Plazhi i fukarenjve

Plazhi i fukarenjve

Foto ilustruese

Drejt Gjirit të Lalzit ikin si të tërbuara makinat e fuqishme, të shpejta, të shtrenjta, të zengjinëve Mjetet e transportit të fukarenjve; autobuzat, furgonat, biçikletat, nuk duken gjëkundi. Kur i afrohesh pishave të Gjirit të Lalzit në atë kthesën e gjithnjohur ku po t'ja mbash nga e majta arrin tek parellinjtë e vilave luksoze, po t'ja therësh nga e djathta shkon te fukarenjtë që s'paguajnë dot korentin dhe ujin, që s'kanë bukë të hanë, vëren se mes makinave që ikin nga e majta e pasunarëve dhe makinave që që ikin nga e djathta e fukarenjve nuk ka asnjë dallim.

Me të hyrë tek plazhi i fukarenjve, nga të dy anët dy parkingje të stërmëdhenj ku mërzejnë nënë hije me qindra Mazda, Mitsubisha, Toyota, Benza. Kaq shumë makina të shtrenjta sa në plazhin e fukarenjve të Tiranës nuk i gjen dot në 10 shkupa, 20 Prishtina, 100 Ulqina. Pak më tutje, të tjerë parkingje edhe më të mëdhenj, me makina të shtrenjta të panumurta.

Aty, të kap dyshimi mos vallë parellinjtë me fukarenjtë kanë ndërruar vendet, zonat, plazhet, makinat ?! Vrap te kthesa nga e majta. Jo, aspak. Në plazhin e parellinjve po ato vila të heshtura si kështjella ku natën dalin fantazma, po ato lokale të shtrenjta pothuajse bosh brenda, po ato makina si te plazhi i fukarenjve. Plazhi i fukarenjve tek Gjiri i Lalzit është një Kaliforni harkore plot me çadra, peshqira, fukarenj barkderra, fukaresha si ngjala, misra të pjekur, sende plazhi, varka me qera, diku, pak si mënjanë, një jaht.

Një restorant goxha i mirë, i pastër dhe i rregullt, qënka "gjatë gjithë vitit hapur". Sa duket, në plazhin e fukarenjve, fukarenjtë ardhkan edhe në dimër.
Një tjetër lokal i ngjajshëm të paralajmëron "ju lutemi mos fusni makinat brenda". Ku brenda? Brenda në lokal? Një piktor bohem po u vizaton mbi qafë disa fukareshave adoleshente nga një çelës solfezhi.
Dy djem dhe një vajzë janë përkulur mbi një smartphone kokë më kokë si mbi grykën e një pusi për të parë një kovë që sapo j'u këput litari.

-Çfarë po bëni ?
-Po kërkojmë më Google Earth Fortesën e Skënderbeut tek Kepi i Rodonit.
-S'keni turp që po kërkoni në Internet fortesën magjepsëse që ndodhet matanë kodrës ?
A je fukara ? pyeta disa fukarenj. Njëri desh ma rrasi me grusht. Tjetri vuri dorën në brez ku mbante një kobure. Një tjetër bëri një xhest neverie dhe më ktheu kurrizin. Një zonjë e moshuar elegante, e mbajtur, sa dëgjoi fjalën "fukara", u zverdh në fytyrë nga ofendimi që i bëra.

S'pashë asnjë që të kishte marrë "Bukë me vete" si në kohën e kurvit.
10 deri në 20 dollarë pjata me 400 gram peshk të skuqur. Ku i gjejnë fukarenjtë gjithë këto pare ?
Femrat fukaresha janë më të bukura se femrat parellesha.
Ja tre fukaresha si statuja antike.
-E di me çfarë më ngjan ti ? i them njërës.
-Aman ma thuaj, se vdes ta di.
-Me Skraparin.
-Pse me Skaraparin, dhe jo me Laçin që e kam qef më tepër ?!
-Sepse aq male, kodra, hone, gremina, lumenj, përrenj, sa ke ti vetëm Skrapari ka.
-Ta fal Tomorrin bashkë me Gurin e Miçanit dhe Gjerbësin po më the si të duket kjo mikesha ime, kjo e bëshmja.
-Si Mallakastra.

-Ua, po pse si Mallakastra dhe jo si Puka ? ma pret e bëshmja.
-Sepse trafikun drejt jugut Mallastrës po ta merr autostrada që kalon nga Levani.
E mbajtur, pak e thyer në moshë, hidhet e treta;
-A mund të ma thuash troç si të dukem unë, ë ?
-Si Dumreja. Me liqere si në përralla, kodra të buta, por pa pyje, se pyjet që i preu kurvi nga frika mos fshiheshin diversanta.
-Po ti, a e di si na dukesh ti ne ? s'duroi Dumreja.
-Nuk dua ta di.

Largohem nga fukareshat e bukura.
Në një Golf 4 dikush ka rras e plas brenda të gjithë katundin; Veten, nënën, babën, nusen, tre fëmijët, për t'i prurë të nxihen në plazhin e fukarenjve. E fiksoj këtë pamje madhështore nën vështrimin kërcënues të një surratspiuni sipas të cilit në plazh nuk shkojnë kurrë fukarenjtë por vetëm borgjezia.
Pak si mënjanë, gjithmonë në plazhin e fukarenjve, dy jahte të tjerë.
Diku dikush shet mbi tezgë; "Rrush i freskët vendi për tavolinë".

Dy djem po shoqërojnë një lopë për ta ndërzyer me një dem. Lopa dhe lopi do bëjnë qef. Pronari i demit do marri 10 dollarë.
Një 76 vjeçar po kthehet nga ara i lodhur dhe i lumtur. Ka vajtur që pa gdhirë për të korrur. Mban në sup, në krahë dhe në duar, katër armë të ftohta; Kosore, cfurk, sëpatë, sqepar.
Te plazhi i fukarenjve s'pashë fukarenj. Shqipëria fukarenj ka. Fukarenjtë diku janë. Gazetat dhe televizionet nuk ja fusin kot. Këtë herë nuk i gjeta dot. Kërkimet do t'i vazhdoj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Highlanderi: 04/09/2018 17:51

    Thjesht bukur

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë