‘Më kujtohet…’, - fotografia si dëshmi…

‘Më kujtohet…’, - fotografia si dëshmi…

1.Librat me të njëjtin titull: “Më kujtohet…” (1) dhe (2) të shkrimtarit Ylli Demneri, janë dy libra që nuk janë vazhdim i njëri-tjetrit, por kanë një përbashkësi, u ngjajnë atyre rrathëve të ujit, të cilët zmadhohen e zmadhohen, e zgjerojnë dhe e shpërfaqin pandërprerë problematikën dhe tematikën e të njëjtit realitet në kohë dhe në hapësirë, të një realiteti të hidhur që e mbylli jetën e tij si sistem politik në vitin 1990. Për të mos e harruar atë realitet, na vijnë si një dritë kujtese, si një mos-harrim librat “Më kujtohet..” (1) dhe (2). Janë libra realistë, me vërtetësi jetësore, të drejtpërdrejta në komunikim e në përfaqësim, paraqesin faza të ndryshme të jetës së atij realiteti që kishte një cak vendor e një cak kohor. Janë libra, - që po t’i referohemi Italo Kalvinos, ai na thotë se - “Gjithçka përreth krijon një rrjetë shenjash të dukshme, fjalësh të shprehura, …, me motive autobiografike, me thënie e sentenca. …” Pra, autori Demneri konvergon në një drejtim të vetëm: në paraqitjen e imazheve, unë do ta quaja produkt fotografie, ku jetojnë personazhe dhe realitete,  të përditshmet e njëllojta dhe  sakrificat njerëzore, ku ajo e shtrenjta, liria mungonte.

     Tekstet kanë të përveçmen e tyre. Janë ndërtuar mbi një strukturë dhe semantikë demneriane. Ky është modeli letrar i ofruar nga autori që shoqërohet dhe mbart si dekor një përkatësi ngjyrash që në të vërtetë i ofronte, vetë, realiteti ekzistues. Horizontaliteti dhe vertikaliteti i çdo teksti i përgjigjet një frazë e mirëmenduar e zgjedhur nga pikëpamja leksikore, përgjithësisht poetike e me nuanca poetike, si dhe me shumë rrafshe shikimesh. Këto shikime janë gjegjëse me hapësirat librore të titulluara “Më kujtohet…”, ku shëtisin një dendësi  ngjarjesh që përshkruhen deri në detaje, e çdo detaj, që në të shumtën e rasteve luan rol kryesor, është real, i gjetur me finesë e flet shumë, sepse vetë vetë detaji përfaqëson një simbol, një metaforë, një krahasim, dhe është i ngarkuar emocionalisht. Kjo është arsyeja që mua “Më kujtohet…”, ty të “Kujtohet…”, ne na “Kujtohet…”.

Është e pamundur të mos ndjesh teksa lexon dhe rilexon tekstet e këtyre librave: dramën dhe drithërimën, njerëzoren dhe antinjerëzoren, dëshirën shpesh të vetmuar me pamundësinë, ëndrrën e vrarë dhe ëndrrën pa ëndërr, etj. Është e pamundur teksa lexon dhe rilexon tekstet të mos përftosh kulturën dhe diapazonin e gjerë kulturor të autorit, individualitetin dhe përceptimet e tij. Janë tekste të ndërtuara në formë arkitekture e të shprehura qartë, pa ekuivoke. Janë tekste që po t’i referohemi përsëri Kalvinos, kur ai krahas përmendjes së shenjave, përmend edhe  edhe ato që ai i quan faqe sekrete.

E me faqe sekrete unë kuptoj atë punë të vështirë që ka bërë shkrimtari në  laboratorin e tij krijues për të zgjidhur disa momente si këto që po i rendis: -çdo të thotë të jesh brenda vetes por edhe njëkohësisht edhe jashtë saj?, -çdo të thotë të jesh në marrëdhënie me të tjerët (nga i afërti e deri te më i largëti?), - çdo të thotë përmes ‘fotografisë’ kujtesore të  shkrepësh e të zbulosh, të rizbulosh duke mos humbur për asnjë çast një botë që e jetuam në një realitet të hidhur, siç ishte ajo e epokës socialiste?

E përgjigjet e këtyre pyetjeve i gjen të pasqyruara në prozat, shpesh poetike të shkrimtarit Demneri. Pastaj vjen një qasje tjetër, si ajo e ndjekjes hap pas hapi të një realiteti, që sapo kujtohesh për të, të ikën buzëqeshje, vjen dhe formatohesh, dridhesh, të ngjethën mishtë… e autori nuk ndalet, por vazhdon me talent e fisnikëri të ‘fotografojë’ pambarimisht.., ‘stampon’ vetveten, të kaluarën kolektive; dhe si tharm e si filozofi mbetet dhe gjallon estetikja dhe veç estetikja. Në këtë prurje, që ka dallueshmëri e befasime (që sapo i lexon, kujtohesh vërtet…) autori Demneri e ka një motiv që e nxiti në krijimin e këtyre librave, dhe siç e thotë vetë: “Jeta e përditshme, intime, jashtë pozimit në një dekor të zgjedhur, mbeti e fiksuar tërësisht në kujtesën e njerëzve. Si shumëkush, shpesh kam ndier nevojën për t’u çliruar nga këto imazhe të ngecura në kujtesë dhe për të “stampuar” këto fotografi të munguara. Më kishte mbetur vetëm fjala”.

     2. Përmes çdo ‘fotografie’, me lajmotivin “Më kujtohet…”, shkrimtari Demneri zbulon këndvështrimin e tij, që në optikën artistike shfaqet si dëshmi, si filozofi, si mesazh, si mënyrë e të jetuarit, si ekzistencë portreti…, por edhe i plotësuar me detaje herë të dukshme e herë të fshehta, herë të dhimbshme e herë trishtuese… Të gjitha të rrokëzuara e të mbartura brenda shpirtit, psikikës e mentalitetit tonë shqiptar që në një mënyrë a në një tjetër… jetonin dhe veç jetonin përmes tragjikes jetësore!

     ‘Fotografitë’ e ofruara nga ana e autorit, edhe pse nga ne e më të mëdhenj se ne, i njohim, sepse i jetuam, është një përballje që flet shumë, e që nga ana e autorit është sjellë me plot elegancë, harmonishëm e thellësi jetike. Ato përbëjnë një jetë që Demneri e fillon me vetveten e nga vetvetja dhe e bën të njohur, të rinjohur për të tjerët, ku nënvizon një të vërtetë të madhe që  s’duhet harruar, siç janë: vitet 50’- 60’-70’- 80’ e më tej… S’duhet harruar historia e një epoke. ‘Fotografitë’ mbartin jetë dhe i flasin jetës. “Më kujtohet…”, - thotë autori, dhe kjo semantikë është e ndërtuar dhe e struktuar plot ndjenjë , emocion dhe vërtetësi. Ajo në tekst shfaqet herë në fillim, herë në mes e herë në fund të fjalisë, si për të thënë se këto ‘fotografi’ nuk janë aq të thjeshta në dukje, por mbartin jetë njerëzish, drama, e që duhet dokumentuar, si mësim Historie të kësaj Shqipërie të shtrenjtë, i kësaj toke që ca njerëz të pashpirt dhe gjithë ligësi i falën lot pafund, tortura shnjerëzore, gjymtime, varfëri, pashpresa, paëndrra, varreza. 

     3.     Librat “Më kujtohet…” (1 dhe 2) shoqërohen jo vetëm me parathënie, por edhe me një seri shkrimesh, nga mënyra se si janë formuluar, autorët e tyre i shohin librat e shkrimtarit Ylli Demneri në pika të ndryshme vështrimi, por bashkohen në një fjalë të vetme që quhet: KUJTESË dhe mendoj që KUJTESA është guri i çmuar i këtyre librave. Është detyrë që për asnjë çast të mos ia zbehim dritën. Studiuesi Dashnor Kokonozi e quan: ‘Instalacion kujtese’, ndërsa Diana Gëllçi e formulon kështu përmbajtjen e librave: ‘Kujtimet dhe rrugëtimi i Atdheut’, kurse poeti Alket Çani preferon ta quaj: ‘Nostalgjia e humbjes’, në fund studiuesi dhe shkrimtari Ardian Vehbiu, duke folur në vetën e parë shumës, mendon se përmbajtja e librave duhet emërtuar kështu: ‘Na kujtohet…”. Vehbiu ka disa përcaktime, që për librin janë thelbësore e të vlefshme, si: -është një tekst kujtimesh të çlirëta, të pastrukturuara, -është vëzhgues i hollë dhe virtuoz i kujtesës, - autori është maestro i detajit, dhe për ta përmbledhur këto dukuri të librave po citoj po nga shkrimi i Ardianit, i cili thotë: “Kujtesa e palodhur dhe krejt e pafajshme e autorit lëviz nga një detaj në tjetrin, e kapur pas sendeve që formojnë, si gurëzat e mozaikut, jetët e përditshme”. (f.174), … “Librat ndonjëherë janë e vetmja mënyrë për të ruajtur diçka…”. (f.176).

Unë kam preferuar që teksturat e autorit që janë dëshmi tronditëse, e që rrëfehen në vetën e parë, dhe po në këtë vetë komunikohet, dëshiroj t’i quaj fotografi, dhe gjatë gjithë ligjërimit tim kam operuar me këtë nocion. Këto fotografi që shkrepen dhe fiksohen gjatë gjithë etapa të rritjes së autorit, me një komunikim shumëplanësh, duke filluar nga vetja, e duke vazhduar me familjen, e më pas duke vazhduar me komshinjtë, më tej me lagjen, më tej me rrugën, më tej me shkollën, më tej me personazhe e jetë kulturore, më tej me ngjarje kryeqytetase e ndërkombëtare…, më tej e më tej… Në lëndën e dy librave lëviz jeta e një kryeqyteti që quhet Tirana dhe, që çdo qelizë e tij fotografohet me sytë e pranisë jetësore, më sytë e kujtesës. Të gjithë këto shenja që i mbartin librat nuk duhen harruar, ashtu siç nuk duhet harruar  dashuria shkrimore dhe stili elegant i autorit Demneri.

Si përfundim, duke i parë këto libra si bashkëngjizje të fotografisë me filozofinë, ku estetikja shkëlqen estetikisht, më lejoni të citoj një pasazh nga libri i filozofit Pierre Poulain që e kishte pasion jete fotografinë. Ai thotë: “… fotografia… si kapje copëzash të realitetit dhe filozofia si një mjet praktik që na lejon të eksperimentojmë me këtë realitet për ta kuptuar, pa harruar se na ndihmon edhe që të jemi qenie më të mira e më të lumtura njerëzore, më të afta të kontrollojmë jetët tona dhe të jemi në zotërim të argumenteve më të mirëpërkufizuara , të cilat na lejojnë të ndërtojmë një të tashme më të mirë dhe një të ardhme më të mirë me shembullin tonë personal”.

E falënderoj autorin Ylli Demneri për tekstet e bukura që na ka dhuruar, falë shkrimit të tij elegant, kënaqësisë që më ka dhuruar gjatë leximit dhe rileximit se, brenda hapësirave të librave pashë diku edhe jetën time.     

Shkodër, 04. 11.2018

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm