Avioni Malaysia Airlines MH370 bën një vit nga zhdukja dhe ministri malajzian i Transportit tha se nëse avioni nuk gjendet deri në fund të majit, tre vendet të përfshira në operacionin e kërkimit në Oqeanin Jugor indian do të shqyrtojnë informacionet që disponojnë deri më tani dhe do të përpilojnë një plan të ri kërkimi. 

Ministri Liow Tiong Lai deklaron se mbetet optimist se avioni mund të gjendet në rajonin ku po bëhen kërkimet. Ai njoftoi për një takim të ri të përfaqësuesve të Australisë, Malajzisë dhe Kinës muajin e ardhshëm, ku do të diskutohet për investigimet e deritanishme dhe rezultatet e operacioneve. Avioni i fluturimit MH370 nga Kuala Lumpur në Pekin, u zhduk më 8 mars të vitit të kaluar, me 239 persona në bord. Familjarët vazhdojnë të luten për zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre, ndërsa akuzojnë autoritetet Malayziane se po fshehin informacione.


Redaksia Online
(f.i/Shqiptarja.com)