100 vite pa Ismail Qemalin, akademiku: S’kemi fonde nga shteti, do kërkojmë mbështetjen e biznesmenëve

Nga Valeria Dedaj

Plaku me mjekër të bardhë dhe flokë të thinjur, i veshur saherë në kostum të zi, njihet nga çdo shqiptar, si babai i pavarësisë. Firmëtari i Deklaratës së Pavarëisë, i cili në këtë 24 janar bën plot 100-vite, që është ndarë nga jeta bëri çdo gjë që kombi i tij të jetë i pavarur. Prandaj, nderimi për të është i padiskutueshëm nga historianët, akademikët dhe studiuesit. Por, a mjafton vetëm dëshira e mirë, që ata kanë? Për “ReportTV” drejtori i Akademisë së Studimeve të Albanologjisë, Marenglen Verli flet për punën përgatitore që po bëjnë për këtë datë të shënuar

Instituti i Historisë që është pjesë e Akademisë së Studimeve Albanologjike ka bërë projektet e veta edhe për këtë vit, sikundër çdo vit. Ky vit ka qëlluar që të ketë përvjetorin e ndarjes nga jeta, të një figure të madhe të kombit tonë, Ismail Qemalit, babait të pavarësisë. Edhe në këtë kuadër në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave edhe bashkinë e Vlorës ne nisim me një konferencë shkencore, për të pasuar me rreth shtatë botime dokumentare, që i përkasin dokumenteve diplomatike italiane edhe austro-hungareze për vitet 1912-’14. Është një periudhë ku veprimtaria e atdhetarëve shqiptarë edhe e Ismail Qemalit është e spikatur si asnjëherë. Ndërsa, një konferencë, besoj se do të jetë ndërkombëtare në qershor të këtij viti, besoj se do ta çojë më tej studimin që hapin e parë e ka pasur në vitin 2012.

Marenglen Verli, drejtor i Akademisë së Studimeve të Albanologjisë

Shtatë vëllimet kanë në qendër jetën diplomatike edhe personale të Ismail Qemalit

Dokumentet diplomatike kanë detaje të imta, figura e Ismail Qemalit është studiuar edhe vlerësuar ashtu edhe si momenti i Pavarësisë pas 1912-ës. Tani besojmë se duke botuar vazhdimisht këto dokumente do të kemi edhe risi për jetën t tij, detaje të jetës politike edhe jetës personale”, u shpreh Verli.

Departamenti i studimeve albanologjike ka vetëm gjashtë historianë, nga 17 që janë të gjithë edhe që duhet të mbulojnë historinë e 2000 vjetëve. Ndërsa, nga ana tjetër buxheti për projekte të tilla është minimal. Drejtori i institutit të Historisë, Beqir Meta thotë se:

Ne nga qeveria nuk kemi asnjë mbështetje. Kjo është e vërteta. Konferencën që do të mbajmë në Vlorë do ta financojë bashkia e Vlorës. Për konferencën që do mbajmë në qershor do ta financojmë nga buxheti ynë. Me kursime të mëdha, kemi kursyer 500 mijë lekë. Është shumë problem për ne, por do të shtrëngojmë fonde të tjera, me qëllim që të realizojmë atë që përfaqëson Ismail Qemali. Jemi në kërkim të fondeve edhe donacioneve, por duke pasur edhe eksperiencat e viteve të kaluara nuk jemi shumë optimistë. Por, do t’ju drejtohemi donatorëve, biznesmenëve edhe njerëzve dashamirës që të mbështesin botimin e këtyre dokumenteve.

Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë

Historiani Meta kujton edhe një herë atë çka ndodhi në vitin 2012 me Ismail Qemalin, ku statuja e Odhise Paskalit u nxor nga Muzeu për t’u vendosur në një lulishte në Tiranë.

Ajo që ndodhi në vitin 2012-të është shembulli më tipik i keqfunksionimit të shtetit edhe qeverisë. Ashtu vazhdon edhe sot. Për arsye, sepse në vend që të mbështesin projektet tona, i kalojnë të gjitha në heshtje edhe ne jemi të dekurajuar, sepse kemi bërë përherë kërkesa, por jemi ndeshur përpara një muri të shurdhër, që nuk mbështetet. Ajo shtatore që u nxor nga Muzeu Kombëtar duhej në dimensione të tjera edhe në format tjetër. Por për arsye se nuk bëhen punët të planifikuara, sepse të bësh një vepër artistike, duhet që të bësh një konkurs para tre vitesh. Institucionet tona, ato që kanë mundësinë për t’i mbështetur punojnë në këtë mënyrë. Qeveria duhet që të mendojë, që t’u jap zgjidhje menjëherë.

Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë

Në vitin 2012 Galeria Kombëtare e Arteve realizoi një konkurs për Ismail Qemalin, ku u shpall fitues boceti i realizuar nga artisti nga Kosova, Veli Blakçori.  Por, fati i kësaj statuje nuk dihet as sot edhe kësaj dite...

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën