Shkodër- Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur në Shkodër në lagjen "Partizani", në afërsi të zonës së njohur si Markata, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Report Tv ka mësuar se viktimë ka mbetur Fatos Ferracaku 40 vjeç i cili është qëlluar me disa plumba në kokë, ndërsa i plagosuri është Fatmir Mehaj 49 vjeç. REPORT TV siguron foton e viktimës nga atentati sot në Shkodër.

Viktima dhe i plagosur ishin të dy tregtarë peshku në tregun e Shkodrës. Autorët mësohet se kanë qenë dy persona me motor dhe skafandra, njëri prej tyre ka ndaluar përpara shënjestrës duke qëlluar Ferracakun, ndërsa më pas ka zbritur dhe e ka qëlluar nga afër në kokë për t'u siguruar që e ka ekzekutuar.  

Në vendngjarje janë gjetur 9 gëzhoja arme zjarri. Gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja se pak minuta pas ngjarjes, policia gjeti një motor të djegur në lagjen "Guerrile". Dyshohet se motori është përdorur nga autorët në ngjarjen kriminale. Besohet se shënjestra e këtij atentati ka qenë Fatos Ferracaku, ndërsa ngjarja ka tronditur qytetin në një orë kur fluksi i lëvizjeve është i lartë. Shqiptarja.com ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes.

VIDEO/Motori i përdorur në atentat

Foto nga vendi i ngjarjes

Njoftimi i policisë: 

Shkoder
Informacion paraprak

Sot rreth orës 11:15 në lagjen “Partizani” në vendin e quajtur 'Merkata Rus', dyshohet se dy persona me motoçikletë kanë qelluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit F.V. 31 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Nga të shtënat është plagosur dhe shtetasi F.M., i cili ndodhet jashtë rreziku për jetën nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Policia e Shkodrës e mbështetur nga FNSH Shkodër ka ngritur pika kontrolli dhe në gjithë zonën ku dyshohet se janë larguar autorët.

Policia ka gjetur dhe një mjet motoçikletë të djegur, që dyshohet se u përdor nga autorët, në lagjen 'Guerrile". Po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Policia e Shkodrës fton çdo qytetar që ka informacion dhe mund të ndihmojë, të telefojnë falas në nr 112!