POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Vettingu në politikë, kritiku i ashpër i Bashës: Ja pse sot jam me Lulin

Ish-n/kryetari i PD, Astrit Patozi

TIRANE-Ish-n/kryetari i PD, Astrit Patozi, i njohur si një nga kundërshtarët më të ashpër të Lulzim Bashës, sot përmes një statusi në Facebook ka përshëndetur idenë e tij për nisjen e vettingut edhe në politikë pas drejtësisë. Referuar propozimit të Bashës për ‘vetting në politikë’, Patozi thotë se ‘Sot jam me Lulin edhe pse më ndan gati një oqean prej tij’.

Patozi mbyll reagimin duke u shprehur se ‘Uroj shumë që Luli ta ketë seriozisht këtë nismë kurajoze. Ndryshe, do të rrezikojë shumë të marre koston e një dështimi të ri, që vjen gjithmonë nga shija e hidhur që përjeton publiku, sa herë që përfundojnë në kosh fushatat hipokrite të premtimeve të tij për gjoja një moral të ri në politikë’.

Nga Elbasani, ku opozita zhvilloi sot takimin e radhës pas Shkodrës, Basha deklaroi se PD do të shpallë një nismë kushtetuese për të bërë një Vetting në politikë. Basha tha se kërkesa e PD-së për Vetting në politikë po firmoset nga deputetët e PD-së.  PD ka një plan me 4 pika, ku përfshihet dekriminalizimi, zgjedhje të lira, ekonomi të lirë dhe një reformë në drejtësi që ka efekt.

Statusi i plote/
SOT JAM ME LULIN...

Edhe pse më ndan gati një oqean prej tij, sot unë jam me Lulin, që sa më shpejt të ketë vetting edhe për politikanet. Mund ta kishim kërkuar edhe më shpejt, atëherë, kur diskutohej reforma në drejtësi. Edhe faturën e larte te penguesit, që e morëm (me të drejtë apo pa të drejtë) mund ta kishim shmangur, por edhe Edi Ramës do t'ia kishim djegur kartat në dorë.

Sepse nuk kishte nevojë të humbnim shumë kohë që të rrisnim macet për të gjuajtur minjtë, ndërkohë që këta të fundit mund t'i mbysnim edhe me koçifoz.

Dhe le të kalonin njëkohësisht në sitë, si togat e zeza të drejtësisë, ashtu edhe të gjithë eminentët e politikës.

Por më mirë vonë kurrë, është një aksiomë që nuk e humbet kurrë vlerën nga kalimi i kohës.

Problemi është që kjo të bëhet sa më shpejt me kushtetutë dhe me ligj, sepse ndryshe i bie te jete si të gjitha hartimet patetike të partive tona, kur betohen për moral dhe pastërti.

Sepse në këtë pikë,për shembull, unë e kam të vështirë ta qortoj Edi Ramën, megjithese rezervat e tmerrshme që kam për të dhe për qeverinë e tij. Sepse ai u deklarua direkt i gatshëm për të bashkëpunuar me opozitën në funksion të kësaj ideje. Mund të ketë plot njerëz që edhe këtë përgjigje kaq të flakpërflakshme ta shpjegojnë me vijimin e marrëveshjes se vitit te shkuar, por unë nuk dua të bëj pjesë në këtë kategori.

Sipas meje, tani, të paktën formalisht kjo reformë e re, apo thellim i reformës në drejtësi, duket sikur nuk ka asnjë kudërshtar të rëndësishëm.

Është një situatë paksa komike, në fakt, pasi ngjan sikur nga vetting-u duhet të kenë frikë vetëm pensionistët dhe qytetarët e varfër, që marrin asistencë sociale, dhe jo ata qe i kanë bërë gjëmën këtij vendi.

Por le të mos dekurajohemi nga ky paradoks dhe t'i nxisim të gjitha palët që ta çojnë deri ne fund këtë projekt pozitiv.

Në radhë të parë opozitën, që i bie të ketë marrë në dorë flamurin e këtij vetëpastrimi.

Uroj shume qe Luli ta ketë seriozisht këtë nismë kurajoze. Ndryshe, do të rrezikojë shumë të marre koston e një dështimi të ri, që vjen gjithmonë nga shija e hidhur që përjeton publiku, sa herë që përfundojnë në kosh fushatat hipokrite të premtimeve të tij për gjoja një moral të ri në politikë.

 

d.ba.
Komento