Pas vdekjes së shoferit të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gardistit Shkëlzen Qordja, ka ardhur dhe reagimi nga demokratët. Paraditen e sotme, ka reaguar i pari ish-kryeministri Sali Berisha, që në një status në Facebook, paraditen e sotme e quajti vdekjen e shoferit të Xhafës, një “ekzekutim mafioz”.

"Fillon qerimi i hesapeve midis familjeve mafioze te pushtetit! Ekzekutim mafioz i shoferit te familjes mafioze Xhafa. Per te vdekurit ka vetem ngushellime per familjen dhe une ngushelloj familjen e viktimes!"- shkruante Sali Berisha.

Të njëjtit version i ka qëndruar dhe Partia Demokratike.

Në një deklaratë për mediat, PD e quan ngjarjen e rëndë një vrasje mafioze, ndërsa kërkon që ministri Xhafaj të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë hetimit.

Pjesë nga deklarata e PD-së:

Sot Garda e Republikës, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme fshehën ngjarjen e rëndë të ndodhur brenda Gardes së ​Republikës. Për dijeni të publikut, vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës iu bë e njohur medias dhe publikut nga Partia Demokratike menjëherë sapo ne morëm informacionin.

Që prej fillimit, pati përpjekje për të manipuluar këtë ngjarje, nga më të rëndat që implikon drejtpërsëdrejti Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Policia private e Fatmir Xhafës po bën çdo përpjekje që ajo të duket si një vetëvrasje me 3 plumba.

Por ne jemi të bindur se ngjarja është një vrasje mafioze, ndoshta edhe më e rrezikshme sesa vrasja e shoferit të familjes së Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku në mes te bulevardit në vitin 2003.”

Reagimi i PD-së dhe Berishës ndonëse në diferencë kohore me njëri-tjetrin, i mëshojnë idesë se Qordja është vrarë. Por si Partia Demokratike edhe Berisha, në deklarimet e tyre nuk sjellin asnjë provë për këtë ngjarje.

Gardisti Shkëlzen Qordja u gjet i vdekur me plumb në kokë në garazhin e Gardës, ndërsa policia tha se dyshohet që 31-vjeçari të ketë qëlluar veten me armën e shërbimit.