BALLSH-Ka hyrë në ditën e dytë greva e urisë së 10 naftëtarëve nga 870 punëtorë që ka në total uzina e rafinerisë. Kërkesa e tyre është paga e 5 muajve që nuk kanë marrë nga kompanitë 'Bylys dhe Tosk Energji", ndërsa në total, u shpreh njëri prej naftëtarëve, nuk kanë marrë 24 paga. Alban Muça, njëri nga naftëtarët, që tha se ka 20 vite që punon në rafineri i kërkon qeverisë që të mos sjellë firma fantazmë në Mallkastër.
"Ne duam pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës në uzinën e Ballshit. Me këtë firmë kemi 5 muaj që nuk kemi marrë pagat. Në total shkojnë 24 paga pa marrë edhe nga firmat e tjera. Ne jemi 10 punonjës që përfaqësojmë familjet tona dhe 870 punëtorëve për të drejtat tona dhe kërkojmë bukën tonë. Na pinë gjakun dhe po na hedhin në rrugë. Kryeministrit dhe 16 deputetëve të Fierit u bën thirrje. Jam babai i dy vajzave dhe një djali.
Gjendja shëndetësore e grevistëve nuk është e keqe, por shokët i kemi të sëmurë. Pa u plotësuar kushtet e naftëtarëve ne nuk lëshojmë grevën, vetëm të vdekur ikim këtej. Ata janë thjeshtë mashtruesa, të paguajnë sigurimet dhe të lënë me një pagë 230 mijë lekë...Shteti është si babai që mbledh fëmijët në darkë, shteti të gjejë dhe të na japë bukën e gojës. Nuk kam lekë që të paguaj çerdhen, fëmijët dhe të ushqehem. Mallakastriotët po flenë mbi florinj dhe të jemi në këtë gjendje. Mos sillni firma fantazma në Mallakastër, nuk jemi pula që të na fusni në kotec" tha ai.
Mbi kokat e tyre në ambientin që po zhvillojnë grevën, naftëtarët kanë vendosur disa pankarta me mbishkrime duke i kërkuar ndihmë qeverisë, kryetarit të Kuvendit dhe prokurorit të përgjithshëm. "Zoti Kryeministër kërkojmë pagat tona, jo lëmoshë", "Zoti Rama na punëso, mos na dëbo, "Zoti Kryeministër nuk jemi shqiptarë që rrimë kafeneve por jemi shqiptarë që kërkojmë punë", 'Deputetë të qarkut na mbron nga hajdutët", "Znj Balluku na lejo të rrisim dhe arsimojmë fëmijët tanë këtu", "Zoti Ruçi ju mund ti jepni zgjidhje", "Zoti prokuror i përgjithshëm shpenzo një orë nga dita jote e punës për Uzinën e Ballshit".
Ndërsa një tjetër naftëtar tha se nuk kanë bukë në shtëpi dhe se vetëm të vdekur mund të nga greva. "Kërkojmë që të na ndihmojë shteti, pasi familjet i kemi pa bukë. Kemi besim te kryeministri se do të na ndihmojë. Takimi që bëmë me përfaqësuesit e kompanisë dështoi, pasi ata kërkojnë që ne të fillojmë kontratën e re nga muaji mars i këtij viti duke hedhur poshtë punën e 5 muajve. Ne do të qëndrojmë këtu deri në vdekje, nuk ikim pa marrë lekët" tha ai për Report Tv.
Naftëtarët e Ballshit në grevë dhe pankartat
Por kjo nuk është greva e vetme e urisë në Ballsh. Sot ka hyrë në ditën e gjashtë greva e urisë së punonjësve të stacionit elektrik dhe të pompimit në Poçëm. Gazetari i Report Tv Kristaq Thano raporton se gjendja e 14 grevistëve vijon që të rëndohet, 4 prej tyre janë me probleme. Infermierja Majlinda Resuli u shpreh për Report Tv se 'dy prej tyre janë me serum dhe nuk pranojnë që të shkojnë në spital'. Dy grupet e grevistëve varen nga të njëjtat firma 'Bylys dhe Tosk Energji" te Uzina e naftës në Ballsh, e cila pas privatizimit ka ndryshuar brenda një kohe të shkurtër shumë pronar.
Rëndohet gjendja shëndetësore e njërit prej 10 naftëtarëve të Ballshit në ditën e 10 të grevës së urisë. Baçi Muça ka shfaqur probleme shëndetësore, si temeperaturë të lartë. Lidhur me këtë situatë është njoftuar ambulanca, ndërkohë që në orët e pasdites në katin e dytë të Uzinës ku po zhvillohet greva e urisë kanë mbërritur edhe dy përfaqësues të Avokatit të Popullit.
Pasditen e së martës, dy përfaqësues të Avokatit të Popullit, kanë vizituar grevistët e Poçemit dhe ato të Ballshit, të cilët kërkojnë marrjen e rrogave të prapambetura. Ata kanë dëgjuar ankesat dhe kërkesat e grevistëve, të cilët kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura pasi kanë familje dhe fëmijë për të mbajtur.
10 naftëtarë në Ballsh kanë hyrë në ditën e dytë të grevës së urisë, pasi kanë 5 muaj pa marrë pagat e tyre, ndërsa 14 grevistët e Poçemit, të cilët punojnë në stacionin elektrik kanë hyrë në ditën e 6 të grevës së urisë dhe gjendja e tyre vijon të rëndohet.
Dy grupet e grevistëve varen nga të njëjtat firma 'Bylys dhe Tosk Energji" te Uzina e naftës në Ballsh, e cila pas privatizimit ka ndryshuar brenda një kohe të shkurtër shumë pronarë. Përfaqësues të kompanisë zhvilluan të hënën një takim me naftëtarët, ku pranuan që të firmonin kontratat e punës me ta, por jo të paguanin borxhet dhe detyrimet e prapambetura.
Tani qe me ju po merret Nafije Dybeku i leshitlikes me siguri qe hallet tuaja do zgjidhen
Përgjigju