POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Thaçi dhe Haradinaj vijojnë përplasjen, Vuçiç: Kufijtë, të parëndësishëm në Evropë

Haradinaj dhe Thaci

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Haradinaj vijojnë replikat për korrigjimin e kufijve. Thaçi ka përsëritur sërish sot qëndrimin e tij se kërkesa e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për t’iu bashkuar Kosovës do shqyrtohet për zbatim në kuadër të procesit të demarkacionit që do të zhvillohet me Serbinë.

Vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës më 1 dhe 2 mars 1992 për bashkëngjitje me Kosovën është institucionalizuar tek organet shtetërore të Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë e tyre është ndërkombëtarizuar në pikën më kulminante botërore. Kjo çështje do të diskutohet në kuadër të demarkimit të kufirit prej 430 kilometrave ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mund të zgjidhet. Të mos mbesim rob të dhuratave të antishqiptarit famëkeq Aleksandër Rankoviç, por të punojmë për korrigjimin e historisë dhe rritjen e sigurisë për të ardhmen evropiane. Rezultate të marrëveshjes eventuale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë njohja reciproke me Serbinë, njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, anëtarësimi në OSBE dhe heqja e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, si parakusht për anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB. Kjo marrëveshje sjellë më tepër paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe Kosovës i hapë rrugë të sigurt dhe të shpejtë për në NATO dhe Bashkim Evropian.

Hashim Thaçi

Ndërsa kryeministri i Kosovës Haradinaj reagoi duke thënë se Kosova dhe populli i saj respekton shtetin ligjor në tërësinë territoriale të tij. Ai shtoi se do të mposhtet çdo përpjekje për të kërcënuar këto parime fundamentale për të cilat populli ynë sakrifikoi shumë.

Kosova është shtet mikpritës që beson në lirinë e shprehjes dhe vlerat demokratike. Por në anën tjetër, Kosova dhe populli i saj respekton edhe shtetin ligjor në tërësinë territoriale të tij, dhe nderon institucionet e saja. Këto janë parime të palëkundura që Kosova gjithmonë do t’i nderojë, respektojë, e mbrojë. Si Kryeministër i vendit, ju siguroj që do të mposhtet çdo përpjekje për të kërcënuar këto parime fundamentale për të cilat populli ynë sakrifikoi shumë.

Ramush Haradinaj

E ndërsa Thaçi dhe Haradinaj janë në pozicione krejt të kundërta për idenë e rishikimit të kufijve, Presidenti i Serbisë, Vuçiç nga Kosova ku ndodhet në vizitë është shprehur se me rëndësi është që të shikojmë në të ardhmen, pasi kufijtë do të jenë më pak të rëndësishëm kur të bëhemi pjesë e Evropës.

Gazivoda flet për betejat e rënda që i kemi me shqiptarët. Por shpresoj që do të merremi me shfrytëzimin e ujit, pasi shumica e Kosovës e merr ujin nga këtu. Kështu që duket se këto gjëra do të zgjasin edhe për një kohë të gjatë, por detyra jonë para se gjithash është që të ruajmë paqen dhe të tentojmë të afrohemi drejt gjetjes së ndonjë zgjidhjeje, edhe pse mendoj se ky është proces pa kthim, të cilën nuk do të mund ta përfundojë as kjo gjeneratë e politikanëve, e as tjetra dhe gjenerata e tretë mund ta përfundojë. Me rëndësi është që të shikojmë në të ardhmen, pasi mendoj se kufijtë do të jenë më pak të rëndësishëm kur të bëhemi pjesë e Evropës.

Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u angazhua pak kohë më parë për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

SHBA dhe BE nuk e kanë kundërshtuar idenë, por kanë kërkuar mos cenonte stabilitetin e Ballkanit, ndërsa Gjermania dhe Britania janë pozicionuar kundër. Përsa i përket Shqipërisë, Rama mbështeti qëndrimin e BE, ndërsa Presidenti Meta doli kundër rishikimit të kufijve.

d.ba.
Komento