Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë "arrest shtëpie" për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Vendimi ka qenë i befasishëm dhe larg syrit të medias nga gjyqtarja Liljana Bako, e cila edhe në dhjetor 2017 i bllokoi pasaportën Tahirit dhe i ndaloi daljen jashtë vendit. Ish-ministrin e Brendshëm akuzohet si bashkëpunëtor në trafikun e drogës Shqipëri-Itali me Habilajt, shpërdorim detyre. Këto zhvillime vijnë rreth dy javë pasi Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit.

Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, Prokuroria ka kërkuar "burg pa afat", por Gjykata ka vendosur vetëm "arrest shtëpie". Ministri ndalohet të dalë nga banesa, ndërsa për çdo lëvizje duhet të njoftojë oficerin e policisë gjyqësore. Vendimi është ekzekutuar ditën e sotme. Brenda pesë ditëve lind e drejta e ankimimit si nga prokuroria ashtu edhe pala e pandehur. Javën e ardhshme priten zhvillime interesante lidhur me çështjen për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm, i cili nga ana tjetër ka paralajmëruar se s'do e pengojë askush të bëjë drejtësi.

Prokurorët në shtëpinë e Tahirit
Një grup prokurorësh të Krimeve të Rënda, Dritan Prençi, Gent Osmani, Elisabeta Imeraj dhe Besim Hajdarmataj kanë mbërritur në shtëpinë e ish-ministrit të Brendshëm për t'i komunikuar masën e sigurisë. Në atë moment Tahiri shoqërohej nga avokati mbrojtës, Maks Haxhia, i cili pritet të ankimojë këtë vendim në Apelin e Krimeve.

Provat e reja nga Italia dhe Greqia
Report Tv ka mësuar se vendimi i Gjykatës erdhi pas mbërritjes së letërporosi nga Italia dhe Greqia. Bëhet fjalë për hyrje - dalje të Saimir Tahirit të paregjistruara në sistemin tonë TIMS, por që ka të dhëna nga shtetet fqinje.

Dy javë më parë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit. Ai deklaroi se vendimmarrja ishte personale për të qenë i 'zhveshur' nga çdo imunitet parlamentar në përballjen tashmë 6-mujore me Prokurorinë.



Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:52
Saimir Tahiri takoi në Korfuz Artan Habilajn? Prova e re që mbërrin nga Greqia

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sot 'arrest shtëpie' për Saimir Tahirin pas kërkesës së Prokurorisë e cila ka administruar prova të reja nga Greqia dhe Italia.

Gazetari i "Shqiptarja.com", Elton Qyno zbuloi në emisionin "Repolitix" në Report Tv se një nga të dhënat e mbërritura nga autoritetet greke është ajo e një takimi të pretenduar mes Saimir Tahiri dhe Artan Habilajt, vëllai i Moisi Habilajt i arrestuar në Itali në tetor të vitit të kaluar.

Artan Habilaj sëbashku me Moisi Habilajn dyshohen si kokat e një rrjeti të fuqishëm trafiku droge nga Shqipëria drejt Italisë, aktivitet të cilin ata e kanë zhvilluar për vite me radhë.

Besohet në zonën e Korfuzit, në një hotel, Saimir Tahiri ka takuar Artan Habilajn. Autoritetet greke kanë kthyer përgjigje te Prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me këtë kërkesë, por ende nuk ka të dhëna të plota nëse ky takim është zhvilluar vërtetë apo jo.  

Ndërsa nga Italia janë administruar përgjime të reja të grupit "Habilaj" ku përmendet emri i Saimir Tahirit si pjesë e grupit të trafikut të kanabisit, si dhe funksioni i tij si titullar në qeveri, por megjithatë provat ndaj ish-ministrit nuk janë të drejtpërdrejta.

Elton Qyno, Gazetar i Shqiptarja.com

 

Ora 21:29
Masa ndaj Tahirit, Ambasada e SHBA: Shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do trajtohet me transparencë

Masa e Gjykatës së Krimeve të Rënda për Saimir Tahirin që vendosi "arrest shtëpie" për të, ka sjellë edhe reagimin e ambasadës së SHBA.

Përmes një njoftimit të shpërndarë për mediat, ambasada amerikane në Tiranë thekson se ky vendim është një shenjë që tregon se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do trajtohet në mënyrë të drejtë dhe me transparencë nga Gjykata.

Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata.

Ambasada e SHBA në Tiranë

Gjithashtu, ambasada amerikane cilëson si suksese të Shqipërisë në luftën kundër krimit, arrestimin e anëtarëve të bandës së Met Kananit dhe Arbër Çekajn i vënë nën akuzë për 613 kg kokainë të ardhur nga Klumbia në Maminas.

Përgëzojmë punën e vështirë dhe me kurajë të Policisë së Shtetit, Prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda. Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ambasada e SHBA në Tiranë

Njoftimi i ambasadës së SHBA:

Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret përparimin e bërë nga Shqipëria në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendimi i gjykatës për të vendosur Saimir Tahirin në arrest shtëpie është një shenjë se kjo çështje e rëndësishme korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata.

Arrestimi i Met Kananit në Turqi dhe 14 anëtarëve të bandës së tij kriminale në Shqipëri është shenjë e seriozitetit të policisë dhe prokurorëve për të vënë në shënjestër krimin e organizuar.

Së fundi, arrestimi i trafikantit të dyshuar të kokainës Arbër Çekaj në Gjermani dhe kërkesa për ekstradimin e tij në Shqipëri është shenjë se pandëshkueshmëria ka marrë fund për bosët e krimit në këtë vend.

Përgëzojmë punën e vështirë dhe me kurajë të Policisë së Shtetit, Prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe Gjyqtarëve të Krimeve të Rënda.

Ora 20:45
Masa ndaj Tahirit, Basha: Loja vazhdon, është mashtrimi i radhës, duhej të ishte në qeli

Kreu i Partisë demokratike përmes një statusi në Facebook ka reaguar lidhur me masën e sigurisë të dhënë pasditen e sotme ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda i dha ish-ministrin Tahiri masën “Arrest shtëpie".

Basha thotë se loja Rama-Tahiri ende vazhdon dhe se Tahiri tashmë duhet të ishte në qeli. Masën e dhënë ndaj tij, kreu i PD e quan si një mashtrim të rradhës.

Loja Rama –Tahiri vazhdon.

Arresti i shtëpisë i Saimir Tahirit nuk është vendim i drejtësisë, por vendim politik i Edi Ramës. Ky është dorëzimi i kontrolluar që paralajmëruam vetëm 3 ditë më parë, pjesë e paktit mafioz Rama-Tahiri.

Saimir Tahiri duhet të ishte sot në qeli dhe jo në arrest shtëpie. Qeveri partnere kanë sjellë javët e fundit të tjera prova që rikonfirmojnë se Saimir Tahiri ishte pjesë aktive e organizatës kriminale të Habilajve për trafikun e drogës.

Arresti i shtëpisë për Saimir Tahirin është mashtrimi i rradhës i Edi Ramës ndaj shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Kjo është po kështu prova se lëvizjet e paligjshme në prokurori kanë për qëllim mbylljen e dosjes Tahiri.

Tahiri nuk burgoset dhe as nuk dënohet sepse e mbron dhe e ruan Rama. Sepse Tahiri dhe Rama janë një.

Kreu i PD, Lulzim Basha

Ora 20:25
Parashikoi masën ndaj Tahirit, Kryemadhi: E kisha thënë! Tashmë drejtësia vdiq!

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, parashikoi dy javë më parë "fatin" e Saimir Tahirit në përballjen me drejtësinë. Ajo tha se dorëzimi i mandatit të deputetit nga ish-ministri i Brendshëm nuk ka asnjë vlerë 6-muaj pas ngritjes së akuzave, pasi vendimi që do japë Gjykata e Krimeve të Rënda do jetë "arrest shtëpie".

Pas këtij vendimi të Krimeve të Rënda të marrë paraditen e sotme, Monika Kryemadhi ka shkruar në rrjetet sociale duke theksuar se Rilindasit janë bërë të parashikueshëm. "E kisha thënë! Rilindasit janë bërë shumë të parashikueshëm!", shkruan Kryemadhi.

Ajo shton gjithashtu se masa për Tahirin synon të shmangë vëmendjen e opinionit publik nga akuzat ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Reagimi i Kryemadhit në rrjetet sociale:

E kisha thënë!

Rilindasit janë bërë shumë të parashikueshëm!

Gjithë ai nxitim; hiq, shkarko, shantazho, këtu do të dilte, për më tepër në ditën kur vëmendja e publikut është te ministri aktual dhe përgjegjësitë e tij, del në skenë ish ministri.

Një figure e djegur që përdoret dhe shantazhon sipas rastit ish kolegët! Tashmë drejtësia vdiq plotësisht për t’ia lënë vendin përballjes së bandave dhe grupimeve ne PS.

Tashme padrejtësia është përballë popullit , sepse drejtësia ka mbetur peng në duart e Edi Ramës dhe bandës së tij.

 

Ora 20:10
Avokati i Tahirit për Report Tv: Do ankimoj 'arrestin shtëpiak', prokuroria s'ka asnjë provë të re

"Prokuroria nuk ka asnjë provë të re ndaj Saimir Tahirit. Arrestin shtëpiak do ta ankimoj në apel". Kështu është shprehur Maks Haxhia, avokati mbrojtës i ish-ministrit të Brendshëm, në një reagim për Report Tv.

Ai tha se në dosjen e re të cilën e pretendon Prokuroria, ka vetëm përmbledhje të fakteve të dosjes "Habilaj", por asgjë tjetër që të rëndojë mbi Saimir Tahirin.

 

Do të ankimoj vendimin. Sot bëme ekzekutimin procedurial me dy oficerë të Policisë Gjyqësore, të vendimit të marrë nga gjyqtarja Liljana Baku. Vendimi me nr.97 është marrë sot në mesditë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Deri tani nuk ka asnjë provë të re nga vendimi i parë. Në vendim është bërë përmbledhje e fakteve të dosjes 'Habilaj'. 

Maks Haxhia, avokat i Saimir Tahirit

Ora 19:45
Berisha kundër 'arrestit shtëpiak' të Tahirit: Noterizoi marrëveshjen me Ramën

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson 'arrestin shtëpiak' ndaj Saimir Tahirit si noterizim të marrëveshjes me Edi Ramën. Berisha aludon se vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda është bërë me pajtimin e kryeministrit të cilin e quan si "Kryegjykatësi Rama".

"Ne perputhje me marreveshjen e kryekumbar Rames me Saimir Trafikun, sot kryegjykates Rama e “denoi” Sajen me qendrim ne shtepine e tij po jo te miqve!", shkruan Berisha.

Postimi i Berishës:

Kryegjykatesi Rama noterizon marreveshjen me Tahirin!

Ne perputhje me marreveshjen e kryekumbar Rames me Saimir Trafikun, sot kryegjykates Rama e “denoi” Sajen me qendrim ne shtepine e tij po jo te miqve! sb

 

Ora 19:34
'Arrest shtëpie' për Tahirin, Rama: Vendimi nuk komentohet, respektohet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila vendosi arrest shtëpie për Saimir Tahirin.

"Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet, thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë", shkruan Rama në Facebook.

Kreu i qeverisë shton se me rëndësi është që procesi të jetë transparent dhe i pavarur nga çdo influencë politike.

Postimi i Ramës:

Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin nuk komentohet, thjesht respektohet si një e drejtë e organeve të drejtësisë, të cilat i detyrohen vendit e botës një proces të pavarur, transparent e me integritet të plotë kushtetues e profesional, duke garantuar drejtësi jashtë çdo influence politike, mediatike a diplomatike.

Edi Rama, kryeministër

 

Ora 19:22
Nga kafja me avokatin te mbërritja e oficerëve/Si e priti Saimir Tahiri vendimin e Gjykatës

Saimir Tahiri ka qenë në pritje të oficerëve të Policisë Gjyqësore të cilët do t'i komunikonin atij vendimin e dhënë nga Gjykata që e la atë në "arrest shtëpie".

Burime për Report Tv saktësuan se Tahiri i ka pritur dy oficerët në një kafene poshtë pallatit të tij. Tahiri shoqërohej nga avokati mbrojtës, Maks Haxhia.

Pasi kanë mbërritur dy oficerë të Policisë Gjyqësore, Tahirit i është komunikuar masa e sigurisë "arrest shtëpie". Ai ka lënë ambientet e kafenesë dhe është ngjitur në banesë te "Kodra e Diellit" në kryeqytet. Më pas në apartamentin e Tahirit kanë mbërritur të afërm të tij.

Mësohet se masa e Gjykatës për Tahirin u dha pas mbërritjes së provave të reja nga Italia dhe Greqia për dosjen "Habilaj". Bëhet fjalë për hyrje -dalje të paregjistruara në sistemin tonë TIMS, por që të dhëna disponojnë shtetet fqinje.

Kjo masë e arrestit shtëpiak i ndalon ish-ministrit të dalë nga banesa i pashoqëruar nga oficerët e Policisë Gjyqësore.

Dy javë më parë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit. Ai deklaroi se vendimmarrja ishte personale për të qe në i 'zhveshur' nga çdo imunitet parlamentar në përballjen tashmë 6-mujore me Prokurorinë.