POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Të gatuajmë me Zonjën Vjollca/Sallatë me pulë e perime dhe Makarona me speca e salcë

Receta e parë : Sallatë me pulë dhe perime

Përberësit:

400 gr fileto pule

300 gr karrotë

300 gr patate

300 gr kunguj jeshil

Lëng limoni

3 lugë gjelle uthull të bardhë

4 degë majdanoz

Vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

Përgatitja :

Fillimisht lajmë fileton e pulës dhe e vendosim atë në një tenxhere me ujë të bollshëm . vendosim brenda në të 2 degë majdanoz ose kokrra piperi të zi (5 copë), kripë dhe e vendosim në zjarr për të zier nga momenti i vlimit për 20 minuta.

Vendosim një tenxhere tjetër me ujë pët të valuar. Ndërkohë lajmë, pastrojmë ( qërojmë perimet) dhe i presim në shkopinj me gjatësi 4 cm dhe trashësi  3 mm

Në tenxhere me ujë të valuar shtojmë kripë, uthull, karrotë dhe i lëmë të zijenë për 2 – 3 minuta. Pas 2 minutave shtojmë kungujt dhe i lëmë të ziejnë 3 minuta. Më pas i kullojmë dhe i vendosim në një enë të thellë.

Largojmë filetot e pulës , i presim dhe ato në shirita dhe i vendosim në enën ku janë perimet e ziera. I rregullojmë me kripë, piper, vaj ulliri, majdanoz të grirë hollë, lëng limoni dhe e trazojmë mirë. Më pas e shërbejmë në porcione duke e spërkatur përsëri me pak piper të zi dhe vaj ulliri.

Receta e dytë : Makarona me speca dhe salcë

Përbërësit :

250 gr pure domate

320 gr makarona

1 lugë gjelle sheqer kaf

Borzilok (6 – 7 gjethe )

Vaj ulliri

1 kokërr qepë ( në fije )

3 açuge

1 spec i verdhë

1 spec i kuq

Kripë + piper

Përgatitja : 

Fillimisht vendosim një tenxhere me ujë të bollshëm për të zier makaronat. Në një tigan të thellë vendosim vaj ulliri , qepën e grirë në rrathë . E kaurdisim atë duke shtuar  edhe açuget. Vazhdojmë të kaurdisim së bashku duke shtuar pak fare ujë për të ndihmuar qepën të zbutet.

Ndërkohë specat e larë i pastrojmë nga bishtat, farat dhe fijet e brendshme. Pasi i presim fillojmë dhe bëjmë prerje në formën e shkopinjve. Kështu veprojmë për të dy specat.

Ndërkohë qepa është zbutur dhe shtojmë specat në të. I kaurdisim së bashku me kripë dhe piper të zi.

Shtojmë makarona e kripë për të zier për 10 minuta. Vazhdojmë të kaurdisim specat për 3-4 minuta. Shtojmë purenë e domates , pak sheqer kaf , borzilok dhe pak ujë nga lëngu i makaronavë dhe e lëmë salcën të ziejë.

Shtojmë makaronat e kulluara në salcë, i trazojmë duke i lënë 1 minutë në tigan dhe më pas i shërbejmë menjëherë.

Ju bëftë mirë!

a.ko./b.ha.
Komento