Mediat greke hedhin dritë mbi sasinë e konsiderueshme të drogës që u kap pasditen e djeshme në një fshat 30 km larg nga Athina, Greqi.

Mbi 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis u gjet në një kamion i cili dyshohet se kishte mbërritur nga Shqipëria. Janë mediat greke që shkojnë edhe më tej, duke zbuluar edhe dërguesin e sasisë së drogës, i cili sipas tyre është i shumë kërkuari, i njohur si "Eskobari i Ballkanit", Klement Balili. 

Një nga gazetat më të mëdha ne Greqi, “Ethnos”, shkruan sot se: “Pas dërgimit në Greqi të ngarkesës prej 1 ton kanabis, është një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës, i lidhur me 44-vjeçarin shqiptar, Klement Balili, që njihet edhe si "Eskobar i Ballkanit"”.

Në versionin online të gazetetës Ethnos, shkruhet: “Eskobari shqiptar me një ton kanabis”.

Më tej, gazeta vë në dukje se autoritetet greke kanë lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti ndaj Klement Balilit, si drejtues dhe financues i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.

“Megjithëse autoritetet shqiptare kanë filluar procedurat përkatëse, 44-vjeçari nuk është arrestuar ende”, thekson gazeta greke “Ethnos”.

Klement Balili është shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike. Balili njihet nga mediat greke me nofkën "Eskobari i Ballkanit", ndërsa identifikohet si një nga kapot më të mëdhenj të drogës në Ballkan. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com