Arratisje e pazakontë nga ambientet e brendshme të Gjykatës së Vlorës. Një i arrestuar në 2017-ën për "Shtrëngimi me anë të kanosjes" ose "dhunës për dhënien e pasurisë", është arratisur këtë të mërkurë nga salla e katit të dytë të Gjykatës, ku kishte dalë përpara trupës për t'u njohur me dënimin.

I arratisuri është Mikel Kasa, 29-vjeç. Ai ka mundur t'u ikë forcave të policisë të cilat e kishin shoqëruar në sallën e gjyqit, në momentin kur trupa gjykuese ka lexuar vendimin e dënimit të tij. Edhe pse shoqërohej nga dy oficerë policie në sallën e gjyqit, i dënuari ka mundur t'u ikë duke kapërcyer tavolinat. Report Tv ka siguruar videon e arratisjes së të riut në ndjekje të të cilit vihen rreth 6 persona, mes tyre edhe shoferi i Gjykatës, por pa mundur që ta ndalojnë.

          Momenti i arratisjes së Mikel Kasës nga Gjykata pasi merr vendimin 
Report Tv ka siguruar edhe foton e të arratisurit, ndërsa policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve, duke dhënë detaje për veshjen që ka pasur i dënuari në momentin kur u arratis nga Gjykata.


(Mikel Kasa, i arratisuri nga Gjykata e Vlorës mesditën e sotme)

I riu u arratis pasi gjyqtari lexoi vendimin
Kasa i ka shpëtuar bluve në momentin kur gjykatësi, Skënder Haluci, ka komunikuar dënimin ndaj tij me 3.4 vite burg, pasi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar për shkak të qëndrimit të paraburgim. Atij i janë hequr prangat nga policia pas njohjes me dënimin, por pikërisht ky ka qenë momenti që ka sjellë arratisjen.


(Salla e Gjykatës së Vlorës, me gjyqtar Skënder Halucin, nga ku u arratis i dënuari)

Mësohet se dyert e gjykatës kanë qenë të hapura, çka ka ndihmuar 28-vjeçarin të realizojë planin e tij. Policia ka zbarkuar në terren me forca të shtuara për prangosjen e të arratisurit.

Policia kërkon ndihmë: I arratisuri i veshur me pantallona të zeza dhe bluzë rozë
Policia kërkon bashkëpunimin dhe ndihmesën e çdokujt që e sheh shtetasin e dënuar Mikel Kasaj, 29 vjeç, i cili ditën e sotme mundi të arratisej nga ambientet e Gjykatës Vlorë, të telefonojnë në numrin e telefonit 129. Ky shtetas në momentin e arratisjes ka pas veshur një palë pantallona të zeza dhe një bluzë rozë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:36
Arratisja e të dënuarit nga salla e gjyqit, shoqërohen policët që ruanin Mikel Kasën

Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet pas arratisjes së një të dënuari nga ambientet e Gjykatës së Vlorës. Tre policë të burgjeve po merren në pyetje dhe sipas të gjitha gjasave ata do të vihen para përgjegjësisë ligjore.

Mikel Kasaj është emri i dënuarit që u arratis nga Gjykata e Vlorës në momentin që po lexohej masa e dënimit nga gjyqtari i seancës. Report Tv siguroi videon e momentit të arratisjes

Në njoftimin e policisë për këtë ngjarje thuhet se:

Më datë 23.05.2018, rreth orës 10:25, Salla Operative Vlorë është njoftuar se prej ambienteve të Gjykatës Vlorë ku shërbimet e IEVP-së kishin dërguar për masë sigurie shtetasin Mikel Kasa, 29 vjeç, ky i fundit është arratisur.

Shërbimet policore të IEVP-së gjatë shoqërimit të këtij shtetasi në ambientet e Gjykatës nuk kanë kërkuar mbështetjen e forcave policore të DVP Vlorë. Aktualisht nga ana e Drejtorisë Vendore e Policisë Vlorë janë ngritur disa grupe kontrolli dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen dhe ndalimin e këtij shtetasi.

Policia kërkon bashkëpunimin dhe ndihmesën e çdokujt që e sheh shtetasin e dënuar Mikel Kasaj, 29 vjeç, i cili ditën e sotme mundi të arratisej nga ambientet e Gjykatës Vlorë, të telefonojnë në numrin e telefonit 129. Ky shtetas në momentin e arratisjes ka pas veshur një palë pantallona të zeza dhe një bluzë rozë.

Ora 13:01
Report Tv siguron VIDEO-n/Dy policë pranë, i dënuari kapërcen tavolinat dhe arratiset nga salla e gjyqit

Report Tv siguron pamjet e arratisjes së të dënuarit Mikel Kasa nga salla e gjyqit në Gjykatën e Vlorës. Ai iu iku dy efektivëve të policisë të cilët e kishin shoqëruar në sallën e gjyqit, në momentin kur kreu i trupës gjykuese lexoi vendimin që e dënoi atë me 3.4 vite burg.

Ora shënon 10:22 kur menjëherë sapo 29-vjeçari dëgjoi vendimin e gjykatës, ai kapërcen njërën tavolinat dhe më pas largohet nga korridori i katit të dytë të Gjykatës duke përfituar edhe nga mungesa e forcave të rendit. Ai ka qenë pa pranga në duar, çka e ka favorizuar të vrapojë. 

I dënuari ka dalë nga dera e pasme e sallës së gjyqit nga ku hyjnë dhe dalin anëtarët e trupës gjykuese.

Mikel Kasa akuzohet për "Shtrëngimi me anë të kanosjes" ose "dhunës për dhënien e pasurisë". Në video duken efektivët e policisë si dhe disa punonjës të tjerë nga stafi i administratës së gjykatës që vihen në ndjekje të të riut. Një nga personat që e ka ndjekur ka qenë edhe shoferi i gjykatës.

Vetë kreu i Gjykatës së Vlorës, njëherazi gjyqtari që pa me sytë e tij arratisjen e të dënuarit Kasa, ngriti shqetësimin se në sallën e gjyqit nuk ka masa sigurie.

Ora 11:58
Arratisja e të dënuarit, gjyqtari i Vlorës: Si më iku para syve Mikel Kasa, tentoi ta ndalojë shoferi i Gjykatës

Kreu i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluçi ka dhënë detaje nga arratisja e të dënuarit Mikel Kasa nga ambientet e kësaj gjykate, përpara syve të tij. 29-vjeçari i iku policisë pikërisht në momentin kur vetë gjyqtari Haluçi, i cili kryesonte trupën gjykuese, i komunikoi dënimin të riut me 3.4 vite burg.

Ai thotë se ambientet e Gjykatës së Vlorës kanë mungesë sigurie dhe trupa e gjyqtarëve dhe avokatëve janë të rrezikuar çdo ditë. Sipas tij, Kasën ka tentuar ta ndalojë shoferi i Gjykatës në korridor, pasi iu iku dy oficerëve që ndodheshin në sallë.

Gjykata e Vlorës është jashtë çdo lloj parametri sigurie. Ka mungesë të sigurisë në Gjykatë. Kam kërkuar marrjen e masave për sigurinë e trupës së gjykatës dhe të qytetarëve në këto ambiente. Në këto ambiente ndodhin përditë probleme të qytetarëve me avokatët dhe gjyqtarët. Në sallën e gjyqit janë vetëm dy punonjës policie dhe nuk ka asnjë forcë tjetër sigurie pavarësisht kërkesave që kam bërë prej 4 vitesh. I arratisuri ka përshkuar të gjitha korridoret e gjykatës dhe përplasur vetëm me shoferin e gjykatës i cili ka tentuar ta ndalojë por pa rezultat.

Skënder Haluci, gjyqtar i çështjes dhe kryetar i Gjykatës së Vlorës

Sipas gjyqtarit, i dënuari është arratisur në momentin kur po largohej trupi gjykues. Ai thotë se i dënuari është liruar nga duart pas komunikimit të dënimit.