DURRES - Kërkohej nga drejtësia italiane për prostitucion dhe trafik droge, arrestohet në Durrës punonjësi i burgut.

Një roje burgu, nga sot do të ruhet vetë me të tillë. Bëhet fjalë për një polic të Burgjeve, i cili është vënë në pranga, pasi edhe “sekreti” i tij është mësuar. Bajram Dervishi, është vënë në pranga nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pasi duket se kishte problem të pambyllura me drejtësinë italiane.

Ai ishte dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg nga shteti fqinj, në mungesë, ndërsa autoritetet tona nuk kishin asnjë informacion për këtë, gjë që ka bërë të mundur dhe pranimin e tij në punë. Burime nga Drejtoria e burgjeve pohuan, se urdhri dhe të dhënat për arrestimin e tij, kanë mbërritur nga Interpol Tirana.

Të njëjtat burime pohuan, se Dervishaj ndodhej në shërbim turn i parë, por sapo ka lënë punën, i janë vënë prangat. Ai është sjellë pasdite në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku dhe i janë bërë të qarta akuzat e ngritura nga prokuroria italiane, si dhe dënimi i dhënë në mungesë. Ndërsa në Shqipëri, kishte filluar lirshëm punën në burgun e qytetit të Durrësit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)