POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Studentët e mirë, trajnim dhe punësim jashtë vendit, Forschner jep kontrata pune në fushën e inxhinierisë

Tre studentë të inxhinierisë ekonomike në fakultetin e Politeknikut u vlerësuan me çmime nga kompania gjermane Forschner duke përfituar kështu kontratë pune dhe perspektivë të mirë për të punuar në kompani ndërkombëtare në fushën e sistemit të kabllove, prodhimit të pjesëve metalike, sistemeve elektoromekanike etj.

Nëpërmjet aplikimit dhe meritës së tyre studentët u bënë pjesë e trajnimit i cili zgjati 6 muaj duke përfituar mundësi punësimi në filialet e kompanisë brenda vendit, por edhe jashtë saj.

Sipas studentëve, kjo është një mundësi e mirë për të fituar eksperiencë, e cila nuk ofrohet nga ana kompanive të tjera në Shqipëri.

Teoria nga ajo çfarë mësuam në shkollë nga bankat me çfarë po shohim në realitet është shumë ndryshe. Është eksperiencë shumë e mirë se jo çdo kompani e ofron këtë.

Erik Duro, Student

Është një eksperiencë shumë e mirë dhe shumë e frytshme për studentët si puna jonë sepse shumë pak kompani ofrojnë intership si kjo.

Eleni Cibuku, Studente

Unë e kam nisur që në mars të këtij viti dhe kam arritur të kuptoj se si funksionojnë gjërat në një kompani prodhimi sepse fundja kemi përfunduar inxhinieri ekonomike dhe Forschner na është përshtatur më së miri për të vënë në praktikë ato çfarë kemi mësuar.

Ina Mucalla, Studente

Për drejtorin e kompanisë, Christof Langosi kjo është një mundësi shumë e mirë për studentët shqiptarë, pasi kompania është duke u zgjeruar dhe ka shumë nevojë për njerëz të kualifikuar.

Ne jemi duke investuar në Shqipëri dhe jemi rritur shumë shpejt në dy vite. Po rrisim shumë numrin e punonjësëve, nga 600 mendoj se do të shkojmë në 1000 punëtorë, kështu që na duhen më shumë njerëz, më shumë njerëz profesionistë për punët që kemi ne atje.

Christof Langosi, Drejtori i Forschner

Dekani i fakultetit të inxhinierisë mekanike, Jorgaq Kaçani u shpreh se në vend mungojnë praktikat mësimore dhe të tilla bashkëpunime janë të frytshme për studentët.

Praktika mësimore është një nga mangësitë që kemi në edukim. Shumë e rëndësishme në fushën inxhinierike është marrja e shprehive praktike tek studentët, në mënyrë që ata nesër pasnesër kur dalin në jetë të jenë të aftë jo vetëm teorikisht por edhe praktikisht për të realizuar të gjitha kërkesat dhe detyrimet që kanë si inxhinierë.

Jorgaq Kaçani, Dekani i fakultetit të inxhinierisë mekanike

Tre studentët e vlerësuar me çmime kanë tashmë një kontratë pune në Forschner. Kështu studentët e politeknikut nëpërmjet një trajnimi gjashtë mujor kanë edhe mbështetje për punën e tyre, duke përfituar kontratë. Për disa të diplomuar të fakultetit të mekanikës ofrohet praktikë afatgjatë në uzinën e re në Republikën Ceke.

ke.mu./al.sp.
Komento