogaj është lindur në fshatin Zogaj. Babai i tij quhej Jakob. Datëlindjen e saktë nuk e kemi të bazuar në ndonjë regjistër kishe por në dokumentet e Universitetit Urbanian të Vatikanit rezulton që kur është regjistruar në këtë universitet me datë 10 mars 1749, Pali kishte mbushur moshën 16 vjeç. Sipas llogarive i bie që ai të jetë lindur në vitin 1733. Në këtë vit, fshati Zogaj akoma nuk ishte islamizuar por pushtetarët turq të Pejës kishin filluar një presion shumë të madh mbi popullsinë katolike të Malësisë së Gjakovës për ndryshimin e religjionit nga katolik në mysliman.

Shkollimin elementar Pali e mori në qytetin e Gjakovës në shtëpinë e Arqipeshkvit të Arqipeshkvisë së Shkupit, Don Gjon Nikoll Kazazi, edhe ky shumë i njohur për veprimtarinë e tij atdhetare. Ishte Gjon Nikoll Kazazi që e rekomandoi për të vazhduar studimet e larta në Kolegjin Urban të Romës. Në vitin 1766, sipas burimeve të shumta nga Arkivi i Propagandës Fide në Vatikan, Bytyçi, Gashi dhe Krasniqja e kishin pranuar ndryshimin e religjionit por Nikaj dhe Mërturi, pjesë edhe këto të Malësisë së Gjakovës, nuk e ndryshuan religjionin asnjëherë. Veprimtaria e Don Pal Zogajt është zhvilluar në kohën e këtij tranzicioni religjioz çka i ka krijuar vështirësi të mëdha në ushtrimin e detyrës si klerik katolik. Për këtë problem do të flasim në vazhdim të këtij shkrimi. Sipas të dhënave arkivore të Archivium Collegii Urbani (ACU), Pal Zogaj e mbaroi shkollimin në këtë universitet me datën 20 shtator të vitit 1752. Me këtë rast, ai në tekstin e betimit si klerik katolik që duhet të shkruante në gjuhën latine, ai shtoi të shkruar edhe në gjuhën shqipe “Dëshmoj se jam Pal Bria nga Zogaj”. Në atë kohë shkolla quhej Kolegji Urbanian në Romë dhe Pali mbaroi me vlerësim maksimal studimet për gramatikë, filozofi dhe teologji. Në regjistrit e Kolegjit vlerësimi i tij u shkrua në gjuhën latine me përmbajtje “Djalosh shumë i talentuar dhe me sjellje të mirë, dhe gjithmonë ka qenë shembullor”.

Mbas mbarimit të shkollës duhet të punonte për përhapjen e ideve të krishtera tek besimtarët në Dioqezën e Shkupit ku bënte pjesë familja dhe fshati i tij. Tetë vite mbas mbarimit të shkollës, në muajin qershor të vitit 1760 Pal Zogaj dhe Matej Bosha shugurohen (titullohen) meshtar nga Arqipeshkvi i Shkupit, Matej Mazreku. Punoi si meshtar në Prizren dhe mbas pak kohe e rikthejnë me shërbim në Janjevë ku ishte edhe një shkollë e nivelit të shkollimit të mesëm të kohës tonë. Nga viti 1765 deri në vitin 1769 Don Palin e dërgojnë në Pejë pran Vikarit Apostolik Gjon Logoreci ku ai mbuloi me shërbimin si meshtar Rugovën dhe Peshterin. Në këtë kohë dy vëllezërit e Don Palit konvertohen në fenë islame dhe kjo ndikon që të shihet me sy jo të mirë nga eprorët e tij. Arqipeshkvi i Shkupit është i mendimit se për konvertimin e vëllezërve ka faj edhe Don Pali dhe për këtë shkak ishte i papranueshëm për të punuar në dioqezën e Shkupit.

Por, mesa duket do të gjendej një mundësi për largimin e Don Palit në mënyrë të pranueshme. Rasti e solli që Perandoria e Austrohungarisë hapi në Osijek të Kroacisë një shkollë për të rinjtë e kombësisë shqiptare të ardhur nga Kelmendi. Baballarët e tyre kishin luftuar në krah të austriakëve kundra turqve, në shumë raste duke kryer edhe rolin e komandantëve ushtarakë dhe duke luftuar trimërisht, dhe për këtë shkak ata trajtoheshin shumë mirë në vendbanimin e ri. Për këtë qëllim u vendos të hapej një shkollë ku të rinjtë e kombësisë shqiptare të mësonin detyrën e meshtarit për të shërbyer bashkëkombësve të tyre në gjuhën shqipe. Listën me 7 kandidat Komanda kryesore e Oborrit e nisi për në Vjenë me 26 gusht, kurse Këshillit luftarak të Oborrit ju paraqit me 4 shtator 1769. Në shkollën e re u konsiderua e domosdoshme të ishte një mësues që të njohë gjuhën shqipe. Për gjetjen e personit të duhur mbretëresha Marije Tereza, nëpërmjet nunciaturës së Vjenës kërkoi nga Propaganda Fide në Vatikan një prift që njeh gjuhën shqipe për të mësuar të rinjtë shqiptar në shkollën e Osijekut. Mbasi Propaganda Fide nuk kishte në Vatikan një person që mund ta kryente këtë detyrë, ajo i kërkoi Arqipeshkvit të dioqezës së Shkupit që të dërgonte një person që i plotësonte kushtet e kërkuara.

Arqipeshkvi i Shkupit Matej Mazreku vendosi të dërgonte në këtë detyrë Don Pal Zogajn, i cili i përmbushte kërkesat më së miri. Me këtë rast Arqipeshkvi kryente me një veprim dy punë, dërgonte njeriun e duhur në vendin e duhur dhe largonte nga vetja personin që nuk dëshironte ta kishte bashkëpunëtor. Në kohën që Don Pali duhet të shkonte në Osijek duhet të kalonte kufirin Austro Turk dhe kjo gjë përbënte rrezik sepse konsideroheshin dy shtete armike midis tyre. Don Pali u nis me datën 2 nëntor 1771 nga Kosova për në Osijek dhe kaloi nëpër Serbi në kohën që zhvillohej luftë midis Turqisë dhe Rusisë. Ishte përhapur edhe sëmundja e murtajës. Mbas një udhëtimi të mundimshëm dhe plot rreziqe, Dom Pali u paraqit në Komandën kryesore të Sllavonisë në Kroaci me datën 25 nëntor 1771.
Komanda e caktoi menjëherë të përkujdesej për bashkatdhetarët e tij kelmendas në shkollën e Osijekut ku do të ndiqnin nivelin e parë të shkollimit tek jezuitët. Me këtë rast konti Kaunic kancelar i Marije Terezës, njoftoi Propagandën Fide në Vatikan për dërgimin në shkollën e Osijekut të të rinjve shqiptar: “Për të ju përgjigjur siç duhet kërkesave dhe qëllimeve të Perandores, është e nevojshme që këta të rinj të mësojnë edhe kulturën edhe gjuhën amtare, në mënyrë që në një kohë të afërt të jenë të aftë për të rrëfyer, predikuar dhe ligjëruar në mënyrë të suksesshme fenë katolike bashkëkombësve të tyre”.

Me të filluar punë në këtë institucion, Don Pali kërkoi nga Kongregata e Shenjtë në Vatikan një pako me libra për nevojat e shkollës dhe kërkesa iu plotësua menjëherë duke i sjellë fjalorët dhe gramatikën shqiptare. Mbasi mori librat, me datë 15 janar 1774, ky i shkroi Propagandës Fide një letër falënderimi për librat dhe e njoftonte lidhur me sjelljet dhe suksesin e nxënësve të tij në mësime. Në nëntor të vitit 1773 u mbyll rendi jezuit në Osijek dhe 4 nga 7 të rinjtë shqiptar të shkollës së Osijekut u zhvendosën në qytetin e Zagrebit së bashku me mësuesin e shqipes Don Pal Zogajn. Në Zagreb ata do të vazhdonin shkollimin e mesëm në internatin greko-latin të atij qyteti, ngjashëm me gjimnazin në kohën e sotme.

Qysh nga mbërritja në Osijek dhe deri sa u vendos me punë në Zagreb Don Pali ju kishte përkushtuar hartimit të një gramatike të gjuhës shqipe të shpjeguar në gjuhët latine, gjermane dhe kroate, të cilën ua dedikonte bashkëkombësve të tij, së pari të rinjve shqiptar të fisit Kelmendi, student të këtij internati. Ai i bëri një lutje mbretëreshës Marija Tereza për fonde dhe bashkë me kërkesën e tij i dërgoi edhe një kopje të gramatikës së hartuar prej tij duke marrë për model gramatikën e Francesco Maria da Lece me titull “osservazioni grammaticali della lingua albanese”, Romë, 1716.

Me datën 13 maj 1776, në adresë të Këshillit Mbretëror Kroat, arriti vendimi me shkrim i Mbretëreshës në të cilin bëhej me dije se botuesi i Oborrit Mbretërorë Trattner është i detyruar që në shtypshkronjën e tij në Varazhdin të bëjë shtypjen e Gramatikës Shqipe të Zogajt. Sipas dokumenteve me datën 7 korrik 1776, me urdhër të Këshillit luftarak, atë e largojnë nga Zagrebi dhe e dërgojnë në Osijek pranë gjeneralit. Gjenerali e pret në mënyrë miqësore por nuk e vendos në një punë në varësi të tij por e dërgon me një letër shoqëruese pran Misionit Françeskan në Gjakovë. Në Gjakovë Palin e presin në mënyrë aspak miqësore për shkak të vëllezërve të tij renegat (fekthyes) dhe ai e kalon natën në kashtë në stallën e kuajve. Me datë 19 korrik 1776 ai kthehet përsëri në Hrtkovc ku qëndron deri në vitn 1779. Vendoset për pak kohë në Nikinc dhe me 22 prill 1780 atë e gjejmë në Gjakovë nga ku i bën relacionin e fundit Propagandës Fide në Vatikan.

Me datë 30 korrik të vitit 1781, Arqipeshkvi i Shkupit njofton eprorët e tij në Romë se Don Pal Zogaj ka vdekur. Vdekja në moshë të re, vetëm 48 vjeç, ishte një vdekje e dhimbshme për atë vetë, familjen dhe miqtë por ishte një humbje e madhe edhe për shqiptarët në përgjithësi sepse po ndahej nga kjo jetë një njeri i shkolluar, i aftë në lëvrimin e gjuhës dhe të fushave të tjera në një ambient ku njerëz të këtij niveli ishin të rrallë në atë kohë. Veprimtaria e Don Pal Zogajt i bën nderë fshatit Zogaj ku është lindur por edhe të gjithë komunitetit shqiptar të dioqezës së Shkupit dhe zonave për rreth. Ky ka qenë një veprimtar atdhetar që krahas fesë, ka përhapur dijen dhe kulturën shqiptare gjatë gjithë veprimtarisë së tij si misionar pranë komuniteteve shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci. Si i tillë, ai duhet të kujtohet me nderim dhe të respektohet për shërbimet e tij të shquara në dobi të atdheut të tij.

a.me./b.ha.
Komento