Jakin Marena: Meta ‘heq’ dorë nga Monika, ‘josh’ pa dobi Berishën dhe ‘nyja’ Argita

Jakin Marena: Meta ‘heq’ dorë nga Monika, ‘josh’ pa dobi Berishën dhe ‘nyja’ Argita

Ilir Meta e Monika Kryemadhi

Ilir Meta bëri atë që bëri në Partinë e Lirisë, e zhyti më shumë në greminën në të cilën ka rënë vit pas viti kjo parti politike, asokohe kur quhej LSI.

Pas një ‘stërvitjeje’ intensive, me ngjitje rrëpirash dhe malesh, kacavjerrjesh nëpër platformat metalike apo zënien e palestrave me radhë, ato moderneve kuptohet dhe të vëna me mund e djersë dhe të sigurta me ‘dorë dhe Bes-ë”, vendosi të ‘rregullojë’ punët në partinë që drejton aktualisht sipas dëshirës së tij, parti kjo e lindur nga ‘gërmadhat’ e LSI.

Teksa ka ‘rithemeluar’ tërë organizmin e tij, nuk i përmendim ndërhyrjet mjekësore por vetëm ato që janë marrë nga ‘nëna natyre’ kohët e fundit dhe nga forcat e vullnetit të tij duke ‘sfiduar’ madje gjithkënd në ndërmarrjen e tij të ‘palestrimit’ të shoqëruar dhe me mesazhe që fatkeqësisht janë të pazbërthyeshme sopse nuk mund të quhen mesazhe, Ilir Meta ka shpallur procesin e “Rithemelimit” të Partisë së Lirisë. I cili përfundon me 27 prill, kur të bëhet president i PL.

Një imitim në linjë partie, i një diçkaje mes Ahmet Zogut që nga President u shpall mbret dhe Enver Hoxhës që nga PKSH kaloi komunistët me emër tjetër në PPSH, dhe si sekretar i parë drejtonte gjithë jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit. I kishte bërë ‘kaps’ si komunistët ashtu dhe tërë shqiptarët për 45 vite me radhë Enveri.

Madje e mbylli tërë vendin për vite e vite deri më 1990, duke e rrethuar me tela me gjëmba, duke vendosur klonin në kufi, duke mos lënë as zogun të hyjë apo të dalë jashtë vendit pa lejen e tij. Dalje që ishin shumë të pakta. Enveri shpalli tradhëtarë të gjithë ata që e kundërshtonin, madje dhe bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Madje i shpalli agjentë, poliagjentë që punonin për shërbimet e huaja, ngriti një shtet policor dhe e vendosi fatin e pushtetit të tij në duart e Sigurimit të Shtetit, ndërsa fatin e shqiptarëve e vendosi dhunshëm nën ‘thundrën’ po të Sigurimit të Shtetit.

Njëlloj por pa viktima prej vërteti, dhe Ilir Meta po vepron përmes “Rithemelimit” në Partinë e Lirisë. Shpalli ‘tradhëtarë’ të gjithë ata që mendonin ndryshe nga ai, disa i deyroi që ta japin dorëheqjen, numri dy i partisë deklaroi publikisht se ishte kërcënuar dhe familja e tij, disa i mënjanoi dhe për të tjerët ka përgatitur ‘darkën e fundit’ më 27 prill, në Kuvendin e partisë së tij për t’i larguar me apo pa ceremoni përmes “votës”.

Të gjithë ata që e kundërshtuan i cilësoi spiunë të SHISH, SPAK, Ramës dhe gjithkujt që e cilëson kundërshtar, duke i akuzuar se kanë komplotuar kundër tij. Pra njëlloj si Enveri, i cili atë që nuk e donte më afër e shpallte armik, sabotator, agjent të amerikanëve, izraelitëve, sovjetikëve dhe tërë botës, duke e dërguar para togës së pushkatimit, apo më e lehta në burg dhe internime si familje, si fis dhe më gjërë.

Për fat Meta ka në dorë vetëm ‘pushkatimin’ politik të kundërshtarëve të tij, ndërkohë që akuzat i ka pa asnjë ndryshim njëlloj si në kohën e Enverit. Dhe këtu nuk ka kursyer as bashkëshorten e tij, ish kryetaren e FRESSH dhe njëherësh ish kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.

