Shyqyri Çobo, i hetuar në 2013 nga prokuroria e Tiranës për fshehje të pasurisë por më pas i lënë i lirë nga kjo akuzë, duke u justifikuar se kishte bërë një gabim njerëzor është bërë sërisht protagonist i hetimeve të prokurorisë. Këtë herë jo për pasurinë e tij, por për kërkimin të favoreve seksuale. Çobo ka shfrytëzuar pozicionin e tij si gjyqtar duke kërkuar seks në këmbim të dhënies së vendimit në favor të 32-vjeçares Irma T. Kjo e fundit kishte depozituar një kërkesë për divorc nga bashkëshorti dhe për pasojë çështja i ka rënë gjyqtarit Shyqyri Çobo. Ky i fundit që në seancën e parë ka shkëmbyer numrat me Irma.T, dhe më pas ka filluar të shkruajë rreth 300 mesazhe, duke i kërkuar kryerjen e marrëdhënieve seksuale në këmbim të dhënies së vendimit gjyqësor në favor të saj. Madje gjyqtari i Beratit Shqyri Çobo në një sms dërguar 32-vjeçares premtonte se gjatë aktit seksual do të zbatonte të gjitha vendimet unifikuese të OKB që kanë lidhje me familjen, duke shmangur transmetimet e patologjive të ndryshme.

Pezullimi nga detyra
Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për gjyqtarin e Gjykatës së Beratit, Shyqyri Çobo, i dyshuar për konsumimin e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit….” në formën e kërkimit të favoreve seksuale. Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga shtetasja Irma T. pranë Policisë Vendore, Berat. Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kallëzuesja ka qenë palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Në seancën e parë të atij procesi, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Për këtë arsye, ata shkëmbejnë numrat e telefonit. Pasditen e së njëjtës ditë, gjyqtari i dërgon mesazh në telefon kallëzueses,ku, pasi e njofton për gjetjen e një avokati, i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”. Në vijim, nga kqyrja e aparatave dhe tabulateve telefonikë, rezulton se gjyqtari Çobo i ka dërguar shpesh mesazhe dhe e ka telefonuar kallëzuesen. Kjo e fundit, megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e friksuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë. Për këtë arsye, shtetasja Irma T. i është shmangur në çdo kohë gjyqtarit dhe e ka kallëzuar atë pranë Policisë Vendore, e cila e referoi rastin pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

300 telefonata në 3 muaj
Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka realizuar kqyrjen e telefonave, nga të cilët ka rezultuar se për një periudhë gati 3-mujore para kallëzimit, gjyqtari Çobo kishte kryer mbi 300 telefonata në drejtim të kallëzueses, si edhe një numër të lartë mesazhesh me tekst. Në mesazhet e dërguara nga gjyqtari konstatohet qartë tendenca e tij për të bindur kallëzueses që të krijonin një lidhje intime. I pyetur si person nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, i dyshuari e ka mohuar faktin se mesazhet e tij kanë pasur si qëllim kërkimin e favoreve seksuale dhe se nuk ka pasur raporte jashtëgjyqësore me të pandehurën. Por, nga provat e administruara gjatë procesit hetimor, rezulton e provuar se shtetasi Shyqyri Çobo ka tentuar për një kohë të gjatë të krijojë lidhje intime me kallëzuesen, e cila ishte palë në një proces gjyqësor të drejtuar prej tij në Gjykatën e Beratit. Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se gjyqtari Shyqyri Çobo ka konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit….”.Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurimit “pezullim nga detyra”, e cila u pranua nga gjykata ditën e djeshme.


Mesazhet hot
Shqiptarja.com ka siguruar edhe mesazhet që gjyqtari Çobo i ka drejtuar kallëzueses, e cila kishte hapur një proces civil divorci dhe gjyqtari i çështjes ishte pikërisht Shyqyri Çobo.
 
Në këmbim të dhënies së vendimit ai ka kërkuar favore seksuale. Nga mesazhet duket qartë tendenca e gjyqtarit ndaj 32-vjeçares pasi i drejtohet asaj me fjalët "zogu", "je tepër femërore" apo dhe se "s'dua të të humbas".

Ndërsa në një tjetër mesazh, gjyqtari Çobo i shkruan 32-vjeçares se të ketë të dashur gjyqtar është luks. 

Psikoanalisti austriak Sesil Frojd shkruan se ‘kur je i martuar dhe ke një te dashur ky është komoditet, nëse i dashuri është dikushi atëherë ky është luks”, thuhet në mesazhin e gjyqtarit Shyqyri Çobo.
 
SMS-të e gjyqtarit për 32-vjeçaren I.T
 

SMS 1- Të këshilloj tepër miqësisht që në konceptin apo në filozofinë perceptuese mos reflekto mendësi fshatareske të natyrës provinciale duke u munduar të tregosh moral, koha ka evoluar, ndaj duhet të jesh më elokuente me veten dhe në shoqëri, OK?
 
SMS 2- “Zogu” – do më vinte mirë të të thërrisja kështu se si “zogë” je! OK??
 
SMS 3- Është e vërtetë që je “Tip i vështirë” në raportin komunikues, por “Tip inteligjente” me performancë femërore tepër perfekte.. Ke vlera në vetvete! Të respektoj dhe nuk dua të të humbas ! Ok ?
 
SMS 4- …. “Mirëmëngjes”!! Po të shkruaj shpejt. Zgjohem në orën 04:00 dhe ora 05:30 nisem për në punë. Unë gjykoj se ti duhet të njohësh madje dhe të administrosh vlerat të cilat s'të mungojnë.. Ti gëzon simpati, inteligejncë dhe një komunikim tepër komplimentar. Je tepër femërore. Për këtë shkak duhet të jesh KRENARE! Respekte.

SMS 5 – “Përsa i përket çështjes të cilën natyrshëm Ti e ke “gangrenë” sinqerisht do kesh suport gjithë “kredinë” time juridike ..! Ok ?? Së dyti në kondicionin social në perceptimin tim aktualisht je “skanuar” femër (mami) tepër bashkëkohore potente plot vizion... Ky është dhe “motivi” imponues i imi që ti të jesh mikesha ime konseguente. Nuk dua të gjykoj se ti je një zonjë provinciale me mendësi fshatareske.. Fundja në CV-in tënde je dikush..Shpresoj mirëkuptimin tuaj..! Ok??”.
 
SMS 6 – “Psikoanalisti austriak Sesil Frojd shkruan se ‘kur je i martuar dhe ke një te dashur ky është komoditet, nëse i dashuri është dikushi atëherë ky është luks ”.

SMS 7- Përshëndetje! Gëzon të gjithë kredinë mirënjohëse nga ana ime. "Performanca" juaj më imponoi respekte, pse jo dhe ndjesi. A u sqarove me avokatin rekomandues. "Problemi" sinqerisht më diktoi keqardhje...Mos hezito me sms apo me tel...do të mirëpres. Respekte! Ok?
 
SMS 8 - Uroj që në "Raportim" komunikues midis nesh do gëzosh mirëkuptimin tim..gjykoj se duhet të evitosh druajtjen...! Me vlerëso konfidencial dhe si "Mike" të hershme, do të mirëkuptoj..,Ok??
 
SMS 9- Brishtësia e performancës tënde më krijoi mirënjohje..këtë fundjavë do të jem në Malin e Zi. Komunikimi me ty, objektivisht është kënaqësia..telefonata apo sms e tua nuk më shkaktojnë bezdi, përkundrazi i mirëpres..je shumë e këndshme..të adhuroj..më mirëkupto. Ok.! 

faksimile
(Faksimile e SMS-ve të gjyqtarit)


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com