Frrok Çupi: Sikur edhe Metën ta zënë në një kat të tetë!

Frrok Çupi: Sikur edhe Metën ta zënë në një kat të tetë!

Ilir Meta

Në një kat të ulët nuk ka asnjë shans që të zihet Ilir Meta. Vetë la për të nënkuptuar se vilën e Lalëzit ia lë Monikës ose edhe le ta konfiskojë shteti. Vetëm aty e kishte mundësinë që të ‘kapej’ në një kat të ulët. Por nuk është as në natyrën e ‘kapjeve’ të fundit që i kapuri të kapet në kate të ulëta, pa ballkon dhe sidomos pa publikun – pavarësisht sa vetë janë, dy, tre apo njëzet vetë.

Iliri gjithmonë ka pretenduar lartësitë: Shtëpinë në Kodra e Diellit aty ku lahen me sy Kruja e kështjellës, Preza e lartësisë në fushë, kalaja e Lezhës ku u pagëzua në katolike Monika, dhe Rozafa që ditën ndërtohej ndërsa natën vinte dikush nga tradhtarët e PL e spiunonte ‘Njëshin’ Meta. Dje, në konferencën me të tijtë, Meta kërcënoi partinë e tij: ‘Kini mendjen te Njëshi, jo te zerot’.

I bie që të gjithë të mbajnë anën e Njëshit. Kjo ishte edhe si një porosi për ditën kur do të ‘zihet’. Amaneti për ditën e keqe rëndon, deri më tani, te dy persona: Erisa dhe Tedi. ‘Të paktën ju më ejani poshtë ballkonit!’, u tha Iliri me isharetet e lutjes pas ‘kapjes’. Ka qenë një rit, shumë i padëshiruar, që dikush i dobët, kur ndodhej në buzë të vdekjes, thërriste dy a tre të besuar e u thoshte: ‘Më ejani andej nganjëherë, boll një lule”.

Por ritualet e vdekjes dhe të lindjes tani janë ngarkuar me dëshira për luftë!’, luftë ‘deri në ditën e fundit’. Meta është betuar se ‘do ta thyejë në mes’ atë tjetrin. Edhe vetë fjalori ‘kur ta zënë Ilirin’ është një fjalor lufte. Madje është fjalë që vjen nga gjuhë ndërkombëtare, ‘seize’, ku përfshihen edhe nënkuptimet ‘kapje rob’, ‘kapje për në burg’, ‘konfiskim’, ‘embargim’ i anijes së lajthitur në det. Çuditërisht, të gjitha nënkuptimet e fjalës i përshtaten kësaj here Ilir Metës.

Në fazën ku ndodhet tani ish- presidenti, ish kryetari i parlamentit, ish kryeministri, ish ministri, ish sekretari…, gjëja më shpëtimtare është që të ‘zihet’, të zihet e të shpëtohet prej vetvetes. Gjithë titujt e botës ndodhen brenda atij kurmi që nuk mban dot pranë as këmishën e vet.

Prezumohet se ka kryer vepra të rënda penale dhe tani po i ikën truri.

Por ja ku jemi: Nëse Ilir Meta do të ‘zihet’ nga Drejtësia në një pozicion afër tokës, atëherë do të humbë shansi i një spektakli popullor me ‘të kapurit në katin e tetë’. Ta dëgjosh Ilir Metan në këtë emfazë marrëzie ku ndodhet, në këtë pikë halli human, në këtë budallallëk të lartësive…, kjo është një gjë që nuk duhet humbur.

Por a mendon drejtësia për spektakël? A punon Drejtësia për zbavitjen e masave gjatë operacioneve të saj?… Nëse do të më pyesnin mua, do të them se Drejtësia duhet të punojë për spektaklet me zë, jo spektaklet me shikim. Vetë Drejtësia është e verbër, dhe si e verbër nuk i intereson cili është ai që bën spektakël marrëzie në katin e tetë. Por që njerëzit të dëgjojnë çfarë lajthitje mund të prodhojë natyra te njeriu, këtë duhet ta bëjë Drejtësia. Ashtu siç bëri me ‘të kapurin’ e parë.

I kapuri i parë është një shok i ngushtë i Ilir metës, edhe ai ka qenë president e kryeministër. Drejtësia i ka caktuar katin e tetë; por i ka lënë edhe orët e natës kur ai del e jep spektakël në katin e tetë. Domethënë., ish kryeministri i katit të tetë, tani vetëm dëgjohet në marrëzinë argëtuese, por nuk shihet nga humanët në shesh a në salla.

Edhe Iliri do të jetë në një kat të tetë- besoj. Ndoshta edhe më lart se kati i tetë; ndoshta në Kodrën e Diellit. Atje ia kalon edhe doktorit të katit të tetë. Atëherë do ta ketë mundur edhe ‘legjendarin’. Veçse ‘këngën’ do ta këndojë njësoj si doktori i katit të tetë:

Kënga është për Dylqinjën ky hyjnë Monika dhe Amerika, pastaj për tradhtaret, pastaj për SPAK-un, për Dumanin e Irena Gjokën, pastaj për Reformën, pastaj për traun e palyer, pastaj për fitoren…

Poshtë ballkonit ( dhe poshtë Kodrës së Diellit) do të ketë spektatorë që argëtohen. Argëtohen vërtet me të dy ‘të kapurit’, njëherësh.

Filozofi Arthur Shopenhauer thoshte se ‘marrëzia magjeps’.

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Besimtarët ortodoksë në Berat kremtojnë të Premten e Zezë! Epitafi përshkon shëtitoren e qytetit

Besimtarët ortodoksë në Berat kremtojnë të Premten e Zezë! Epitafi përshkon shëtitoren e qytetit