DURRES-Një i ri është mbytur mesditën sotme në Gjirin e Lalzit rreth orës 12:00. Viktima është Ervis Spahiu 22 vjeç. Ai kishte shkuar së bashku me dy të rinj të tjerë nga Tirana në Gjirin e Lalzit për të kaluar fundjavën, ndërsa në momentin që janë futur për t’u larë është zhdukur.

Dy shokët e tij kanë kërkuar ndihmë me shpejtësi te pushuesit e tjerë dhe policia, ndërsa trupin e pajetë të të riut e ka nxjerrë uji në breg pas rreth një ore. Trupi është dërguar në morg, ndërsa pritet autopsia dhe më pas do u dorëzohet familjarëve.

22-vjeçari Ervis Spahiu ka lindur në Peshkopi, ndërsa banonte në Tiranë. Viktima e sotme shënon rastin e parë të mbytjes për këtë sezon turistik duke vijuar në të njëjtën gjendje si në sezonin e kaluar. Në rastin e sotëm kullat e vrojtimit në plazh ishin bosh, pasi sezoni ende nuk ka filluar zyrtarisht dhe ende nuk ka roje bregdetare.

Rojet vendosen në momentin që sezoni fillon zyrtarisht, por si pasojë e temperaturave të larta plazhet frekuentohen më shpejt nga qytetarët, ndërsa janë të pambrojtur në rast rreziku mbytje.



Pushuesit afër trupit të pajetë të djalit të mbytur sot në plazh te Gjiri i Lalzit