1 Prill 1929/ Nëntëdhjetë vjetori i Kodit Civil të parë modern shqiptar

1 Prill 1929/ Nëntëdhjetë vjetori i Kodit Civil të parë modern shqiptar

Në  fillim të kësaj jave u shënua përvjetori i  90-të  i njërit prej akteve juridike më të rëndësishme të Shtetit shqiptar, Kodit Civil, që hyri në fuqi më 1 Prill 1929. Përkujtimi i këtij monumenti juridik nuk duhet bërë vetëm për arsye historike, por si njëri prej shembujve më domethënës të aftësive teknike të pazakonta dhe të inteligjencës që shfaqën hartuesit e tij.

Lajmi për hyrjen në fuqi dhe fillimin e zbatimit të tij u botua te  “Gazeta e Re” më 31 mars të vitit 1929, në një artikull nënshkruar prej Baltazar Benussit, njërit prej juristëve më të spikatur shqiptarë të asaj kohe, vlera e të cilit jo vetëm që nuk u mpak, por u rrit me shpejtësi, pavarësisht rrebesheve dhe tallazeve që kaloi ai mbas Luftës II Botërore.

Prof. Benussi, ka luajtur rol të dorës të parë, ngaqë ndërhyrja e tij u krye sidomos në dy pjesët më të vështira të K.Civil, asaj që trajton sendet dhe asaj që trajton detyrimet, çka do të thotë sipas faktit dhe sipas ligjit, se çfarë marrëdhënie ka pronari me pronën e tij, kur ndodhemi para një marrëdhënie të pronës private apo kolektive (shoqërore) mbi mjetet  e prodhimit. Kjo e dyta, pikërisht në kohën tek Benussi vriste mendjen dhe e shprehte qartë: “Për të kryer këtë detyrë, jemi çveshun nga çdo preokupacion i ngjyrës nacionale apo doktrinare, dhe nuk jemi udhëheqë nga asnji paragjykim politik. Prandej, në vazhdim të punimeve tona edhe në kohën e luftës së përgjithëshmë, (bëhet fjalë për Luftën II Botërere- V.M.) kemi pasë parasysh legjislacionet ma moderne t’Europës dhe të Amerikës, si Kodin e Mbretërisë Gjermane të vjetit 1900 dhe Kodin e Brazilit të vjetit 1916, novelat që kanë përmirësue Kodin Austriak në kohën e luftës dhe kodin e detyrimeve të Zvicrës (Helvetisë), projektin e kodit hungarez dhe Kodin e ri të Republikës të Sovjetëve. Nga të gjitha këto kode kemi marrë ç’ishte për t’u marrë, me konditë natyrisht që të harmonizohesh me sistemin e përgjithshëm të legjislacionit tonë. Por asnji send nuk është marrë për shpirt imitimi dhe asnji send nuk asht lanë tue u shtye nga ndjenjat e rreme nacionaliste”(B.Benussi: Obligimet dhe Kontratat përgjithësisht”. faqe21-22).

Prof. Benussi kishte vënë re se teoria e përgjithëshme e detyrimeve është baza jo vetëm e së drejtës civile, por e së drejtës përgjithësisht, sepse e drejta tregtare, e drejta administrative, e drejta ndërkombëtare, private apo publike, bazat e tyre i kanë të gjitha në marrëdhënie detyrimi. Prej këtej vinte natyrshëm përfundimi, sipas të cilit, idea detyruese është veshja (substratumi) i të gjitha degëve të shkencës juridike.Ai  kishte vënë re, gjithashtu, se juriskonsultët romakë kanë pasur si objekt kryesor të punës së tyre studimin e teorisë të përgjithshme të detyrimeve, dukuri këto që patën ngelur të pacënuara në rrjedhën e shekujve jo vetëm në pikat themelore, por edhe në hollësirat më të vogla. Ishin pikërisht këto cilësi të asaj kulture juridike shumë të madhe që patën shtyrë redaktorët e K.C. francez të mbështeteshin në këtë trashëgimi të vyer të juristëve romakë, aq më tepër që midis tyre kishin edhe shumë fusha të tjera takimi. Dhe, juristët tanë nëpërmjet Kodit francez të vitit 1804 morën  veprën e juris konsultëve romakë, e cila nga çdo pikëpamje ishte e përsosur.

Gjithësesi, përzgjedhja nga gjithë ajo lëndë, pranimi i saj, përpunimi dhe përshtatja sipas kushteve të vendit, do të ishte një ndërmarrje tepër e vështirë, e cila mund të kërkonte vite të tëra pune të mundimshme. Por, në ndonjë rast, redaktorët e Kodit Civil shqiptar i ndihmoi edhe fati. Franca dhe Italia, prej vitit 1917 deri më 1927 kishin ngritur komisione respektive në zbatim të një projekti, për të krijuar një të drejtë të vetme dhe kod të përbashkët të detyrimeve. Megjithëse komsioni i përbërë nga juristë të shquar francezë dhe italianë vijoi punën për dhjetë vjet. Deri në vitin 1927 nuk u arit konsensusi nga palët. Sidoqoftë ishte krijuar një material i përgatitur mjaft mirë, që nuk prekte asnjë prej parimeve të lëndës të detyrimevedhe kishte ruajtur në përgjithësi afrimin me të drejtën klasike romake të detyrimeve, duke mos mëtuar asnjë reformim themelor të këtyre parimeve. Prandaj, pas seleksionimit të disa legjislacioneve, vëmendja u përqendrua në dy prej tyre: ligjin civil francez dhe atë italian. Përsa i përket të drejtës së detyrimeve që trajton Kodi ynë Civil i vitit 1929, B.Benussi ka thënë: ”Kodi ynë s’asht tjetër veçse kopja besnike e projektit italo-francez dhe nuk përmban dallimin e burimeve të detyrimeve, duke filluar drejtpërdrejt  me trajtimin e rregullave të kontratës”.   

Kur prof. Benussi ditën e miratimit të K.Civil do ta quante : “ditë historike”, nuk e tepronte aspak. Personalitete të ndryshëm të rangut botëror, kanë vënë re rolin  që luajnë rregullat, ligjet dhe kodet e mira në ngjizjen dhe zhvillimin e një kombi të caktuar. Ndër ta, ushtaraku francez Pikté, që  më 1764, tre vjet para lindjes se Napoleon Bonapartit, në një letër të shkruar prej tij, që ruhet sot si dokument pati thënë: “Nuk janë  murret, as burrat që bëjnë atdheun: janë ligjet, zakonet, qeveria, kushtetuta, mënyra e të qenit që rrjedh nga e gjithë kjo. Atdheu gjendet në marrëdhëniet e shtetit me gjymtyrët e tij; kur këto marrëdhënie ndryshojnë ose dëmtohen, atdheu zhduket”. Pra vleresimi për ligjet kërkon mbështetjen dhe  qendrim të përbashkët të  shumicës  mbi atë që do të ndërtohet. Në ndërmarrje të tilla shfaqen vizionet  e qarta të individëve që kanë ndërtuar shtete dhe  kombe të fuqishëm.

Qeverisja e shqiptarëve para miratimit të legjislacionit modern

Gjendja juridike e shqiptarëve mbas krijimit të shtetit ishte  e pakënaqëshme. Mbi të gjitha, ajo nuk ka qenë unike, e përbashkët për të gjithë popullin, sidomos përsa u përket lirive dhe të drejtave civile. Organizimi i shqiptarëve në kohën e Perandorisë Osmane bëhej mbështetur në parimin e plurializmi juridik, që do të thotë, ligje të ndryshme dhe zbatim të ndryshëm në të njëjtin vend dhe për të njëjtin komb që flet e kupton një gjuhë, por qeveriset me ligje të ndryshme. Kjo nuk mund të mos sillte dëme të paparashikueshme. Myslimanët zbatonin Mexhelenë, të drejtën civile osmane, kodifikimi i së cilës ishte bërë qysh në gjysmën e dytë të sh.XIX, në vitin 1876. Megjithëse vëllimi i madh i lëndës (16 vëllime) ishte mjaft e vështirë për t’u asimiluar, për shkak të mos sistemimit, vështirësitë shtoheshin edhe mëtepër për shkak të mosnjohjes të jurisprudencës myslimane, fikh-ut, që do të thotë: mirëkuptuese, e gjithë pranuar. Nga ana tjetër, presioni  ushtrohej më tepër me anë të dogmave të Sheri’ah (sheriat-i në shqip), interpretimi i të cilave bëhej me anën e imamëve. Kur imamët ilinin predikimet të shkruara,këto merrnin vlerën e shkrimeve të shenjta. Imamët më të shquar krijuan shkolla (Medh’hebe) të veçanta juridike, mësimet e të cilëve zbatoheshin në vende të ndryshme myslimane. Shkollat vetë, emërtoheshin sipas emrave të imamëve.

Pavarësisht ndikimit të shkollave të tilla dhe doktrinave që ato zbatonin, nuk mund të thuhet se K.Civil Osman (Mexheleja) ishte i xhveshur prej misticizmit dhe dogmave të tjera. Pra, për një periudhë të gjatë, vendi i banuar prej shqiptarëve i ishte nënshtruar zbatimit të normave të Mexhelesë përsa u përket të drejtave civile, pronës, të drejtës së personit, të trashëgimisë ligjore (Faraizit), asaj testamentare (Vesajasë) etj. Por, përmbajtja e Mexhelesë nuk duhet parë si e shkeputur prej influencës së të drejtës hyjnore (Sheriatit), e cila kishte ndikim të fuqishëm në kontrollin e aparatit administrativ dhe gjyqsor.

Ortodoksët, nga ana e tyre zbatonin gjashtëvëllimshin (eksa biblinë) e Kostandin Armenopullosit, kryegjykatësit të Selanikut. Ndërsa katolikët zbatonin të drejtën kanonike, si e drejtë e veçantë e katoliçizmit. Duhet thënë se, doktrina katolike mbështetet kryesisht në Dhjatën e re; duke e shpallur martesën të shenjtë, katolikëve u ndalohej zgjidhja e martesës, ndryshe prej myslimanëve e ortodoksve që mund ta kërkonin këtë zgjidhje.

Ndikimi i Mexhelesë  dhe mospranimi për ta përshtatur e rivënë në fuqi atë në Kodin Civil të Vitit 1929

Për të dhënë drejtësi, nuk duhen mbajtur sytë nga qielli, por nga toka. Organizimi e vetqeverimi i njërëzve i nënshtrohet disa rregullave universale. Kësisoj, asnjë popull nuk do të ketë në gjirin e tij vjedhës, vrasës etj. Ky lloj qendrimi ka sjellë si pasojë ndëshkime afërsisht të njëllojta për fajtorët, të çdo vendi qofshin. Pra, dashur pa dashur është krijuar njëlloj marrëveshje e pa shkruar në këtë drejtim. Por, në kohët moderne, marrëveshjet jo vetëm shkruhen, por edhe zbatohen. Kështu ka ndodhur për dënimin e krimeve të luftës në përgjithësi dhe të disa veprave, si genocidi etj në drejtësinë kriminale, ose për të drejtën e autorit që ka të bëjë me pronësinë intelektuale, të drejtën private etj.

Klasa politike shqiptare e viteve ’20 - ’30 të shekullit të kaluar, këtë dukej që e kishte kuptuar më së miri.Reflekse të këtij kuptimi ishin ngritja e institucioneve, duke u mbështetur në modelet perëndimore, drejtimi i tyre prej nëpunësve të aftë dhe krijues, afrimidhe angazhimi i ekspertëve të huaj kur paraqitej nevoja, mospranimi i ndërhyrjeve që kishin interesa të ngushta nga çdo anë që të vinin, nga brenda ose jashtë vendit. Hartimi i kodeve iu besua një numeri të vogël specialistësh, të përgatitur në perëndim. Përmbajtja e ligjeve nuk i nënshtrohej asnjëlloj bisedimi gjatë fazës përgatitore të ligjit. Kjo nuk pengonte shqyrtimin e ligjit në komisione, parlament, senat apo këshillin e shtetit. Të gjitha këto institucione luanin rolin e një filtri të kujdeshëm që këqyrej nga njerës kompetentë. Koha për miratimin e ligjeve, për përgatitësit e tyre ishte me tepëri. Askush nuk ngutej apo të cytej prej të tjerëve, mbasi çdo ligj e aq më tepër kodet e rëndësishëm, nuk bëhen për disa muaj apo vite, por për dekada e ngadonjëherë edhe për shekuj, siç ndodhi me Kodin Civil Francez, i cili këtë muaj mbushi 219 vjet dhe është ende në veprim.

Prandaj, Kodi Civil i Shqipërisë hyri në fuqi më 1 prill të vitit 1929, por përgatitja e tij kishte filluar me kohë, derisa më 1927, Ministria e Drejtësisë porositi te shtypshkronja “VLORA” G. DIRETTORE & C. botimin e këtij Kodi si vepër të plotë. Kësisoj, lidhur me Kodin Civil të ri mund të thuhet se ai është më tepër produkt republikan se sa mbretëror. Por, roli i A. Zogut për përgatitjen dhe miratimin e legjislacionit modern ka qenë vendimtar. Kjo nismë pati filluar qysh në vitin 1926, në kohën kur ai ushtronte detyrën e Presidentit të Republikës. Megjithëse periudha presidenciale ka qenë përgjithësisht e shkurtër në kohë, vendi ishte paisur me kushtetutë (statut). Ishte në përgjithësi i njëjti akt që u shpall edhe mbas krijimit të monarkisë. Ndryshimi preku vetëm emërtimin e Kryetarit të Shtetit, nga President, në Mbret, dhe nga Republikë, në Monarki, duke shtuar për këtë të fundit disa rregulla nëpërmjet përcaktimit të vijës mashkullore, si vijuese e monarkisë shqiptare, si edhe ndonjë rregull tjetër.

Më 5 shtator 1928, i pari vit i Mbretërisë dhe sesioni i parë i parlamentit, u emërua qeveria e parë, me Kryeministër Koço Kotta e në të njëjtën kohë edhe ministër i Brendshëm, ndërsa ministër i Drejtësisë Hiqmet Delvina. Kjo qeveri ra më 13 janar 1929, ndërsa tri ditë më pas, 14 janar 1929 u ngarkua përsëri K. Kotta si Kryeministër e ministër i Brendshëm për të formuar qeverine e re. Përsëri Ministër i Drejtësisë u emërua  Hiqmet Delvina. Kjo qeveri, qendroi në fuqi gjer më 5 mars 1930. Gjatë këtij sesioni janë kryer më shumë se 40 seanca parlamentare ku bisedime të shumta ka pasur edhe për Kodin Civil. Koço Kotta se bashku me Agjah Libohovën, Thoma Orolloganë e Baltazar Benussin,

janë marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë me hartimin e Kodit Civil (Koço Kotta mund të jetë nga të paktët burra shteti, në mos i vetmi,i cili gjatë kohës që kryente detyrën e Kryeministrit humbi një gjyq për çështje pronësie me komshiun).

Pas miratimit të K.Civil, hynë në fuqi  ligji “Mbi Noterinë”,  Ligji “Mbi gjendjen civile”, që ishte pjesë e Kodit Civil të vitit 1929, ligji mbi organizimin gjyqësor, ligji mbi avokatinë, mbi Kodin Tregtar, i cili hyri në fuqi në vitin 1932 etj.

K.Civil i vitit 1929 duhet të zerë vendin që i përket

Ai Kod ka qenë dhe mbetet me plot kuptimin e fjalës modern. Madje, asnjë prej ligjeve civile të mbas Luftës IIBotërore nuk mund të krahasohej me atë Kod. Shteti shqiptar, që u krijua mbas Luftës, nuk mori guximin që ta shfuqizonte atë menjëherë, sepse e kishte arritur të kuptonte se, për shkak të rrethanave politike që u krijuan, hartimi i një lëgjislacioni të përshtatshëm do të ishte një ndërmarrje e vështirë, për të mos thënë e pamundur.Kjo nevojë solli ruajtjen e ligjeve të paraluftës ndër të cilët edhe K.Civil të vitit 1929, por jo për shumë kohë. Ndalimi i shfuqizimit tërësor të legjislacionit të vjetër u bë me një nen të vetëm: lejohej  çdo ligj i mëparshëm që nuk vinte në kundërshtim me frymën e re demokratike. Ndërkohë ishin dërguar në Jugoslavi studentët e parë për drejtësi, të cilët për arsyet që dihen nuk vazhduan gjatë në atë vend, por u shpërndanë në Bullgari, në BRSS e gjetkë. Gjithsesi, nga miqësia me sllavët e jugut na mbeti një  “çiban”, e ashtuquajtura “zadruga”, e përkthyer në shqip si “entitet bujqësor”, më vonë me emërtimin “familje bujqësore”, siç qëndron edhe sot. Qëllimi i vendosjes së këtij institucioni ka qenë vetëm pengimi i lëvizjes së popullsisë nga fshati në qytet. Sipas rregullit, çdo shtetas që largohej nga fshati për më shumë se tre vjet, humbiste çdo të drejtë mbi tokën apo çdo pasuri tjetër të familjes bujqësore.

Kodi Civil i vitit 1929 nuk e njihte familjen bujqësore, mirëpo ai kishte filluar shkërmoqjen, para se të shfuqizohej. Madje erdhi koha që edhe Kodi Civil i vitit 1982 të binte nga fuqia. Shumëkush shpresonte të rivendosej Kodi Civil i vitit 1929, por më kot. Kodi i ri civil, që hyri në fuqi më 1 nëntor 1994 rivendosi pa asnjë arsye familjen bujqësore.Mbajti në fuqi të gjitha ato institute të së Drejtës Civile Sovietike, në një kohë kur Bashkimi Sovjetik së bashku me ligjet e tij kishte pushuar së ekzistuari qysh më 1991.U ruajt ligji “Mbi veprimet juridike”, ligji “Mbi trashëgiminë”, që është pjesë e një sistemi të shpikur në B.S., i ashtuquajturi “sistem i fitimit të trashëgimisë”, kur Evropa, si edhe K.C. i vitit 1929 zbaton me shekuj “sistemin e pranimit të trashëgimisë”.

Puna e dobët që është bërë me këtë Kod të 1994-s, nuk mund të mbulohet me kozmetikë fallco; nuk mund të quhet modern një kod vetëm duke u “pudrosur” me dy kontrata të reja: Franshizën dhe Liezingun. Në faqet e tij gjen edhe dispozita të marra nga K.Civil i vitit 1929, por nuk thuhet se nga janë marrë, përveçse shtrembërohen alla shqiptarçe. Kur K.Civil i vitit 1929 ka përmendur me hollësi çdo dispozitë të huazuar nga kodet e tjera, nuk ka pse të mos e bëjnë këtë edhe juristët e sotëm. Jo vetëm që duhet përmendur ligji prej nga janë marrë dispozita të caktuara, por të përmenden edhe dispozitat e mëparshme që kanë rregulluar të njëjtën çështje. Kësisoj, bie fjala, për të vdekurin e kohës kur ka vepruar K.C. i vitit 1929, do të zbatohet ligji trashëgimor i atij Kodi. Trashëgimia e rregulluar sipas K.C. të 1 nëntorit 1994 do të zbatohet për të vdekurit nga ajo ditë e gjer sa të qendrojë në fuqi ai ligj. Prandaj,në botimet e kodeve të ndryshëm është e nevojshme të vihen karshi për karshi ligji ri me të vjetrin. Parlamenti shqiptar i sotëm miraton ligje për “trashëgiminë kulturore”, po për ruajtjen dhe përshtatjen e  K.Civil të vitit 1929, që është një monument i  vërtetë juridik, a do të dalë një ligj për ta mbrojtur dhe vënë në funksionim atë?

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen