SELENICE - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Selenicë mesditën e kësaj të premte. Një person është qëlluar katër herë me armë gjahu në një lokal qendër të fshatit Kotë dhe ka humbur jetën.

Viktima është Fatmir Hodo, 64 vjeç, kreu i Njësisë Administrative Kotë, i zgjedhur në vitin 2015 si përfaqësues i PD. Autor i kësaj ngjarje është identifikuar Admir Delaj, rreth 43 vjeç, nga fshati Gumenicë, i cili është vendosur në pranga rreth 1 orë pas ngjarjes.

Report Tv publikon pamjet e arrestimit të 43-vjeçarit nga banesa e tij, si dhe sekuestrimit të armës së përdorur përkundrejt Delajt brenda makinës së tij tip "Benz ML". Nga kontrolli i ushtruar në banesë është gjetur dhe sekuestruar edhe një  tjetër çifte, e cila nuk ka lidhje me ngjarjen por që rezulton pa lejen përkatëse.

Sipas njoftimit policor, viktima dhe autori kanë qenë së bashku në tavolinën e një lokali duke konsumuar pije alkoolike, kur pas 43 vjeçari ka qëlluar me çifte në drejtim të Hodos. Sipas burimeve të Report Tv, Hoda është konfliktuar me Delajn për cështje pronësie.

Po vijohet puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet në ngarkim të shtetasit Admir Delaj do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme.