10 ditë nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës, Osmani takon komandantin e KFOR! Zv.kryeministri Bislimi: Ka pasur plan ruso-serb që të digjej pika kufitare e Jarinjës

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar. Sot bëhen dhjetë ditë që nga vendosja e barrikadave në disa rrugë kryesore në tri komuna veriore të Kosovës, në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Deri më tani barrikadat po qëndrojnë pavarësisht kërkesave për largim të menjëhershëm të tyre.

Pas tensioneve, Policia e Kosovës vendosi për mbylljen e vendkalimeve në Jarinje dhe Bërnjak. Në anë tjetër mediat serbe raportojnë se nxënësit e shkollave fillore do të kthehen sot në mësim teksa ata të arsimit të lartë do të zhvillojnë mësimin online.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ka pasur “plan ruso-serb” që të dielën, më 18 dhjetor, të digjej pika kufitare e Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë. Sipas Bislimit, nga të dhënat e institucioneve të sigurisë, del se "autori i vërtetë" i ngjarjeve në Jarinjë ishte presidenti rus, Vladimir Putin.

Ai tha se plani për djegien e pikës kufitare u parandalua nga institucionet e sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim “me partnerët perëndimorë, veçmas amerikanët”.

Për të diskutuar rreth zhvillimeve e fundit dhe sigurinë në Veri, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.

Dhjetëra protestues nga Serbia u mblodhën pasditen e së dielës pranë kufirit me Kosovë, më konkretisht afër pikës kufitare në Jarinjë, nën pretendimet se duan “të zhbllokojnë kalimin për serbët”. Ata dogjën pankarta, shanë misionin e KFOR-it, ndërsa dëgjoheshin edhe shpërthime e madje tentuan edhe ta kalojnë kufirin.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë shtuar prezencën në veri të Kosovës. Por jo vetëm vazhdimi i bllokadës në rrugët kryesore të organizuar nga serbët lokalë është arsye për këtë. Shtimi i konsiderueshëm i trupave të KFOR-it u bë pasi grupe nga Serbia organizuan një protestë në anën serbe të kufirit me Kosovën në Jarinje dhe u përpoqën të hynin në Kosovë, por u ndaluan me dhunë nga policia e Serbisë. Protesta u organizua nga grupe djathtiste nga Serbia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:03
Kurti kërkon mbështetjen e ambasadorëve: T'i kundërvihen propagandës serbe

1671452008_6362e3593563dalbinkurti.jpg

Sot në Prishtinë është mbajtur Konferenca e 6 e Ambasadorëve, konferencë në të cilën mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.  Shefi i ekzekutivit mes tjerash në fjalën e rastit ka kërkuar mbështetjen e ambasadorëve për t'iu kundërvuar propagandës serbe.

Sipas tij, Serbia nuk mund ta tradhtojë lehtë Rusinë sa u përket marrëdhënieve të ngushta të këtyre dy vendeve. Tutje ai shtoi se kjo gjë mund të ndodhë vetëm me një transformim rrënjësor të këtij vendi.

“Serbia nuk mund ta tradhtojë lehtë Rusinë pa pësuar një transformim rrënjësor, sepse ajo e sheh veten si projekt të pushtimit sllav në vazhdimësi. Këto dy gjëra duhet t’u themi me kujdes dhe durim perëndimorëve. Mjafton t’u tregojmë se ekstremet e tyre janë larg Kosovës. Duhet t’u themi se Jugosllavia e atëhershme si platformë për Serbi të madhe ndërtohej i tëri mbi dhunimin e shqiptarëve, për çfarë ka shifra, artikuj e libra”, ka thënë Kurti.

Gjatë këtij fjalimi, Kurti ka pohuar se Serbia nuk është e mjaftueshme nga ajo se çfarë i ofron perëndimi dhe se e mendon veten si bijë të Rusisë.

“’Perëndia serbe’, nuk është e mjaftuar me sakrificën e pjesshme që ia ofroi perëndimi demokratik, sepse e mendon veten bijë të ‘Perëndisë ruse’ dhe ashtu si Pjetëri i Madh që mori gjithçka që i nevojitej për t’i përdorur më vonë nënshkrimin e të gjithë Evropës ndaj Rusisë ashtu merr Serbia nga Perëndimi sakrificat e pjesshme për nënshtrimin e të gjithë Ballkanit. Vetëm më këtë flejim të plotë ‘Përendia Serbe’, mund të ndihet në paqe me vetën”, ka vazhduar ai.

Ora 22:21
Tensionet në veri, Osmani takohet me komandantin e KFOR

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia. Ata kanë biseduar për zhvillimet e fundit dhe sigurinë në Kosovën. Ende nuk janë dhënë detaje të tjera nga ky takim.

Ora 18:59
Thyerja e xhamave të disa lokaleve në Veri, policia e Kosovës: Mund të jetë vepër e strukturave kriminale

Në mediat kosovare u raportua se në Veri të Kosovës janë thyer xhamat e disa lokaleve. Pas kësaj, ka pasur një reagim zyrtar nga ana e policisë e cila konfirmon se kanë ndodhur incidente, dhe kjo dyshohet se mund të jetë vepër e strukturave kriminale.

Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në Mitrovicën e veriut, konkretisht afër udhëkryqit te shkolla teknike ku u raportua për një shpërthim të një bombe çorientuese (shok bombe). Si pasojë shpërthimit pati thyerje të disa xhamave në katër lokale, në dy prej të cilave nuk zhvillohet ndonjë biznes.

“Me datën 19.12.2022, rreth orës 02:20, gjatë natës, në Mitrovicën e veriut, konkretisht afër udhëkryqit te shkolla teknike është raportuar për një shpërthim të një bombe çorientuese (shok bombe).

Si pasojë e këtij shpërthimi janë raportuar thyerje të disa xhamave në katër lokale, në dy prej të cilave nuk zhvillohet ndonjë biznes.

Sipas informacioneve fillestare dyshohet se shpërthimi mund të jetë veprim kriminal nga strukturat e organizuara kriminale dhe vazhdim i përpjekjeve për të ngritur tensione dhe destabilizim të situatës, në funksion të shtrirjes së ndjenjës së pasigurisë dhe frikës.

Policia e Kosovës me njësitet e saj, përfshirë edhe njësinë kundër terrorizmit po ndërmerr veprime intensive në hetimin e këtij rasti për identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të kryerësve të këtyre veprave kriminale.

Fushatat propaganduese të ditëve të fundit nga qarqe politike e media kryesisht serbe, kundërshtohen fuqishëm nga Policia e Kosovës dhe kërkohet nga qytetarët dhe mediat në përgjithësi që çdo informacion të ndjeshëm ta konfirmojnë përmes autoriteteve kompetente, respektivisht zyrës për media në Policinë e Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë dhe posedimit të informatave të sakta dhe në kohë reale.”, njofton Policia e Kosovës.

Ora 18:09
Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova u ndalua në Merdare, Rohde kritikon Listën Serbe për mosreagim: Standarde të dyfishta?

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde ka pasur ditën e sotme një  reagim pasi Rada Trajkoviç, këshilltarja e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç, u ndalua nga policia serbe në pikën kufitare Merdare dhe nuk e lejonin të hynte në Serbi.

Ambasadori Rohde e konsideron si të papranueshëm trajtimin që i  është bërë aktivistes serbe dhe përmend mos -reagimin nga ana e “Listës Serbe”.

“I papranueshëm trajtimi i aktivistes serbe nga Kosova, Rada Rrajkoviç. Vë re se Lista Serbe nuk ka pasur asnjë reagim. Standarde të dyfishta?”, shkruan Rohde në Twitter.

Ditën e premte, Trajkoviç, e cila është  këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiç u pengua të kalonte nga autoritetet kufitare serbe në pikën kufitare Merdare, ku qëndroi prej disa orëve, por për shkak të gjendjes shëndetësore u dërgua në spital dhe një ditë më vonë gjendja e saj u përmirësua dhe la ambientet e spitalit.

Ora 16:19
Barrikadat e vendosura në veri, policia e Kosovës: Jemi në terren për të parandaluar sulmet nga bandat kriminale

1671214514_Screenshot4.jpg

Policia e Kosovës ka shprehur angazhimin e plotë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në veri të Kosovës për shkak të situatës së krijuar nga barrikadat e vendosura. Nëpërmjet një postimi në facebook, policia bën me dije se ishin marrë masat e nevojshme për parandalimin e akteve kriminale që organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale.

“Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.

Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara në veri të vendit, Policia e Kosovës po angazhohet me të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime, si dhe të punojë në parandalimin e akteve kriminale, të cilat po organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës”-shkruhet në reagim.

Ora 15:21
Zv.kryeministri i Kosovës: Ka pasur plan ruso-serb që të digjej pika kufitare e Jarinjës

1671366282_FkQljPPXkAAPcL.jpg

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ka pasur “plan ruso-serb” që të dielën, më 18 dhjetor, të digjej pika kufitare e Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë. Sipas Bislimit, nga të dhënat e institucioneve të sigurisë, del se "autori i vërtetë" i ngjarjeve në Jarinjë ishte presidenti rus, Vladimir Putin.

Ai tha se plani për djegien e pikës kufitare u parandalua nga institucionet e sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim “me partnerët perëndimorë, veçmas amerikanët”.

Në anën serbe të Jarinjës, më 18 dhjetor është mbajtur një protestë e thirrur nga grupet djathtiste serbe, në shenjë mbështetjeje ndaj barrikadave që disa serbë lokalë kanë ngritur në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori.

“Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte”, shkroi Bislimi në Facebook.

Bislimi po ashtu tha se intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës “është rritur ndjeshëm”.

Ora 13:12
Tensionet në veri/ Kurti: Kërkesa e Serbisë ndaj KFOR-it, tregues se kanë mbetur në shekujt e kaluar! Shprehje e pafuqisë së tyre

1671452008_6362e3593563dalbinkurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për situatën në veri dhe barrikadat, që po shënojnë ditën e dhjetë prej kur janë vendosur, ka thënë se KFOR-i “ka kërkuar edhe pak kohë” prej qeverisë së vendit.

“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë.” – shtoi tutje ai.

Kurti ka folur edhe për kërkesën e Serbisë ndaj KFOR-it për mundësimin e vendosjes së një mijë trupave ushtarake në veri të Kosovës, duke thënë se “natyrisht, kjo është një kërkesë jo reale”.

“Ata e kanë bërë një kërkesë KFOR-it me sa di, tash natyrisht ajo është një kërkesë jo reale e cila flet më shumë për ata sesa për vendin tonë, kurrë nuk ka pasur nevoje për ushtarë serbë në Republikën e Kosovës, kurrë nuk ka pasur nevojë për ushtarë serb në shekullin e 20-të e as 19-të, tash kërkesa e tyre më shumë tregon se ata kanë ngelur në shekullin nëntëmbëdhjetë dhe njëzet. Me këto kërkesa ata po na e tregojnë neve që e dimë mirë se kush janë, se kush janë edhe për ata që kanë pas dilema se ata kush janë. Natyrisht që NATO do të jetë kundër e po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vinë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët këta pretendojnë se t’i sjellin në vendin tonë. Pra më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre.” - tha Kurti.

Ora 12:12
Situata tensionuese në veri të Kosovës, Kryetari i Lidhjes Demokratike: Barrikadat po konsiderohen të zakonshme, qeveria duhet të kërkojë ndihmë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reagur në lidhje me situatën tensionuese në veri të Kosovës duke thënë se është shqetësuese që barrikadat po konsiderohen si “të zakonshme.” Sipas tij, është Albin Kurti ai që ka rënë në kurthin e Serbisë pasi nuk ka sovranitet në veri dhe nuk ka më as pushtet në atë zonë.

“Albin Kurti nuk ka as edhe një plan shtetëror për të ballafaquar gjendjen në veri”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Ai madje komenton edhe gjendjen e institucioneve në Kosovë, ku sipas tij vendi është në një vakum administrativ dhe nuk mund të organizojë zgjedhje demokratike.

“Barrikadat e grupeve kriminale po bëhen tashmë të zakonshme, siç po bëhet i zakonshëm dhe moszëvendësimi i qindra policëve të dorëhequr, prokurorëve, gjyqtarëve e punëtorëve administrativ në veri që s’ushtrojnë detyrat pa të cilat shteti nuk ka përfaqësim. Për më tepër, sot Kosova as nuk ka institucione shtetërore në veri e as që mund të organizojë zgjedhje demokratike për t’i zgjedhur këto institucione aty. Pra jemi në vakum administrativ. Nëse ishte keq e rëndë në Veri, sot është dhe më keq e edhe më rëndë se që ishte paraprakisht. Kjo është e vërteta në veri dhe këtë të vërtetë institucionet e Kosovës s’mund ta lejojnë të normalizohet tani”, ka shtuar Abdixhiku,

Ai thotë se sot “humbasin dhe zërat që i kërkonin Kosovës t’i shpërfaqë sovranitetin aleatëve tanë, tek po të njëjtit aleatë që thirremi sot për ndihmë kur bandat kriminale të Serbisë e Rusisë veprojnë në territorin tonë lirshëm e pa pengim”.

Ai është i mendimit që qeverisë së Kosovës i duhet ndihma e ndërkombëtarëve për të koordinuar dhe pasur në kontroll situatën.

“Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë. Nga aty të koordinojë çdo hap të ardhshëm me aleatë për të kthyer rendin e ligjin në veri. Sjellja e vonuar, apo e pakoordinuar, është vazhdimësi e rënies në kurthin e Serbisë”, ka shtuar ai.

Ora 08:43
Vajza e Trajkoviç ndalohet në aeroportin e Beogradit, Këshilltarja e Ministrit të Kosovës: Kjo kalon çdo masë

Këshilltarja e Ministrit të Kosovës për Komunitete dhe Kthim, Rada Trajkoviç ka treguar se vajza e saj është ndaluar në aeroportin e Beogradit nga policia kufitare. Trajkoviç përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter ka shkruar se kjo kalon çdo masë.

“Vajza ime e cila është shtetase britanike, sapo ka zbritur në aeroportin e Beogradit. Ajo u ndalua nga policia kufitare. Kjo është përtej çdo mase”, shkroi Trajkoviç.

Edhe vetë Trajkovic ka patur probleme më parë. Më 15 dhjetor u ndalua në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdare. Këshilltarja e Ministrit të Kosovës për Komunitete dhe Kthim shpesh kritikon politikat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Ditë më parë, Trajkoviç ka thënë se, përveç kërcënimeve ndaj saj për përfshirjen politike në Qeverinë e Kosovës, kërcënime kanë nisur të kenë edhe fëmijët e saj. Më 15 dhjetor, Trajkoviç është takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Emërimi i Nenad Rashiçit dhe Trajkoviçit është kritikuar nga Beogradi zyrtar.

G.MO/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 19/12/2022 15:34

    Ky Kurti po behet ekstremist duke mos pranuar asgje madje dhe duke agravuar situaten por duhet te kuptoj nje gje nese nuk vendosen maredhenie te mira me Serbin nuk mind te jetoje populli i qete ne Kosove dhe rajon . Tani nuk po degjon as nderkombetaret qe pa ata keta jane zero se e dime sa force kane prandaj uluni ne bisedime dhe lerini nacionalizmat e semure dhe provokimet per cdo problem ka nje zgjidhje paqesore nese duan palet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi urdhëron ekstradimin në SHBA të ish-bosit koreanojugor të kompanisë së kriptomonedhave

Mali i Zi urdhëron ekstradimin në SHBA të ish-bosit koreanojugor të kompanisë së kriptomonedhave