10 milion euro prona po
shkojnë drejt ekzekutimit

10 milion euro prona po<br />shkojnë drejt ekzekutimit
TIRANE - Pas “bumit” të kreditimit bankar, që u përjetua në vitet 2006-2009, shqiptarët po përjetojnë aktualisht “bumin” e ekzekutimit të kolateraleve, që kanë lënë peng për të marrë kredi, të cilat më pas nuk kanë mundësi t’i paguajnë, kryesisht për shkak të pasojave të krizës.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, zëri i “të ardhurave neto të jashtëzakonshme” të bankave, që, në pjesën dërrmuese, përbëhet nga të ardhurat nga ekzekutimi i kolateralit, për vitin 2012 kishte vlerën 1.35 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2011, të ardhurat nga ky zë kanë njohur një rritje me rreth 38%.

Për vitin 2012 sistemi bankar vijoi ta përmirësojë rezultatin financiar dhe një ndër faktorët ishin edhe të ardhurat nga ekzekutimi i kolateraleve. Kjo shifër reflekton rritjen e kolateralit të çuar për ekzekutim të detyrueshëm, ndërsa ende nuk tregon ndonjë përmirësim të ritmeve të ekzekutimit real.

Vlera e të ardhurave nga ekzekutimi i kolateralit për vitin 2012 përbënte vetëm 3.2% të vlerës së kredive të klasifikuara si “të humbura” në fund të vitit. Ky raport është pothuajse i njëjtë me vitin 2011 dhe tregon që rikthimi i të ardhurave nga ekzekutimi i kredive nuk ka pasur ndonjë rritje domethënëse vit pas viti.

Zvarritjet në procesin e ekzekutimit të kolateralit kanë qenë shqetësimi kryesor i industrisë bankare dhe tema qendrore e lobimit të Shoqatës së Bankave në dy vitet e fundit.

Ndërkohë, kriza ekonomike ka prekur kërkesën për pasuri të paluajtshme dhe vlerën e tyre në treg. Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimimeve të banesave në Tiranë për vitin 2012 ra me rreth 12% me bazë vjetore.

Nga ana tjetër, vështirësi për bankat përbën fakti se, edhe kur procesi ligjor i ekzekutimit përmbushet, për to është e vështirë të gjejnë blerës të kolateralit. Kjo ka rritur numrin e pasurive të paluajtshme që bankat janë detyruar t’i marrin në pronësi dhe të kërkojnë vetë blerës për to.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën