Xhafaj: Grupe brenda dhe jashtë vendit tentojnë të destabilizojnë Shqipërinë

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar në emisionin 'Repolitix' në Report Tv se grupe brenda dhe jashtë vendit po tentojnë të destabilizojnë vendin. Ai tha se policia shqiptare në bashkëpunim me Shërbimin Informativ dhe agjencitë partnere kanë parandaluar ngjarje të cilat sipas tij nëse do realizoheshin do kishin pasoja rë rënda.

Ministri i Brendshëm nuk dha detaje konkrete se cilave ngjarje iu referohej. Por deklarata e fortë e Xhafajt vjen pas dhunës në "Rrugën e Kombit" javën e kaluar ku protestuesit i vunë flakën sporteleve të koncesionarit që do mbledhë taksën dhe bllokimit të rrugëve nga opozita një ditë më parë.

Duhet të bëjmë dallim mes protestës së ligjshme dhe dëshirës për të protestuar dhe interesit që mund të kenë grupe të caktuara brenda dhe jashtë vendit për të destabilizuar vendin. Për të destabilizuar vendin padyshim që ka interesa, që do dëshironin të krijonin destabilitet, brenda dhe jashtë vendit.

Ka pasur një rrezik të shtuar në javët që lamë pas, forcat e policisë, agjencitë ligjzbatuese në vend, shërbimi sekret, agjencitë partnere kanë përballuar më së miri disa ngjarje që nëse do ndodhin do kishin pasoja të rënda. Kemi angazhuar një pjesë të mirë të policisë, shërbimit sekret e agjencive të tjera, të cilat janë të përfshira në këtë proces në parandalimin, vëmendjen e shtuar për të qenë të kujdesshëm dhe për të përballuar mundësitë që ekzistojnë potencialisht për ngjarje të rënda. 

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj

Intervista e Xhafajt në "Repolitix"

Doja ta nisja me protestën e Kalimashit, ka kaluar 1 javë dhe më kujtohet edhe deklarata juaj e parë pas protestës, dua të citoj: “grupe individësh të papërgjegjshëm, në përbërje të të cilëve në numër jo të vogël gjendeshin edhe elementë me të shkuar të rëndë kriminale si dhe persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore shfrytëzuan pabesisht të drejtën legjitime të tubimit”. Një deklaratë shumë e fortë kjo u duke fillimisht. Të arrestuarit janë këta që ju iu referoheni në deklaratë, Xhafaj, apo ka elementë të tjerë?
Ministri Xhafaj:
Së pari duhet të bëjmë një dallim që është shumë i rëndësishëm, ndërmjet atyre që protestuan për një të drejtë të ligjshme të tyre, për një shqetësim të banorëve të qytetit të Kukësit, arsye për të cilën kishin pasur edhe një dakordësi me Policinë, apo arsye për të cilën ata kishin dalë në protestë, dhe organizatorët e protestës ishin angazhuar që do të ishte një protestë paqësore, dhe me ata të cilët e shfrytëzuan këtë protestë për të ushtruar dhunë ndaj forcave të Policisë dhe për të dëmtuar pronën publike dhe pronën e një biznesi të ligjshëm në veprimtarinë e tij. Ky dallim është shumë i rëndësishëm.

Në atë komunikatë ose në atë dalje publike timen, kam folur, nga njëra anë, për të drejtën e ligjshme që kanë banorët e qytetit të Kukësit dhe çdo qytetar në këtë vend, dhe për detyrimin për të protestuar, sipas ligjit, dhe detyrimin që ka policia për t’ua garantuar këtë të drejtë. Policia nuk është aty për ta ndaluar por është për ta mbrojtur të drejtën kushtetuese të lirisë së tubimit. Dhe policia ishte aty pikërisht për këtë gjë.

Ajo çfarë ishte në shkelje të ligjit dhe në shkelje të së drejtës edhe të atyre qytetarëve që kishin dalë për t’u tubuar, ishte fakti që një grup njerëzish, në mënyrë krejt të papërgjegjshme, - unë besoj fort, - të shtyrë në këtë akt papërgjegjshmërie, shkuan përtej kufijve që lejon ligji.

Dhe besoj që Policia bëri detyrën në këtë rast, në kufijtë e mundshëm të situatës konkrete. Dhe policia, me shumë qetësi, me shumë profesionalizëm shmangu një përplasje që dëshirohej nga individë të caktuar midis Policisë dhe qytetarëve që kishin dalë për t’u tubuar.

A keni pasur informacion se mund të ndodhte ajo që ndodhi pra djegiet sepse mediat faktikisht, një ditë para, të premten ne pothuaj nuk e dinim fare se çfarë do ndodhte ne Kalimash?
Ministri Xhafaj:
Ka një fakt konkret, ky tubim u iniciua nga Këshilli bashkiak i Kukësit. Dhe logjika ta do që kur në krye të një tubimi, janë këshilltarët, përfaqësuesit lokal të komunitetit të asaj zone, të cilët janë njerëz që e njohin shumë mirë ligjin, njohin shumë mirë edhe kufijtë e veprimit të tyre në një rast të tillë, do të zhvillonin një protestë paqësore.

Forcat e Policisë ishin të përgatitura për këtë, dhe ne nuk kishim forca shtesë aty për shkak se midis drejtuesve vendorë të policisë dhe këshilltarëve që ishin organizatorë të kësaj proteste, kishte një dakordësi për kufijtë ku do të zhvillohej kjo dhe për mënyrën paqësore të zhvillimit të saj.

Ajo që ndodhi unë besoj se nuk është pjesë e kërkesës apo dëshirës së njerëzve që kishin dalë atje, por ishte prapavijë e një grupit tjetër të cilët dëshironin ta shfrytëzonin këtë aspiratë të ligjshme, këtë kërkesë të ligjshme, në një konfrontim ndërmjet banorëve dhe policisë. Ajo që forcat e Policisë bënë aty ishte që shmangën pikërisht një përplasje të kësaj natyre.

Ju thoni që pati një prapavijë nga një grup i caktuar. Është prapavijë politike, prapavijë nga një grup kriminal, çfarë prapavije z.Ministër?
Besoj që prapavija është politike. Opozita ka dashur dhe shtyn fort përplasjen dhe krijimin e tensionit dhe të konfliktit politik në këto momente.

Pse sipas jush?
 Sepse opozita ka gjetur rrugën e gabuar për të adresuar problemet, ka gjetur rrugën e gabuar për të vendosur komunikimin dhe për të përfaqësuar njerëzit që ajo mendon se i përfaqëson dhe sepse në këto momente dëshiron të rrisë tensionin politik edhe për shkak të faktit që Shqipëria është përpara disa ngjarjeve të rëndësishme siç është hapja e negociatave.

Nga informacionet që ju keni a ka pasur tentativë për të destabilizuar vendin gjatë kësaj jave?
Duhet të bëjmë një dallim mes protestës së ligjshme ose dëshirës për të protestuar të qytetarëve për çështje të caktuara dhe interesit që mund të kenë grupe të caktuara politike apo dhe grupe të tjera, brenda dhe jashtë vendit për ta destabilizuar situatën.

Për të destabilizuar situatën në Shqipëri, padyshim që ka interesa të caktuara. Ka interesa edhe që lidhen dhe reflektohen në një sërë mënyrash dhe në një sërë aspektesh që padyshim do të dëshironin të krijonin destabilitet në vend.

Vetëm nga brenda apo edhe nga jashtë?
Padyshim edhe nga jashtë...

Keni informacione, a ka kaluar rreziku? Mund të na thoni diçka pa fshehur atë që është puna juaj e përditshme?
Ka pasur një rrezik të shtuar në javën që kemi kaluar. Forcat e policisë, agjencitë ligjzbatuese në vend, por edhe agjenci të tjera si Shërbimi Sekret, por edhe ato partnere kanë përballuar më së miri me shumë sukses parandalimin e disa ngjarjeve të cilat nëse do të ndodhnin do të ishin të rënda.

Kur thoni që ka pasur tentativë nga jashtë për të bërë destabilitet?
Deri këtu është e mjaftueshme

Ky bashkëpunim i kësaj përpjekje nga jashtë ka ardhur me partitë tona politike të brendshme?
Nuk mund të them këtë gjë, s’ka lidhje kjo.

Pra nuk ka lidhje me opozitën?
Jo absolutisht jo. Unë nuk e besoj këtë gjë, të jetë një gjë e tillë. Sipas meje nuk ka lidhje.

A ka pasur persona të ndaluar për këto tentativa që ne ndoshta nuk i dimë?
Është një çështje që nuk meriton më shumë.

Në parim, rreziku ka kaluar apo shteti ynë vijon të jetë vigjilent në raport me këtë tentativë destabiliteti?
Po vazhdon të jetë. Ne kemi të angazhuar sot një pjesë të mirë të Policisë. Një pjesë të mirë të Shërbimit Sekret dhe agjencive të tjera që janë të përfshira në këtë proces, në parandalimin ose në vëmendjen e shtuar për të qenë të kujdesur dhe për tu përballur me mundësitë që ekzistojnë potencialisht për ngjarje të rënda.

SHBA janë në dijeni të këtyre skenarëve dhe po bashkëpunojnë me ju?
Ministri Xhafaj:
Sigurisht që po. Në mënyrë shumë aktive 

Kemi pasur një pjesëmarrje të pazakontë të forcave të policisë, rreth njëmijë për një proces gjyqësor.
Jo nuk jeni i saktë.

Të paktën media kështu ka folur. Sa ka qenë numri i policëve?
Kurrsesi nuk ka qenë, se nuk kemi 1 mijë për këtë gjë. Do të na duhej të mblidhnim forcat e policisë nga rrethet e tjera. Të paktën të dedikuar për këtë lloj shërbimi nuk kemi 1 mijë vetë.

Kjo është mosbindja civile z.Ministër, pasi e kemi zgjedhur këtë rast në video, se ky është një qytetar i linçuar nga ata që kanë bllokuar rrugën dhe nuk ka asnjë prani policie këtu. Mund të ndodhte që këta njerëz të dilnin jashtë kontrollit dhe këtu nuk shikojmë asnjë polic.
E para njëherë besoj se kjo është një çështje operacionale që i takon drejtuesve të policisë që merren me operacione të kësaj natyre. Në të tre rastet, veprimet e Policisë janë në përputhje me ligjin dhe janë brenda standardeve dhe detyrave profesionale. Askush deri tani nuk mund të provojë të kundërtën. E di që ka disa kallëzime për këtë çështje nga subjekte të ndryshme.

Kur thoni profesionale, a duhej lejuar kjo djegia, apo ishte mënyra për të shmangur përplasjen?
Padyshim që po. Midis një përplasje të dëshiruar nga elementë të papërgjegjshëm dhe e ritheksoj edhe një herë, jo nga banorët e Kukësit, jo nga qytetarët e respektuar të Kukësit, por nga disa elementë të papërgjegjshëm në atë tubim dhe sigurisht nga nxitësit e tyre. Padyshim kjo ishte mënyra më e mirë për ta evituar një përplasje e cila mund të kishte pasoja shumë-shumë më të rënda. Dhe në këtë mënyrë, Policia gjeti formën më të përshtatshme për ta evituar këtë përplasje.

Ndërkohë në rastin e bllokimit të rrugëve me syrin tonë të lirë nuk kemi parë prani të forcave të rendit. Dukej sikur ia kishit lënë gjithçka opozitës?
Ishte bllokim trafiku dhe ne kishim lënë në krye të detyrës punonjësit e trafikut. Janë evidentuar të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këto tubime dhe në mënyrë të veçantë ata që kanë organizuar dhe nxitur një tubim të paligjshëm dhe me pasoja. Në rastin konkret dhe unë besoj që Policia do bëjë detyrën që i njeh dhe i detyron ligji për t’i referuar dhe proceduar pranë organeve të Prokurorisë.

Policia ka proceduar penalisht liderët e opozitës. Dua ta lidh pak edhe me deklaratën e ambasadorit që “ mosbindja civile kërkon edhe marrje përgjegjësish”.
Policia ka bërë detyrën. Ka përcaktuar se cilët janë nxitësit, cilët janë organizatorët. Cilët janë ata që kanë vepruar për ta sjellë këtë pasojë siç është bllokimi i rrugëve nacionale dhe Policia do t’ia referojë ose ja ka referuar Prokurorive të Rretheve Gjyqësore. I takon tani Prokurorisë për të bërë detyrën.

Jemi mësuar gjithmonë që Policia e bën, por a do të ndryshojë këtë herë diçka, apo përsëri opozita do të bëjë atë që ka bërë si çdo herë dhe nuk do të ndodhë asgjë?
Ju e keni gabim, nuk është se nuk ndodh asgjë. Vetëm në tubimet e mëparshme ka pasur referime dhe ka pasur në mos gaboj rreth 40 persona të ndëshkuar penalisht për pjesëmarrje dhe organizim të tubimeve të paligjshme. Zakonisht media i quan të tejkaluara këto dhe nuk i ndjek në proces. Nëse dikush nga gazetarët tuaj do të interesohej për të parë fatin e procedimeve të mëparshme do të konstatonte që ka pasur jo thjesht vetëm referime penale, por ka pasur edhe çështje gjyqësore dhe në fund të tyre ka pasur masa penale.

Ju kujtoj kolegun tuaj europian Fleckenstein që u shpreh se nëse unë do bllokoja rrugën, njerëzit do më vrisnin në rrugë, tha Fleckenstein, duke iu referuar faktit që një deputet mund ta bëjë një gjë të tillë. Nesër z.Basha, znj.Kryemadhi, mund ta bllokojnë sërish rrugën z.Ministër, çfarë do bëjë policia, apo të njëjtën gjë?!
Atë që i njeh ligji, kompetencat që i njeh ligji.

Edhe në rastin kur ata e bllokojnë në mënyrë të paligjshme?
Po në varësi me pasojën dhe në kufijtë me çfarë parashikon ligji.

Duke përfunduar me këtë temë të parë, një koment edhe për këtë forcë të madhe të forcave të policisë në gjykatë. Dukej sikur kishte një panik nga forcat e policisë!
Jo, nuk ishte panik, ishte kujdes. Së pari për të zhvilluar një proces gjyqësor në mënyrë sa më të rregullt dhe në kushtet e një tensioni të jashtëzakonshëm të atyre ditëve, por edhe të një provokimi të hapur publik, jo thjesht dhe vetëm nga individë të caktuar por edhe nga grupe politike. Për të evituar çdo lloj përplasjeje dhe për të krijuar normalitet në ushtrimin e drejtësisë, policia mori masa të shtuara. Nëse do të kishte qoftë edhe një anomali të kësaj natyre, për një gjë të paralajmëruar, për një gjë të njohur, plotësisht në kompetencat dhe përgjegjësitë e policisë, atëherë publiku do të kishte të gjithë të drejtën që të pretendonte dhe të kishte shqetësim lidhur me përgjegjësitë që ka policia. Policia ka bërë detyrën.

Dua t’ju pyes në cilësinë e politikanit, ju jeni një politikan i vjetër tashmë. Kryeministri ka thënë në një koment në lidhje me taksën apo tarifën e rrugës, si e menaxhoi sipas jush, shumica, qeveria këtë çështje dhe tërheqja, çfarë do të thotë në këtë rast?
Unë nuk besoj se ka një tërheqje, natyrisht ka një reflektim nga shumica, nga qeveria, Kryeministri e ka bërë publik këtë fakt që do të duhej që të kishte një fazë përgatitore shumë më të mirë për vendosjen e kësaj tarife dhe këtij rregulli të ri në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në atë segment rrugor. Gjë që nuk ndodhi dhe nuk u krye, nuk pamë të kishte një komunikim intensiv me komunitetin aty, me aktorë të ndryshëm, me të gjithë ata që kanë lidhje drejtpërdrejt dhe që ka efekte të mëdha në jetën e tyre apo në veprimtarinë e tyre nga vendosja e kësaj tarife në përdorimin e rrugës. Kjo ishte një gjë që do të duhej bërë më mirë. Ajo çfarë po ndodh është pikërisht që u reflektua dhe të reflektosh është forcë.

A do ketë kosto politike për mazhorancën?
Nëse nuk do të reflektonte mund të kishte kosto. Për sa kohë që reflektoi dhe për sa kohë që është duke ndërtuar tashmë një proces komunikimi aktiv, një proces reflektimi në mënyrën se si do ta trajtojë këtë gjë, unë besoj se do të ketë mirëkuptimin e duhur, jo vetëm nga qytetarët e bizneset, por edhe nga vetë banorët e qarkut të Kukësit, Tropojës e Hasit.

Ju i përkisni një qeverie të majtë, a mos janë të shumta këto taksa, pra një politike jo shumë e majtë? Si e shikoni, këtë brenda qeverisë?
Janë të njëjtat praktika, rregulla që vendosen në të gjitha vendet europiane, pavarësisht nëse është e majtë apo e djathtë. Përdorimi i rrugëve bëhet edhe nga të majtët, edhe nga të djathtët. Rrugët duhet të mirëmbahen edhe nga të majtët, edhe nga të djathtët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:24
Koalicion me LSI? Xhafaj: Ata janë në opozitë dhe janë të dhunshëm

I pyetur për një koalicion të mundshëm të PS me LSI gjatë zgjedhjeve të ardhshme vendore, Fatmir Xhafaj tha se ish-aleatët e socialistëve janë tashmë një forcë opozitare, madje sipas tij, një parti e dhunshme. 

Xhafaj tha se sulmet e LSI-së janë të orientuara ndaj tij personalisht si ministër i Brendshëm. 

“Ata janë në opozitë. Dhe janë të dhunshëm në opozitë ndaj nesh, dhe ndaj meje personalisht. Me retorikë dhe me akte konkrete me mënyrën e reagimit publik. Por kjo është mënyra e tyre lidhur me pozicionin e ri që kanë si forcë opozitare”. 

Gjithashtu, Xhafaj u shpreh kundër idesë së KQZ për zgjedhjen e kryebashkiakut nga këshillat bashkiakë. “Unë jam për zgjedhje direkt nga populli”, tha ai. 

Ora 23:06
Xhafaj flet për “Eskobarin shqiptar” Met Kanani: S'do jetë i vetmi...

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka folur në Report Tv edhe për shqiptarin e arrestuar pak ditë më parë në Turqi, Met Kananin, i cili nga mediat turke njihet si “Eskobari shqiptar”. 

Xhafaj tha se Kanani kryeson një grup të strukturuar kriminal, ndërsa paralajmëroi të tjera arrestime pas prangosjes së tij nga policia turke. 

Është një person me aktivitet kriminal i cili ka një aktivitet kriminal intensiv në fushën e trafikut të drogës. Është i njohur për aktivitetin kriminal jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi. Ky procedim policor ka avancuar duke qenë një angazhim i përbashkët i disa agjencive përfshirë edhe ato turke, e cila dha një rezultat shumë pozitiv. Ai nuk ishte dhe nuk do të jetë i vetëm në përgjegjësinë penale. 

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj

Ora 21:47
40 grupe kriminale? Xhafaj: Kemi Shkatërruar 7, ja qytetet ku krimi është aktiv

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në emisionin “Repolitix” në Report Tv ka deklaruar se nga 40 grupe kriminale që veprojnë në territorin e Shqipërisë, deri tani janë shkatërruar shtatë të tilla.

Nga qytetet ku krimi është aktiv Xhafaj renditi të parën Tiranën, e ndjekur nga Vlora dhe Durrësi. Prezencë kriminale, tha Xhafaj, ka edhe në qytetet e tjera si Shkodër, Lezhë, Fier dhe Elbasan. 

Nga 40 grupe kriminale, deri tani kemi shkatërruar 7 grupe. Ata janë pas hekurave. Qytetet ku ka prezencë më të madhe të këtyre grupeve janë Tirana, Vlora, Durrësi, Shkodra, Lezha, Fieri dhe Elbasani. Këto janë qytetet që kanë grupe kriminale aktive.

Vitin e kaluar u sekuestruan 40 milionë euro pasuri. Është tregues i pjekurisë së agjencive tona ligjzbatuese, por edhe i bashkëpunimit shumë të mirë me agjenci të tjera ndërkombëtare”

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • konjak: 28/04/2018 08:38

    Ne nje shtet te pa zhvilluar ka dhe do kete probleme nga me te ndryshmet .Nuk pretendon as kush ,qe tek ne te kete nje kuptim te qart ,qoft te zhvillimeve shoqerore e institucionale,qoft te zhvillimeve politike.Te gjith ne duhet te mbeshtetemi tek forcat tona ,tek morali e ndergjegjia,per te ecur perpara;Jo tek zagarlleku tek sahanlepiria tek qorravitia pas politikes, per te lepire ndonje kockete .Ikemi te gjitha mundesite,te mesojme te punojme te akumulojme te perparojme me mendien tone ,me diersen tone.

    Përgjigju
  • diku: 07/04/2018 08:41

    Ik ore koke patate se si Saimiri je edhe ti drogagji ke vellain qe merret me droge ku qenkan keta 40 grupe pse nuk i kap per cfare paguhesh nga taksat shqiptare. Dilni edhe beni show

    Përgjigju
  • bledi: 07/04/2018 03:44

    arrestoni grupet... ca pret...

    Përgjigju
  • Zylyf Tahiri: 07/04/2018 03:16

    Uhaaaaaa KLYSHI ENVER HOXHES po flet per ARMIQTE e socialisteve jashte vendit Uhaaaaaaaaaaaa

    Përgjigju
  • Viçidoli Dixhital: 06/04/2018 22:45

    Berisha do jeteoj sa te kete cubat me vedi-

    Përgjigju
  • Lindi Gaxha: 06/04/2018 22:17

    nuk eshte cudi me kte lloj opozite qe kemi ne ca nuk pret. Kta mohojn baxhanak e kunat vetem per te ardhur ne pushtet

    Përgjigju
  • Ladi: 06/04/2018 22:10

    Po normal jane ato grupet e Sales dhe te Lulit!

    Përgjigju
  • Arbeni: 06/04/2018 22:08

    po ata killerat e sales me pages diku do i perdori ai

    Përgjigju
  • irina: 06/04/2018 22:07

    grupet e sales ata kriminelet qe mbante afer kur ishte ne pushtet jane kthyer per ta rikthyer ne pushtet.

    Përgjigju
  • Sorra: 06/04/2018 21:36

    Nuk ka rastesira. Nuk ka patur edhe me pare. Egersirat, kafshet, analfabetet, injorantet, dembelet e hajne lehteas karremin. I lumte qeverise, shtetit, policise, sherbimit sekret dhe miqve perendimore.

    Përgjigju
  • 007: 06/04/2018 21:27

    Mir e ke o xhafe.Po perderisa sali qeni livadhis sipas qejfit ato gjera priten.Ai eshte i lindur agjenture ne sherbim te armiqve te shqipes dhe ashtu do vdes krimineli.

    Përgjigju
    • Maloku digital: 07/04/2018 02:42

      Jane edhe grupet e ruseve te kryesuara nga ambasadori rus Aleksander Karpushin. Prokuroria te nxjerre menjehere urdher arresti per te.

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Të martën protesta e radhës e PD, ja 6 nyjet rrugore që pritet të bllokohen! Berisha për herë të parë prezent, që nga arresti shtëpiak për dosjen 'Partizani'

Të martën protesta e radhës e PD, ja 6 nyjet rrugore që pritet të bllokohen! Berisha për herë të parë prezent, që nga arresti shtëpiak për dosjen 'Partizani'