Nuk po hyjmë shumë në gjuhën përçartur që përdor për të sulmuar gruan e tij, e cila deklaroi se i ka marrëdhëniet jo vetëm politike të ndara, por dhe ato bashkëshortore të ngrira. Pasi Meta para disa muajsh është zhvendosur nga familja, dhe i vetëm jeton me qira në një nga resortet më luksoze të Tiranës. E paguan me rrogën si kryetar i PL dhe kursimet e rrogës së shumë viteve në qeverisje ose në opozitë. I dalin paratë e rrogës Metës dhe për këto, ndërsa ne vdekatarëve na i ‘flijohen’ pa dalë nga xhepi ato të shkreta para, s’na dalin për asgjë.

Gjuha e përdorur nga Meta ndaj bashkëshortes Monika është e padenjë dhe e pashpjegueshme, e përdorur për të justifikuar shpalljen e saj ‘tradhëtare’ dhe të papërshtatshme për të qënë në strukturat dhe forumet drejtuese të PL, për shkak të nepotizmit. Eshtë një ‘kancer’ që sipas Metës rrënon demokracinë dhe e ka kuptuar këtë gabim vetëm pas 30 viteve ku nuk kanë lënë post pa i pasuar njëri tjetrit burrë e grua.

E kuptojmë se Meta është në hall pasi janë në SPAK disa dosje në ngarkim të tij për korrupsion që janë kopsitur ose janë në kopsitje e sipër, ku afrimi i kohës së përballjes me drejtësinë ia ka ngritur tensionin, aq sa herë herë nuk e di çfarë flet. Por që të arrijë deri në këtë shkallë së të bëjë ‘haram’ gruan për punë partie, është fundi i kiametit që askush nuk e kishte imagjinuar. E kanë kapur aq shumë paranojat, sa në çdo hap me sa duket sheh ndonjë derë burgu, uniforma që i kërkojnë të zgjasë duart, pranga që tringëllijnë, agjentë shërbimi sekret, prokuror të SPAK.

Ajo që s’kuptojmë është një pikë e platformës së Metës që e ka dhe në bazën e “Rithemelimit” të partisë së Lirisë dhe të strategjisë së tij elektorale, është pika që flet për shtimin e popullsisë dhe arritjen në ‘4 milionë shqiptarë të vërtetë deri më 2044”. Dhe i do ‘shqiptarë të vërtetë” madje, kuptohet sipas shijeve të tij, pasi për momentin pjesa më e madhe ose janë ithtarë të Ramës ose spiunë të Ramës.

Themi se nuk e kuptojmë, pasi shtimi i popullsisë veç të tjerave është dhe proces biologjik, dhe nga ato emra që pamë që do të përbëjnë  ‘bërthamën’ e rithemelimit të PL, si të kaluar në moshë na u dukën pjesa më e madhe. Lidershipi themi, ata që ngjallin besim për këtë nismë të madhe për shtimin e popullsisë. Shtuar këtu dhe faktin se marrëdhëniet bashkëshortore të Metës me Monikën janë të ngrira. Ndonëse mund të qetësohet situata, por për momentin ku gjendet PL nuk egziston si opsion fort pozitiv që të shkojë në favor të shtimit të popullsisë.

Gjithsesi, gjithçka ia lëmë kohës, pasi 27 prilli është afër, madje dhe zgjedhjet e vitit 2025 ku opozita, përfshirë dhe Metën brenda me gjithë PL e “Rithemeluar” e kanë të sigurtë humbjen.

Por ajo që kemi vënë re gjatë tërë këtyre ditëve të ‘stërvitjeve’ të Metës sa në male, sa në pemë, sa në platforma televizive dhe palestër, sa nëpër sudiot televizive ku ushtron ‘sportin’ e preferuar sulmin dhe kërcënimin ndaj SPAK dhe veçanërisht ndaj kreut të këtij institucioni hetimi, Altin Dumani, është përshëndetja me dorë nga ekrani dhe ngado e “legjendës së gjallë Sali Berisha”

Madje këto ditë nuk mungoi të deklaronte se do të shkonte dhe poshtë ballkonit të tij për të protestuar që të “Lirohet Doktori”, arrestin shtëpiak të të të cilit e ka cilësuar si goditje politike nga ‘regjimi i Ramës”. Megjithëse s’ka shkuar asnjëherë poshtë ballkonit të Berishës, përsëritja herë pas here e përshëndetjes për të, në çdo dalje publike dhe premtimi për të shkuar së më parë pikërisht tani, i kalon caqet e bashkëpunimit dhe hyn në ‘sektorin e joshjes”.

Themi se Meta po përpiqet të “joshë” Berishën, për shkak se deri më tani lideri i Rithemelimit ka heshtur ndaj të gjitha lëvizjeve më të fundit të kreut të PL. Madje nuk ka qënë fare solidar as me sulmet që Meta i ka bërë Dumanit dhe SPAK, një ‘sport’ i preferuar ky dhe i ushtruar ditë përditë në majë të ballkonit dhe nga Berisha.

Lideri i Rithemelimit i gjendur nën arrest shtëpiak ka heshtur ndaj të gjitha deklaratave të Metës, ndaj të gjitha lëvizjeve të kreut të PL si në parti ashtu dhe përballë drejtësisë. Ndonëse për të tjerat dhe është në të drejtën e vet të heshtë, të paktën në sulmet ndaj Dumanit dhe SPAK Berisha duhej të ishte solidar me Metën. Dhe deri më tani do kishte ‘shkrepur’ ndonjë deklaratë mbështetjeje për Ilir Metën në sulmet e tij ndaj Altin Dumanit. Por nuk është ndjerë fare. Pavarësisht se Berisha ashtu si dhe Meta, familjarisht madje, kanë të njejtin hall, janë nën akuzat e SPAK për korrupsion. Madje kanë dosje që kanë të dy emrin si të përfshirë sipas akuzave dhe rasti i aferës CEZ-DIA është shembulli më i qartë. Por Berisha ka ruajtur heshtjen për Metën.

Po pse po hesht Berisha ndaj lëvizjeve të Metës dhe pse nuk e ka bashkuar forcat me të kundër SPAK?!

Në krye të herës, zërat nga radhët e Rithemelimit por dhe të Partisë së Lirisë thonë se Berisha nuk ia fal mungesën në mitingjet e përnatshme poshtë ballkonit të tij tek rrugica, të cilat kanë filluar që nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar kur me vendim gjykate u mbyll nën arrest shtëpiak. Berisha e ka inatin me faktin se pse për gati pesë muaj, Meta nuk e gjeti ‘adresën’ e tij në rrugën “Mustafa Matohiti’ në Tiranë ku është mbyllur në arrest shtëpiak për korrupsion pasiv dhe për mosbatim të vendimit të gjykatave për detyrimin e paraqitjes.

Jo pak herë Berisha ka shfryrë ndaj Metës duke u shprehur se “ai mendon se do shpëtojë nga akuzat duke u distancuar nga unë dhe duke qëndruar në heshtje?”. Kështu e përligjin heshtjen e Berishës të gjithë ata që janë afër tij, heshtje kjo në lidhje me veprimet e fundit të Metës.

Arsyeja e dytë e heshtjes së Berishës për Metën ka të bëjë me trashëgiminë e lidershipit të opozitës. Jo pak herë, të paktën që nga 2 marsi i para 4 viteve kur ishte President, Ilir Meta ka deklaruar se do të marrë në dorë drejtimin e opozitës për të rrëzuar Ramën dhe për ta sjellë në pushtet.  Që nga ajo kohë kanë rrjedhur ‘shumë ujra’. PD është ndarë në dy pjesë, Rithemelimi s’ka vulë, ndërsa Berisha është nën arrest shtëpiak. Në akuzën e korrupsionit pasiv.

Por këtu ka ndryshuar një element tepër bazik. Personi që po merret me punët e Rithemelimit të drejtuar nga Berisha është as më pak dhe as më shumë por vetë vajza e tij, Argita Berisha Malltezi. Përzgjedhja indirekt nga Berisha i vajzës Argita si pasuese të tij në krye të Rithemelimit ia ka prishur ‘skemën’ Metës, në ambicien për marrjen e drejtimit të pjesës më të madhe të opozitës. Pasi ka premtuar se do të ‘thyejë” dhe Lulzim Bashën në një koalicion të paktën paszgjedhor me të.

Involvimi i Argitës në krye të Rithemelimit si dhe ardhja e Bardhit, që bën dyshin pasues në krye të këtij grupimi politik, e nxjerr Metën të tretin në listën e pretenduesve për të marrë lidershipin e grupimit më të madh opozitar Rithemelim-PL. Pikërisht ky zhvillim ka sjellë dhe heshtjen dhe distancimin e Metës deri para disa ditëve.

Tani që SPAK e ka ngushtuar ‘lakun’ dhe për Metën dhe po kopsit dosjet në ngarkim të tij, sipas zërave tek Rithemelimi, Meta u kujtua të përshëndesë ‘legjendën Berisha’, madje premtojë se do të shkojë sa më parë dhe në mitingjet e përnatshme poshtë ballkonit të tij.  Duke e ‘joshur’ në këtë mënyrë, por deri më tani pa dobi.

Arsyeja e dytë që i ka vënë vulën për momentin distancimit të Berishës, që ka lidhje dhe me arsyen e parë, është procesi i “Rithemelimit” që ka ndërmarrë Meta tek Partia e Lirisë në emër të luftës kundër nepotizmit. Dhe i ka prerë ‘kokën’ që në fillim bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, gjasat për të cilën janë që të mbetet jashtës strukturave drejtuese të kësaj partie pas 27 prillit.

Këtë lëvizje kundër ‘nepotizmit’ në parti, një lëvizje pas 30 vitesh funksionimi me kapacitet më së të plotë tek të gjitha ato forume dhe parti që kanë drejtuar me ‘rokadë’ Meta e Kryemadhi, Berisha i ka marrë si një ‘thumbim’ për idenë e tij që vajza Argita Berisha Malltezi të jetë pasuese në krye të Rithemelimit. E ka marrë si mesazh nga Meta që të mos lejojë ‘nepotizmin’ tek Rithemilimi, pasi ai largoi deri në ngrirje të marrdhënieve bashkëshortore gruan e tij Monika Kryemadhi. Pra t’ia lërë rrugën të ‘hapur’ Metës për të marrë në dorë tërë opozitën.

Berisha sipas zërave brenda Rithemelimit e ka kapur keq këtë mesazh, dhe ai tek fëmijët nuk duron. I bënë gjëmën në 8 vite qeverisje ata, dhe nuk bëri zë, jo të dëgjojë Metën dhe të luftojë “nepotizmin’ brenda Rithemelimit, Berisha as që e çon nëpër mend. Ndaj ka heshtur ndaj deklaratave, veprimeve aspak dinjitoze, dhe lëvizjeve të Metës sëpaku deri më tani.

Gjithsesi duhet të shohim sinjalet dhe veprimet e mëtejshme të Metës në drejtim të Berishës, në raport dhe me kohën e kopsitjes së dosjeve për korrupsion që ka në kurriz, që pritet të përshpejtohen. Njëherësh do shohim dhe qëndrimin e Berishës. Dhe ky në raport me vendimin e Apelit për ‘pronësinë’ e vulës dhe të logos së PD.

Nëse e merr Basha vulën zyrtarisht, atëherë Berisha do afrohet me Metën, por me ‘sinorë’ të vënë përsa i përket ‘nepotizmit’, fushatë kundër të cilit sa të jetë Argita aty nuk ka vend në grupimin e tij Rithemelimi. I duhet Meta për të përdorur siglën e PL për të hyrë në zgjedhje, siç ka bërë deri më tani. Nëse Berisha merr në Apel vulën e PD, megjithëse pak gjasa ka, atëherë e luan ‘melodinë’ ndryshe. Dhe Meta mbetet në qiell të hapur. Ndërsa Berisha mban Rithemelimin familjarisht nën hyqëm, pa u shqetësuar. /JAVA/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Një tornado i fuqishëm ‘rrafshon’ qytetin në SHBA, ja bilanci i dëmeve

VIDEO/ Një tornado i fuqishëm ‘rrafshon’ qytetin në SHBA, ja bilanci i dëmeve