POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Durrës, vdes foshnja 4 ditë pas lindjes, familjarët akuzojnë mjekët. Reagon Spitali: Lindi me sëmundje të rrallë

Spitali i Durrësit

DURRES - Një foshnjë ka ndërruar jetë në Spitalin e Durrësit vetëm katër ditë pasi kishte ardhur në jetë. Nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e vdekjes së foshnjës ndërsa mësohet se prindërit e tij kanë bërë kallëzim në Policinë e Durrësit me arsyen e moskujdesit nga ana e mjekëve të Spitalit Rajonal. Foshnja ka lindur në datën 7 shtator, ndërsa ka humbur jetën katër ditë më pas.  

Më datë 11.09.2018, ka bërë kallëzim shtetasi B.G. 43 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 07.09.2018, bashkëshortja e tij, shtetësia V.G., 35 vjeçe, ka lindur në Maternitetin e Spitalit Durrës dhe pas 4 ditësh fëmija ka ndërruar jetë ku dyshon se mjekët me mosveprime të tyre i kanë shkaktuar vdekjen foshnjës së porsalindur. Neni 96 i Kodit Penal

Njoftimi i Policisë së Durrësit

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Spitali i Durrësit ku thuhet se foshnja humbi jetën për shkak se lindi me anomali të rrallë e cila i shkaktonte thyerjen e kockave. Trajtimi nga mjekët, thuhet në reagim, ka qenë maksimal, ndërsa shton se anomalia te foshnja është konstatuar që në momentin e lindjes. 

Duke shprehur ngushëllimet familjarëve për humbjen e fëmijës së tyre, drejtoria e spitalit rajonal të Durrësit sqaron opinionin publik, në lidhje me lajmin e publikuar në media për “mosveprim të mjekëve në rastin e humbjes së jetës së një foshnje të porsalindur” si vijon: Pacientja V.G. u paraqit në spital më datë 07.09.2018 në orën 08.00, gravidance 39 javë, paraqitje podalike dhe menjëherë u krye ndërhyrja sectio caesarea segmentare. Pacientja është asistuar me profesionalizëm gjatë lindjes dhe foshnja u reanimua në sallën e operacionit dhe më pas në repartin e terapisë intensive, në mënyrë kosultative.

Sipas mjekut operator, ekstraksioni i fetusit paraqiti vështirësi dhe u vu re gjatë lindjes frakturë femorale dhe humerale, vërtetuar dhe me grafi. Stafi mjekësor ka dhënë trajtimin maksimal, në konsultë me ortopedët dhe shërbimin terciar, por fatkeqësisht fëmija ka qenë në gjendje të rëndë dhe nuk ka arritur të mbijetojë, duke ndërruar jetë më datë 11.09.2018. Sipas mjekëve, foshnja dyshohet të ketë patur një sëmundje të rrallë gjenetike, anomali skeletike kongenitale, që mund të vlerësohet nga autopsia. Aktualisht është kryer autopsia dhe priten rezultatet e ekspertizës mjeko-logjore për shkakun e vdekjes së foshnjes.

Reagimi i Spitalit të Durrësit

Ora 19:31
Vdekja e foshnjes në Durrës, flet mjekja që priti lindjen: Bëmë gjithçka, ekspertiza do nxjerrë të vërtetën

Dhurata Beshello, është mjekja e Spitalit të Durrësit e cila priti lindjen e foshnjes që humbi jetën një ditë më parë në këtë spital. Në një reagim për mediat, mjekja thotë se nga ana e saj, por edhe spitalit është bërë gjithçka për të mbajtur beben në jetë. 

Sipas saj, foshnja lindi me probleme, ndërsa nuk reagoi edhe pas reanimit të gjatë që iu bë në spital. Beshello thotë gjithashtu se në trupin e foshnjes u konstatua thyerje e kockave, duke nënkuptuar një anomali të rrallë, por megjithatë do jetë ekspertiza ajo që do saktësojë shkaqet e vdekjes së foshnjes.  

Është kontradiktore që populli na vlerëson dhe populli edhe na kundërshton apo sulm,on. Përpara katër ditësh ka lindur një fëmijë lindje me operacion. Lindi një fëmijë i lodhur, nuk qau në momentin e lindjes megjithë reanimimin e mundshëm me të gjitha mjetet që ne kemi në dispozicion, ekipi i neanotolo-gjisë, jam mjekja që prita fëmijën. Ne u përpoqëm shumë, reanimimi vazhdoi gjatë, por edhe pas gjysmë ore fëmija nuk dha asnjë shenjë. Në momentin e lindjes kikshte vetëm rrahje zemre dhe pas reanimimit duke i dhënë oksigjen, i dhamë një ngjyrë rozë. Problemet do t'i shqyrtojmë një nga një.

Gjendja vijoi e tillë edhe pse e futëm në një repart më të avancuar, ai përsëri mbeti në atë gjendje. Në ditën e tretë u hoq ky aparat, u duk sikur fëmija e toleroi lehtësisht oksigjenin dhe u vu në mënyrë tjetër, por filloi të shfaqë probleme të tjera si kontraktura si pasojë e vuajtjes së trurit ëpr shkak të oksigjenit të limituar. Me të gjitha mundësitë, jemi konsultuar edhe më mjekët e maternitetit të Gjinekologjisë së "Mbretëreshës Geraldinë" dhe rezultoi që të gjitha i ishin bërë në mënyrë të rregullt. Gjendja sa vinte dhe rëndohej.

Në ditën e katërt, në orë 8 thirrem nga personeli dhe ngjitem lart, në atë moment fëmija ndërroi jetë. Janë bërë analiza, nuk kishte hemorragji në tru. Gjatë ekzaminimit është konstatuar se fëmija kishte edhe fraktura, thyerje të kockave. Natyrisht, edhe ne nuk jemi të gabueshëm e mund të vërtetohet diccka që nuk e kemi bërë, por unë kam qenë nga fillimi e deri në fund. Të gjithë mjekët ishin në të njëjtin mendim për problemet që bebi kishte kaluar. Ne po presim të dalë ekspertiza. 

Dhurata Beshello, mjekja që priti lindjen e foshnjes në Durrës

l.q.
Komento