Partia Demokratike ka organizuar një protestë në qytetin e Shkodrës me një grup tregtarësh të vegjël, të cilët kundërshtojnë përfshirjen në skemën e TVSH-së. Demokratët ishin informuar një ditë më parë se kryeqendrën e veriut do ta vizionte gjatë ditës së sotme edhe kryeministri Edi Rama dhe kishin mobilizuar tregtarët, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. 



Protestuesit kishin vendosur ta prisnin Ramën me vezë dhe patate, me të cilat thanë se do godisnin kryeministrin. “Këto i kemi për Edi Ramën. Kemi edhe vezë. 140 kokrra do ia rrasim në lule të ballit. E meriton, kjo nuk ishte kurrë gja”, thotë një prej protestuesve.  

Por në një reagim për mediat, Kryeministria sqaroi se Rama nuk ka pasur asnjë axhendë për të vizituar Shkodrën. "Vizita e tij e vetme këtë shtunë ka qenë ajo në qytetin ne Vlorës", thuhej në sqarimin e kryeministrisë. 

Nga ana e tij, deputeti i PD në Qarkun e Shkodrës, Bardh Spahia i cili ishte me protestuesit, postoi edhe një video në Facebook, nga ku deklaroi se kryeministri Rama kishte anuluar vizitën nga frika.

"Kryeministri ka vendosur të anulojë vizitën e tij në Shkodër. Ai është trembur nga shkodranët. Jam këtu me të rinjtë dhe të rejat e Shkodrës që e trembën kryeministrin Rama. Le të vijë e të përballet me ta”, thotë deputeti demokrat Bardh Spahiu. 

Edi Rama u fsheh si frikacak sot nga shkodranët, duke anulluar vizitën e bërë publike një ditë më parë nga mediat e kontrolluara prej tij. I çekuilibruar psikologjisht, për shkak të protestave që po e ndjekin deri tek dera e shtëpisë, Edi Rama gënjeu sot publikisht shqiptarët, kur tha se nuk kishte në plan të shkonte në Shkodër, por në Vlorë. 

Kryeministria e ka shpërndarë njoftimin për axhendën e Edi Ramës në Shkodër tek disa nga gazetarët që mbulojnë aktivitetin e Ramës, tek Partia Socialiste e Shkodrës dhe deputetët e saj. PD u bën thirrje mediave të publikojnë mesazhet e shpërndara nga kryeministria, të jenë në lartësinë e misionit të tyre për të informuar publikun me vërtetësi dhe paanshmëri.

Propaganda bajate nuk e mbulon dot as frikën e Ramës as nga shqiptarët, as faktin se, në çoroditje e sipër nga protesta e shkodranëve, gazetarët e Vlorës u lajmëruan me urgjencë nga Bashkia për praninë e Ramës në ceremoni vetëm 10 minuta para nisjes së saj.

Reagimi i PD pas deklaratës së Kryeministrisë