Testimi për oficerët e policisë që konkurruan për gradën “Komisar” është anuluar. Shkak është bërë fakti se më shumë se 100 oficerë policie rezultuan se kishin dhënë të njëjtën përgjigje. Kjo ka bërë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, të anulojë testimin, për shkak se ka dyshime që teza është shpërndarë më herët.
Në vendimin e firmosur nga drejtori Ardi Veliu thuhet se:
Për arsye të mangësive të konstatuara që kanë cënuar integritetin e testimit me shkrim, për fitimin e gradës “Komisar”, zhvilluar më datë 7.11.2018, dhe me qëllim kryerjen e procesit të konkurimit, në mënyrë të drejtë, të paanshme, me transparencë e barazi, të aplikantëve më të mirë që kanë fituar të drejtën e konkurrimit::
Urdhëroj:
Anulimin e testimit me shkrim për fitimin e gradës Komisar, të zhvilluar më 07.11.2018 dhe mosnjohjen e rezultateve të tij.
Testimi me shkrim të përsëritet më datë 15.11.2018, ora 07:30, në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Urdhëri i Drejtorit të Policisë për ritestimin e oficerëve të Policisë
Kanë qenë 420 oficerë policie që konkuruan për gradën “Komisar”, ku një pjesë e tyre dyshohet se kopjuan duke marrë më herë tezën. Testimi u zhvillua në datën 7 nëntor dhe nga korrigjimi i tezave, ra në sy përgjigja e njëjtë që disa oficerë kishin dhënë, që solli më pas edhe marrjen e pikëve maksimale nga ana e tyre. Gradat në polici kanë qenë gjithmonë të kontestuara, për shkak se shumë policë hedhin akuza për mbështetjen e disa kandidatëve të caktuar.
Komente

