Tre zyrtarët e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, Gazmend Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj kanë dhënë dëshminë e tyre në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, lidhur me përgjimin e PD, ku pretendohet se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është i përfshirë në trafikun e drogës.

I pari që doli nga Prokuroria ishte eksperti ligjor në PD, Gazmend Bardhi i cili deklaroi se është pyetur rreth fakteve dhe provave të publikuara nga PD, ndërsa shtoi se duhen dënuar në mënyrë spektakolare personat e përfshirë në trafik droge. Ndërsa deputeti Ervin Salianji është pyetur nga prokurorët e Krimeve të Rënda për rreth dy orë me radhë. Salianji tha se Prokuroria është e fokusuar më tepër te kallëzimi i rremë i Xhafajt sesa te akuzat ndaj tij.

Siç ju e dini ne sot ishim në cilësinë e personave që kemi apo që mund të japim të dhëna mbi hetimin që ka nisur Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sigurisht që faktet dhe argumentat tona tashmë janë publike. Jemi përpara një rasti të dokumentuar të abuzimit me pushtetin nga ministri i Brendshëm dhe qeveria për llogari të një veprimtarie kriminale të vëllait të ministrit të Brendshëm.

Unë jam jurist dhe sigurisht që do të bashkëpunoj me organin e Prokurorisë sa herë që të thirrem por nuk mund të rri dot pa shprehur shqetësimin tim që kjo është Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka për detyrë të luftojë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe shtetasi i dyshuar si i përfshirë në trafik droge që është vëllai i ministrit të Brendshëm nuk është marrë ai i pari në pyetje por jemi marrë ne që denoncojmë rastin. Nuk është marrë në pyetje ministri i Brendshëm që i lehtëson veprimtarinë kriminale vëllait por jemi marrë ne që e denoncojmë rastin.

Nuk është marrë në pyetje akoma Kryeministri që ka krijuar një alibi publike ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm se gjoja zëri në materialin audio nuk është i Agron Xhafajt. Por ndërkohë nuk ju bën ju me dijeni dhe besoj se ju nuk e keni aktin e ekspertimit. Dhe prokuroria do të duhet të kishte sekuestruar këtë material privat, siç e quan kryeministri sepse është një e dhënë që i ndihmon hetimet.

Prandaj edhe thirrja ime publike ndaj organit të Prokurorisë është që të fusë hetimet në drejtimin e duhur që i ngarkon ligji. Dhe drejtimi i duhur që i kërkon ligji është të ndëshkohet në mënyrë spektakolare individët e përfshirë në krim të organizuar dhe individët që bëjnë trafik droge. Rasti është publik bëhet fjalë për vëllain e ministrit të Brendshëm.

Pyetje: Ju konkretisht çfarë deklaruat?
Gazment Bardhi: Ne deklaruam gjithçka u pyetëm dhe gjithçka që kemi bërë publike me fakte dhe prova edhe gjatë këtyre ditëve.

Pyetje: Ju konkretisht për çfarë u pyetët?
Gazment Bardhi:
Për gjithçka që kemi bërë publike mbi faktet dhe materialet që ne i kemi bërë publike. Të njëjtat fakte dhe materiale sigurisht që Prokuroria i disponon dhe ne kemi dhënë sqarimet tona mbi këto fakte dhe mbi këto prova. Faleminderit!

Gazmend Bardhi, ish-ministri teknik i PD

Ervin Salianji dy orë në Prokurori
Qeveria është e përfshirë në mbrojtje të krimit, për të mbuluar gjurmët e krimit. Agron Xhafaj i kapur me zë dhe figurë, nuk është në Shqipëri, është larguar për të mos bërë të mundur zbulimin e aktivitetit kriminal, bashkëpunëtorëve të tij dhe të gjitha fakteve të tjera.

Prokuroria është e përfshirë më shumë në kallëzimin e rremë që ka bërë Xhafaj, sesa në kapjen e grupit të strukturuar kriminal. Shpejtësia e Prokurorisë duhet të jetë në zbulimin e grupit të strukturuar kriminal. "Unë nuk jam Ervin Salianji", këtë lloj përgënjeshtrimi bënte edhe Agron Xhafaj, duke thënë se nuk e njoh bashkëpunëtorin.

Ervin Salianji, deputet i PD

Deputeti Ervin Salianji u paraqit te Krimet e Rënda me një pankartë në duar, ku shkruante: 'Unë nuk jam Ervin Salianji', duke ironizuar Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili tha se zëri që dëgjohet në audio nuk është i tij, ndërsa kallëzoi tre zyrtarët e PD për manipulim të provave dhe sajim të audiopërgjimit.


Deputeti i PD Ervin Salianji sot para se të futej te Prokuroria e Krimeve të Rënda

I fundit që mbërriti te Prokuroria e Krimeve të Rënda ishte deputeti Enkelejd Alibeaj, pasi më herët mori pjesë në 45-vjetorin e Revoltës së Spaçit. Alibeaj tha se vendi sot ka nevojë më shumë se kurrë për një revoltë si ajo e Spaçit.

Dy prokurorët që do hetojnë përgjimin e PD
Dosja e përgjimit të PD ndodhet në duart e dy prokurorëve, Genti Osmani dhe Përparim Kulluri, të cilët do të hedhin dritë mbi të vërtetën e përgjimit, për të zbuluar personin që e ka bërë, si dhe për të zbuluar nëse Agron Xhafaj është i përfshirë në trafikun e drogës, siç pretendon opozita. Krimet e Rënda brenda javës pritet të kenë një ekspertizë për përgjimin e PD.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:49
Alibeaj dëshmon te Krimet: Vendi ka nevojë për një revoltë si ajo e Spaçit

Deputeti Enkelejd Alibeaj ka dhënë dëshminë e tij te Prokuroria e Krimeve të  Rënda, lidhur me padinë e Agron Xhafajt për audiopërgjimin e publikuar nga PD. Deputeti demokrat sqaroi se vinte me vonesë në Prokurori për shkak të pjesëmarrjes në 45-vjetorin e revoltës së Spaçit.



Sipas tij, vendi sot ka më shumë se kurrë nevojë për një revoltë si ajo e para katër dekadave më parë.

Ky vend sot ka nevojë më shumë se kurrë për revoltën e Spaçit. Djem, burra gjetën frymëzimin për t'i rënë diktaturës. Duhet të vinin dhe të dëshmonin të tjerë persona. Unë kam të drejtë të kërkoj thirrje dëshmitarësh, bërje aktesh, si një mundësi që procesi penal të mos merret peng nga Rama dhe Xhafaj. Nëse ka marrë përsipër kokat e Prokurorisë, procesin penal nuk do mund ta marrë, nuk mund të merren peng shqiptarët. 

Enkelejd Alibeaj, deputet i PD

Ora 13:08
'Xhafaj', Alibeaj mbërrin te Krimet e Rënda, pritet dëshmia e tij për përgjimin e PD

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku do të japë dëshminë lidhur me përgjimin e publikuar nga PD, ku pretendohet nga opozita se është implikuar në trafikun e drogës edhe Agron Xhafaj.

Gjatë paradites, dhanë dëshminë te Krimet e Rënda dhe Ervin Salianji e Gazmend Bardhi, por Alibeaj nuk ishte pasi ndodhej në një aktivitet në kuadër të 45-vjetorit të revoltës së Spaçit.

Ora 12:33
EMRAT/ Kush janë dy prokurorët që do hetojnë përgjimin e PD për Xhafajn

Dosja e përgjimit të PD ndodhet në duart e dy prokurorëve, Genti Osmani dhe Përparim Kulluri, të cilët do të hedhin dritë mbi të vërtetën e përgjimit, për të zbuluar personin që e ka bërë, si dhe për të zbuluar nëse Agron Xhafaj është i përfshirë në trafikun e drogës, siç pretendon opozita. Krimet e Rënda brenda javës pritet të kenë një ekspertizë për përgjimin e PD.

Gjithashtu, sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pritet të paraqitet dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili do të merret në pyetje lidhur me përgjimin. Dëshmia e Jetmir Olldashit merr një rëndësi të veçantë pas një sërë deklarimesh kontradiktore se kush e ka regjistruar audio përgjimin. Mësohet se Albert Veliu gjatë dëshmisë në prokurori nuk e ka marrë përsipër autorësisë e këtij veprimi.

Nga ana tjetër kemi deklarimin e Jetmir Olldashit që pranon vetëm që ka marrë kasetën me bisedën Veliu-Xhafaj. Në një kohë kur Albert Veliu i ka thënë prokurorëve se nuk e ka regjistruar ai bisedën, ndërsa Jetmir Olldashi deklaron se përgjimin ia ka sjellë të gatshëm Veliu, kësaj dileme për autorësinë mbetet ti japin përgjigje vetëm prokurorët e çështjes.

Ora 11:57
'Mos më eja për 10 kg, por për 100 e sipër', Salianji: Prisni përgjimin tjetër

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji paralajmëron se disponon një tjetër përgjim të Albert Veliu, gazetarit Jetmir Olldashi dhe njeriut që sipas tij është bashkëpunëtori i Agron Xhafajt në trafikun e drogës.

Salianji thekson se në audio dëgjohet zëri i bashkëpunëtorit të Agron Xhafajt i cili i thotë "dëshmitarit X" mos eja të më kërkosh 10 kg drogë, por 100 kg e sipër.



Këtë deklaratë Salianji e bëri pas daljes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ku u pyet pas kallëzimit të bërë nga Agron Xhafaj për manipulim të provave dhe sajim të audiopërgjimit.

Ka një deklarim publik nga gazetari Jetmir Olldashi i cili më ka sjellë audiopërgjimin e publikuar por edhe pjesën tjetër ku duken persona të lidhur me krimin, me Xhafajn, bëjnë trafik kanabisi në mes të ditës.

Në përgjimin që disponohet nga PD, shihet zëri i gazetarit, bashkëpunëtorit edhe trafikantit tjetër i cili është zari i Agron Xhafajt, ku i thotë mos më eja për 10 kg drogë, por për 100 kg e sipër.

Ervin Salianji, deputet i PD

Salianji dy orë në Prokurori
Ervin Salianji ka dëshmuar për rreth 2 orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai tha se Agron Xhafaj u largua në drejtim të Italisë për të mbuluar implikimin e tij në trafikun e drogës dhe pengimin e hetimeve për bashkëpunëtorët.

Qeveria është e përfshirë në mbrojtje të krimit, për të mbuluar gjurmët e krimit. Agron Xhafaj i kapur me zë dhe figurë, nuk është në Shqipëri, është larguar për të mos bërë të mundur zbulimin e aktivitetit kriminal, bashkëpunëtorëve të tij dhe të gjitha fakteve të tjera.

Prokuroria është e përfshirë më shumë në kallëzimin e rremë që ka bërë XZhafaj, sesa në kapjen e grupit kriminal. Shpejtësia duhet të jetë në zbulimin e grupit të strukturuar krimnial. "Unë nuk jam Ervin Salianji", këtë lloj përgënjeshtrimi bënte edhe Agron Xhafaj, duke thënë se nuk e njoh bashkëpunëtorin.

Ervin Salianji, deputet i PD