Flet Edlira Sallaku: Sfida e autizmit të tim biri në një shoqëri diskriminuese

Flet Edlira Sallaku: Sfida e autizmit të tim biri në një shoqëri diskriminuese

Edlira Sallaku me Drinin

“Nga muaji i gjashtë i terapisë, specialistët filluan të më flisnin për pamundësinë e shërimit apo përmirësimit të Drinit. Pas tetë muajsh, aq sa ishte edhe objektivi i tyre, specialistët më dhanë përgjigje negative. Thanë se Drini kishte formën më të rëndë të autizmit dhe nuk reagonte ndaj asnjë gjëje. Edhe ata më sugjeruan ta braktisja, pasi edhe përmirësimi më i vogël ishte i pamundur”.

Kjo është dhimbja e një nëne dhe historia e piktorit 20-vjeçar Drini Sallaku. Askush veç nënës së tij Edlirës, nuk do ta kishte ndihmuar atë të dilte nga bota e errët dhe të bënte piktura plot ngjyra, koncepte e simbole të veçanta. Sot Drini Sallaku vazhdon edhe Liceun Artistik, ka një “gjuhë” të tijën simbolike, të cilën po ua mëson të gjithë njerëzve që e duan atë dhe artin e tij. Futja në Lice ishte një tjetër betejë këmbëngulëse e Edlirës, që e arriti me mbështetjen e medias, si dhe të “Report TV” e “Shqiptarja.com”, që hodhën dritë në betejën e nënës dhe birit të saj, dhe ndihmuan duke kontaktuar njerëz të ligjit dhe specialistë të trajtimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Megjithatë, lidere e kësaj beteje ishte gjithmonë Edlira, e vetme ajo bëri gjithçka:  përdori, çdo dhunti e talent që Zoti i dha, siç thotë ajo për të fituar nga ora në orë e çasti në çast aftësi të reja shprehëse gjatë rritjes së mundimshme të Drinit, deri sa ai fitoi aftësinë e socializimit që rrallë ndodh në fëmijët me autizëm. 

Kthesa e Drinit i ka habitur të gjithë, jo vetëm nënat që kanë të njëjtin problem, por edhe ato me fëmijë të lindur pa probleme, që gabojnë në trajtimin psikologjikë të fëmijës, madje edhe specialistët e fushës e kanë admiruar betejën e fituar të Edlira Sallakut. Dhe kjo është një betejë që u fitua me sakrifica e konflikte sociale e burokratike, në një shoqëri ende të paemancipuar, kohë kur edhe vetë familja e Edlirës u çorodit përballë hallit që i kishte rënë. Por sfidat nuk vonuan, edhe pse jeta e Edlirës dhe të birit ka kaluar përmes dhimbjes dhe pengesave të mentalitetit e sjelljeve të vrazhda njerëzore.  Edlira Sallaku, nëna e Drinit është një grua optimiste. Ajo ka bërë rrugë të gjata kërkimi në teoritë dhe praktikat shëruese të autizmit, ka bërë një luftë këmbëngulëse, këshillime me mjekë, logoped e psikologë. Edlira i dha Drinit detyra speciale e të gjitha këto i bëri të shoqëruara me dashuri të madhe për të birin. Komunikimi me të birin nisi nga dera e dashurisë.

E pajisur me një optimizëm të lartë, duke besuar fort, se dashuria është e fundit shpresë, Elvira Sallaku nuk u ndal. “Nëse ndaloja, çdo gjë do të shkatërrohej në çast”, thotë Edlira, e cila nuk e largoi asnjëherë të birin nga dora dhe nga sytë. Tashmë që betejën e fitoi dhe pikturat e Drinit janë ekspozuar në institucione, galeri dhe qendra të rëndësishme sociale, madje dhe në Liceun Artistik ku studion, Edlira po merr frymë lirisht dhe gjen pak kohë që të hedh në libër eksperiencën e saj. Edlira thotë se ka parë në jetë njerëz dhe nëna të mundura e të lodhura  në betejën me autizmin e fëmijëve të tyre. Ndaj libri ka marrë titullin “Progres sfida e autizmit”.  Promovimi i këtij libri u bë në fakultetin e Shkencave sociale, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit. Ishin të pranishëm studentët e  psikologjisë, pedagogë, specialistët që merren me fëmijët e veçantë dhe mësues e shokë të Drini Sallakut në Liceun Artistik.

Edlira pse vendose të bësh një libër me titullin “Progres sfidat e autizmit?
-Ky libër u bë në një kohë kur unë arrita të fitoja betejat me një shoqëri diskriminuese dhe të thyeshme ndaj një problemi të tillë, siç është autizimi. Unë sot jam shumë e lumtur që e shoh Drinin të pikturojë dhe të shpreh dëshirat dhe ëndrrat e tij. Pas punës këmbëngulëse që ka bërë shumë vite më parë, kur ai nisi të bënte vijat dhe figurat e para, ka arritur sot të bëjë piktura që kanë shprehje të veçantë, kuptim dhe emocion për njerëzit. Edhe pse luftova shumë që Drini të fliste dhe belbëzimet e tij të ktheheshin në fjalë të plota, kjo ishte tepër e vështirë, ndërsa me këmbënguljen tonë; timen por edhe të Drinit që shkallë-shkallë u përgjigjej detyrave të cilave me kalimin e kohës unë ua ngrija nivelin e kërkesave. Detyrat për të pikturuar u kthyen në një dëshirë për të bërë edhe vetë piktura dhe kjo për mua ishte një arritje e jashtëzakonshme. Dhe kur ulet Drini të bëjë një pikturë, ai ka bërë një vepër. Kështu e gjykojnë shumë specialistë të artit, që më thoshin se pikturat e Drinit janë shumë të veçanta. Ka shumë njerëz që i blejnë tashmë pikturat e Drinit dhe kanë dëshirë t’i kenë në shtëpitë e tyre. Pra gjuha e tim biri tani është bërë një gjuhë e veçantë. Por ky rezultat nuk u arrit si në përralla. Ishte një luftë, një betejë që nuk u ndal, sepse po ta ndaloja qoftë edhe një çast betejën time, çdo gjë do të përmbysej. Dhe kur drita hyri në zemrën dhe shpirtin e Drinit, unë vendosa që këtë eksperiencë ta ndaj me të gjithë ata që kanë të njëjtin hall, sepse vë re që një pjesë i mbyllin në shtëpi ose qendra të caktuara fëmijët me probleme dhe ka nëna që i lënë vetëm në dorë të specialistëve dhe merrem shumë pak me fëmijët e veçantë. Dhe ideja dhe projekti i këtij libri është pritur shumë mirë edhe nga Ministria e Arsimit.

Në libër ke përshkruar çastet më  të vështira, kur je gjendur vetëm në betejën e sfidës së autizmit, ku një pjesë e njerëzve nuk kanë mundur të ndihmojnë, një pjesë nuk kanë ditur, madje dhe vetë specialistët që merren me trajtimin e autikëve nuk të kanë dhënë shpresë, ku e gjete forcën të ecje përpara, të arrije progresin e Drinit? 
-Unë kërkoja pa ndalur dhe si rezultat kisha vetëm një jehonë të zërit tim, që përpiqej të mos humbiste mes indiferencës dhe papërgjeshmërisë. Unë tashmë isha mësuar me këto situata dhe isha përgatitur për të keqen. Më vinte keq për veten, sepse e parashikoja dhe e parandieja gjithmonë luftën e radhës, por zëri im i brendshëm më çonte drejt një vetëmohimi për të mbrojtur objektivin që i kisha vënë vetes që ta shkolloja Drinin në një shkollë arti. Dhe ju e dini sa luftë është bërë për këtë. Hodha pas krahëve paragjykimet, negativitetin e specialistëve dhe profesionistëve, të cilët nuk patën as rezultatin minimal. Njerëzit më quanin të çmendur, me idetë e mia, dhe vetëm shumë vite më pas më vlerësuan.

Cili është mesazhi i librit?
-Dashuria dhe besimi, kruajua dhe optimizmi i një nëne, por edhe besimi në Zot që kam si besimtare që jam e ndihmojnë fëmijën tuaj. Madje një mikesha ime më ka thënë që “ky libër është mesazh edhe për ne prindërit që nuk kemi fëmijë me probleme, sepse shpesh nuk dimë t’i trajtojmë dhe u krijojmë situata ankthi dhe stresi”. Unë dua me gjithë shpirt që përmes përvojës sime të ndihmoj fëmijët me probleme, por nëse mesazhi shkon edhe më tej, ky libër e meriton vërtetë titullin që ka “Progres sfida e autizmit”.    

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm