Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me mosdekretimin prej tij të Gent Cakajt për ministër të Jashtëm (Lexo këtu), pas reagimit të kryeministrit Edi Rama. Me tone të ashpra Meta shkruan në rrjetet sociale se ai që kërcënoi Dritan Zaganin, komisarin e Fushë Krujës, kërcënon çdo ditë gazetarët, opozitarët dhe dëshmitarët, njeriu që sipas tij urdhëroi falsifikimin e tenderave të "Unazës së Madhe", ka bërë gabimin fatal, shton Meta, duke kërcënuar edhe Presidentin e Republikës. Kreu i shtetit i referohet deklaratave të Ramës pas refuzimit të dekretit nga Meta i cili i vlerësoi si skandaloze argumentet e presidentit dhe refuzimin e ministrit të ri si veprim antikushtetues (Lexo këtu). 

Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ilir Meta, president

Kreu i shtetit thekson se nuk ka fuqi në botë që i bën presion dhe shantazhon Presidentin. Duke këmbëngulur se kthimi prej tij i propozimit të Cakajt ka qenë vendimi i duhur, Meta shton se as Gjykata Kushtetuese nuk do e ndalonte presidentin të ushtronte kompetencat që i ngarkon Kushtetuta. 

"Nuk ka fuqi në botë t'i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!", thekson Meta.  

Pas këtij reagimi të presidentit Meta nuk ka vonuar përgjigjia e kryeministrit Edi Rama edhe pse përmes ironisë kur thekson se kreu i shtetit nuk duhet të merret seriozisht pas asaj që ka shkruar në rrjetet sociale, ose sipas tij, do i ketë vjedhur passwordin kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte e tij. Rama thekson se i ka çuar Metës provat e mëkatit ndaj Gent Cakajt për kthimin e padrejtë të dekretit dhe prandaj reagoi sot me tone të forta (Lexo këtu).   

"Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj eshte ne ate fazen kur i ben thirrje popullit per te marre armet, ngaqe s'di si te dale nga gropa qe i hap vetes! I çova provat e mekatit ndaj Gentit dhe vuan tani", tha Rama. 

Një ditë më parë, presidenti Ilir Meta njoftoi se ka refuzuar emërimin e Gent Cakaj në postin e ministrit të Jashtëm, i propozuar nga kryeministri Edi Rama në kuadër të ndryshimeve të thella në qeveri të ndërmarra në fund të dhjetorit, me largimin e më shumë se gjysmës së anëtarëve të kabinetit të tij.

Në një përgjigje të gjatë kthyer kryeministrit, presidenti Meta shprehet se “profili i zotit Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”. 

Në një prononcim për Report Tv, redaktori i Insajder Eraldin Fazliu tha se Cakaj nuk ishte i njohur në Kosovë derisa kur u aktivizua në politikën në Shqipëri, ndërsa drejtori i po të njëjtës media Parim Olluri u shpreh se Meta nuk kishte arsye të refuzonte Cakajn por e bën vetëm për të rritur pazarin tek Rama. (LEXO KËTU) 

Gjatë një konference për shtyp, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zgjedhur të mos e komentojë çështjen e mosdekretimit të Cakajt duke u shprehur se ka shumë mik presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën. (LEXO KËTU)

Lidhur me pajisjen me certifikatë sigurie të ministrit të propozuar të Jashtëm, Gent Cakaj ka reaguar edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri. (LEXO KËTU)

LSI dhe PD mbështesin kërkesën e Metës për hetimin e DSIK-së. Dy partitë opozitare i kanë kërkuar Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor për certifikatën e sigurisë së Gent Cakajt. (SHIKO KËTU)