Sulmi me armë, gazetarja me familjen merren në mbrojtje, autori dyshohet se ishte i vetëm

Sulmi me armë, gazetarja me familjen merren në mbrojtje, autori dyshohet se ishte i vetëm

Me rreth të kuq shenjat e plumbave në banesën e prindërve dhe gazetarja Klodiana Lala

Një ngjarje e pazakontë ndodhi mëngjesin e djeshëm në fshatin Domje të Tiranës, aty ku prej vitesh jeton familja e gazetares së kronikës së zezë, Klodiana Lala. Banesa e prindërve të saj, përjetoi momente terrori, pasi rreth orës 03:00 të mesnatës persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi, banesën e familjes së gazetares Lala. Qëllimi i kriminelëve ka qënë të jepte një mesazh të fortë gazetares, duke nënkuptuar se të godasim familjen, nëse na përmend emrin në kronikat televizive. Kjo e fundit kishte vetëm disa orë që ishte larguar nga shtëpia e prindërve, ku së bashku me bashkëshortin e saj kanë udhëtuar në drejtim të Tiranës, aty ku jetojnë së bashku. Dy vajzat e saj të mitura, i ka lënë në banesën e prindërve, nën shoqërinë e 6 personave të tjerë, si dy gjyshërit, motrës, vëllait dhe dy krushqve,që kishin mbërritur për vizitë nga Italia.

Personat të panjohur duket se janë siguruar gjatë ditës që banesa që kishin planifikuar të mitralonin i përkiste familjes së gazetares Lala. Duket se për të vënë në jetë planin e tyre kriminal, personat kishin zgjedhur natën, atëherë kur të gjithë pjesëtarët e familjes të ishin në gjumë. Në mesnatë vonë, mendohet se një person i vetëm ka qëlluar me kallashnikov mbi banesën e prindërve të gazetares Lala, duke lëshuar rreth 10 plumba, në muret, dyert e dritaret e banesës. Fërshëllimi i plumbave, ka terrorizuar të gjithë anëtarët që ndodheshin në banesë. Fatmirësisht breshëria e automatikut nuk ka sjellë asnjë dëm në njerëz, vetëm dëme materiale. Besohet se autori i krimit është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes për të mos u identifikuar ende dhe sot. Pak ditë më parë gazetarja Lala ka botuar në një kronikë televizive një bisedë të përgjuar mes deputetit të PS Jurgys Çyrbja me një person me precedentë penalë.

Ministri Xhafa i ka siguruar mbrojtjen gazetares dhe familjes sw saj
Teksa e kanë parë veten përballë plumbave të automatikut, familjarët kanë njoftuar Klodiana Lalën, duke i pohuar se çfarë kishte ndodhur. Gjëja e parë që ka bërë familja pasi banesa është qëlluar me armë është shpërngulja e pjesëtarëve të familjes për tek xhaxhai, dhe më pas njoftimi i policisë. Efektivë të komisariatit nr.5 në Tiranë, kanë shkuar me shpejtësi të madhe në vendgjarje, ndërkohë interes të veçantë ka treguar dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa dhe Prokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj. Kjo e fundit ka angazhuar një prokuror ku së bashku me disa nga oficerët e policisë po koordinojnë veprimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë.

Mësohet se ministri Xhafa i ka siguruar mbrojtjen familjes së gazetares dhe vetë asaj, ndërkohë ka premtuar se ngjarja do zbardhet. E kontaktuar në telefon nga “Shqiptarja.com” gazetarja Lala tha se:”…e gjitha ka ndodhur për shkak të detyrës time si gazetare. Unë nuk kam asnjë konflikt familjar dhe asnjë konflikt personal dhe këtë e them me bindje. Sulmi ndaj familjes time, lidhet vetëm me profesionin që unë kam…”. Në mbështetje të Klodiana Lalës janë vendosur të gjithë. Solidaritet me të kanë shprehur kolegë gazetarë, politikanë, aktivistë të shoqërisë civile, etj. Ndërkohë dje në orën 19:00 përballë kryeministrisë është thirrur, përmes rrjeteve sociale, një tubim në shenjë solidariteti me gazetaren Lala.

Situata pas sulmit
Sulmi me automatik mbi banesën e gazetares Lala, ka sjellë një situatë jo të këndshme dhe ankthi mes familjarëve. Gjatë ditës së djeshme, më të shqetësuar kanë qënë prindërit e gazetares, bashkëshorti dhe vllai i saj, të cilët e kanë përjetuar shumë këtë sulm me armë. E qetë nuk ka qënë dhe Klodiana Lala, e cila është tronditur edhe për shkak se në banesë kanë qënë dy vajzat e saj të mitura.

Hetimet e policisë
Policia dhe prokuroria e Tiranës janë mobilizuar maksimalisht për të identifikuan autorin e këtij krimi të rëndë.Përgjatë gjithë ditës së djeshme, policia e Tiranës ka marë dëshminë e të gjithë pjesëtarëve të familjes, përfshirë dhe Klodiana Lala. Ndërkohë një grup oficerësh kanë kryer një sërë veprimesh hetimore në banesën e prindërve të Klodiana Lalës,ku janë fiksuar një sërë provash materiale. Hetimet janë përqëndruar në pistën se krimi ka ndodhur për shkak të detyrës së gazetares, dhe për këtë po shikohen disa persona që mund të kenë lidhje.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

‘Kopjon Luizin dhe Kiarën’, Sara Gjordeni e revoltuar pas akuzave: Gjëja më bajat, na keni lodh

‘Kopjon Luizin dhe Kiarën’, Sara Gjordeni e revoltuar pas akuzave: Gjëja më bajat, na keni lodh