Kategoria Superiore, Skënderbeu mposht Partizanin e i merr kreun

Kategoria Superiore, Skënderbeu mposht Partizanin e i merr kreun

Ndeshja Skënderbeu-Partizani

Pas një serie prej 8 ndeshjesh radhazi me rezultate pozitive, ku numëronte 7 fitore dhe 1 barazim, ka ardhur humbja për Partizanin dhe sërish nga Skënderbeu. Të kuqtë janë mposhtur 0-2 nga Skënderbeu në supersfidën e kësaj jave të Superiores. Korçarët fituan falë golave të Gjergji Muzakës dhe Dejvi Bregut.

Kujtojmë se ka qenë pikërisht skuadra korçare, që mposhti Partizanin me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar nga Gjergji Muzaka me 11-metërsh, në minutën e 90’, në ndeshjen e parë të sezonit të ri të Superiores dhe që atëherë, skuadra e Gegës nuk mposhtej më.

Në një “Selman Stërmasi” të “skuqur” nga tifozët e partizanit, ishte skuadra e Gegës që u mundua të marrë iniciativën dhe të sulmojë korçarët, për të shënuar e para golin, me Bardhin e Asanin, në rolin e protagonistëve. Nga ana tjetër, skuadra e drejtuar nga Orges Shehi mbrohej me shumë kujdes dhe qarkullonte mjaft mirë topin, ndërsa herë pas here zbriste shpesh në sulm, duke vënë në vështirësi mbrojtjen e ekipit të Partizanit. Dhe kështu në minutën e 64-t, Gjergji Muzaka gjuajti bukur në zonë dhe mposhti kapitenin e Partizanit, Alban Hoxha. Deri në fund, korçarët administruan sfidën, me Partizanin që u duk i pafuqishëm për të gjetur golin e barazimit. Në të 95-tën, mendoi edhe Dejvi Bregu, i cili me një kthesë fantastike shënoi golin e dytë dhe vulosi gjithçka. Skënderbeu merr 3 pikët në kryeqytet, dhe rikthehet të marrë kryesimin e renditjes, me 23 pikë, një më tepër se Partizani ndjekës.

Skënder Gega

Duhet t’i jap vlerat Skënderbeut, që sot nuk na vodhi asgjë dhe tregoi se është një ekip kampion. Unë besoj se loja kishte pjesët e mira tonat dhe nuk mund të them se një ekip varet nga një rast, por kishim raste të pastra shënimi. Goli i parë ishte mungesë vëmendjeje nga ana jonë, por kështu është futbolli. Këto janë mangësi dhe është një ndeshje me një rival direkt. Jemi në vendin e dytë dhe kur kemi qenë në vendin e parë, e kam thënë që kampionati është i gjatë.

Skënder Gega, trajneri i Partizanit 

Orges Shehi

Sigurisht që fitorja të kënaq, sepse fiton ndaj një rivali direkt, në atë pozicion ku jemi. E kotë ta mohojmë që nuk na kënaq, por ka shumë vend për përmirësim, që të ecim akoma më gjatë në këtë rrugë.

Orges Shehi, trajneri i Skënderbeut

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm