TIRANE - Qeveria jo vetëm do të përdorë informatorë për të mbikëqyrur tatimorët dhe për të verifikuar lëshimin e kuponëve nga bizneset, por ka parashikuar edhe t’i shpërblejë e t’u mbulojë shpenzimet. Përmes një vendimi të miratuar në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka vënë në dispozicion të administratës Tatimore afërisht 100 mijë dollarë për shpërblimin e informatorëve si dhe për blerjen e mallrave për të verifikuar nëse subjektet lëshojnë apo jo kupona.

“Ministrisë së Financave, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, t'i shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për shpenzime korrente, në programin “Menaxhimi i të ardhurave tatimore Rregullat e masa e shpërblimit të informatorëve dhe procedura e masa e shpenzimit për blerje të mallrave dhe shërbimeve në subjektet tatimpaguese, sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave”, përcakton Këshilli i Ministrave.

Shpenzimet
Kryeministria përcakton në vendim se ky fond të përdoret nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për përballimin e shpenzimeve që kryhen në kuadër të nismës kundër informalitetit dhe që lidhen me: shpërblimin e informatorëve të jashtëm, për shkeljet e dyshuara dhe të vërtetuara nga administrata tatimore në fushën e përdorimit të pajisjeve fiskale nga subjektet tatimpaguese; blerjen e mallrave dhe shërbimeve, nga punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për verifikimin në vend të subjekteve tatimpaguese, për përdorimin e pajisjeve fiskale.

“Fondi, në shumën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, i shtuar sipas pikës 1, të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave” thekson vendimi i cili ngarkon Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e tij.

Spiunët
Angazhimi i informatorëve në fushatën kundër evazionit fiskal u pranua në shtator nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani. Cani paralajmëroi përfshirjen e këtyre persona të cilët duhet të verifikojnë në mënyrë sekrete pa u njohur nga biznesi se nëse lëshohet ajo kuponi, nëse zbatohet çmimi i duhur, nëse biznesi i madh zbaton ato çmime të cilat raportojnë apo janë çmimet më të larta.

Nga ana tjetër, tatimorët paraqiten nëpër biznese si klientë, duke blerë mallra e shërbime për të verifikuar nësë njësitë lëshojnë apo jo kupon tatimor dhe nëse ai pasqyron vlerën reale të shërbimit.

Aksioni
Nga 1 shtatori ka nisur zyrtarisht faza e dytë e aksionit kundër informalitetit, përmes 600 grupesh pune të administratës tatimore të shpërndara në gjithë territorin e vendit. Siç është përsëritur vazhdimisht së fundmi nga ana e zyrtarëve të lartë, në këtë fazë, bizneset në shkelje të ligjit do të përballen me masa që shkojnë nga gjobat, te kon􀂿 skimi e deri te ndjekje penale.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:
V E N D I M
 
PËR
 
 NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2015, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936,  datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 13, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të  ndryshuar, dhe ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Ministrisë së Financave, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, t'i shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për shpenzime korrente, në programin “Menaxhimi i të ardhurave tatimore”. 
 
2. Ky fond të përdoret nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për përballimin e shpenzimeve që kryhen në kuadër të nismës kundër informalitetit dhe që lidhen me:
 
a) shpërblimin e informatorëve të jashtëm, për shkeljet e dyshuara dhe të vërtetuara nga administrata tatimore në fushën e përdorimit të pajisjeve fiskale nga subjektet tatimpaguese;
b) blerjen e mallrave dhe shërbimeve, nga punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për verifikimin në vend të subjekteve tatimpaguese, për përdorimin e pajisjeve fiskale. 
 
3. Rregullat e masa e shpërblimit të informatorëve dhe procedura e masa e shpenzimit për blerje të mallrave dhe shërbimeve në subjektet tatimpaguese, sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave. 
 
4. Fondi, në shumën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, i shtuar sipas pikës 1, të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
 
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI  RAMA
 
Në mungesë dhe me porosi
 
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
 
NIKO PELESHI

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)