Dy persona kanë humbur jetën në plazhet shqiptare ditën e sotme në Velipojë dhe në Gjirin e Lalzit duke e çuar në 11 numrin e viktimave këtë sezon turistik. Në Velipojë humbi jetën Ervid Palaj nga fshati Dajç i Shkodrës, i cili ishte duke pushuar bashkë me të fejuarën.  Report Tv ka mësuar se ka qenë kjo e fundit e cila është futur në ujë dhe rrezikonte të mbytej nga dallgët të forta. Palaj ka nxituar për t'i ardhur në ndihmë, por në luftë me dallgët dhe detin e trazuar ai është mbytur vetë. Edhe pse është tentuar t'i jepet ndihma e parë nga pushuesit e tjerë, 30-vjeçari nuk mundur të mbijetojë. Mësohet se partnerja është shpëtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa fati është treguar i pamëshirshëm për të fejuarin e saj, Ervid Palaj i cili bëhet kështu viktima e tretë që humb jetën në plazhin e Velipojës.

Pavarësisht masave të marra nga autoritetet, plazhet shqiptare vijojnë të prodhojnë viktima në radhët e pushuesve çdo sezon turistik si rrjedhojë e mungesës së sigurisë. Një handikap i vjetër është ai i mungesës së rojeve të plazhit pavarësisht ngritjes së këtij shqetësimi vit pas viti dhe numrit tragjik të viktimave në radhët e turistëve vendas apo dhe të huaj.  Si në Velipojë dhe në Gjirin e Lalzit sot mungonin rojet e plazhit. Pak ditë më parë Report Tv krahasoi plazhin e Velipojës me atë të Ulqinit përsa i takon kushteve të sigurisë. Në Velipojë pushuesit përballen sërish pa sigurinë në plazhe, ndërsa një panoramë krejt tjetër është ajo përtej kufirit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:57
Shkon të shpëtojë pushuesin që po mbytej, makina e policisë ngec në rërë në Velipojë/ VIDEO

Mesditën e sotme në Velipojë humbi jetën Ervid Palaj, pasi u fut në det për të shpëtuar të dashurën.

Palaj nxitoi për t'i ardhur në ndihmë, por në luftë me dallgët dhe detin e trazuar u mbyt vetë. Pushuesit njoftuan me shpejtësi ambulancën dhe policinë dhe tentuan t’i japin ndihmën e parë të riut, po ai nuk mundi të mbijetonte.

Report Tv ka siguruar një video nga Velipoja kur mbërrin makina e policisë, por në momentin që del nga rruga kryesore ngec në rërë. Automjeti u nxor nga rëra nga makina e ekspertizës, ndërsa sikur duket nga pamjet e kanë shtyrë disa pushues dhe një efektiv policie.