100 vjetori, një festë e mungua

100 vjetori, një festë e mungua
Në morinë e aktiviteteve deklarative për 100 vjetorin e shtetit shqiptar vijojnë të publikohen botime të reja, kryesisht me material historike, monografi , publicistikë, kujtime personale të aktorëve politikë, albume fotografike apo dokumente arkivorë që lidhen me ngjarje të caktuara. Botimi në vetvete është pozitiv, risi dhe plotëson boshllëkun e madh të titujve në bibliotekat shqiptare.

Prezantimi i tyre në publik është gjithashtu i kuptushëm në një shoqëri ku reklama përcakton sasinë e shitjes, pra ku botimet janë pjesë e marketingut dhe logjikës ekonomike. Të dyja proceset, botimet dhe prezantimet publike, janë në tërësi zgjedhje individuale që varen nga rrethanat, mundësitë, ngjarjet apo raportet personale të autorëve me jetën publike. Ajo që përbën dallimin themelor midis sasisë së botimeve/ prezantimeve dhe 100 vjetorit të shtetit shqiptar është sjellja institucionale dhe raportet e saj me këtë proces. Psh, prej muajsh kemi një Komision Shtetëror për 100 vjetorin dhe ai do të duhej të analizojë e vendosë se cilit prej botimeve duhet ti jepet investim shtetëror e publik, ku duhet të marrin pjesë krerët e shtetit, çfarë është prodhimtari personale dhe çfarë është shkencore, çfarë punimesh kanë vlera për shoqërinë dhe cilat janë pjesë e konsumit të përditshëm pa ndonjë vlerë akademike, publike e historike. Komiteti nuk e ka ushtruar deri tani këtë funksion dhe as ka ndërmend ta bëjë këtë gjë.

 Në vënd të tij pritej që ky mekanizëm cilësie të mbrohej nga institucionet e tjera zyrtare përgjegjëse për fushën, psh, Akademia e Shkencave, Instituti i Albanologjisë, Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, etj. Fatkeqësisht as ato nuk kanë reaguar, duke e lënë procesin të rrjedhë vetë, sipas shijes personale të individëve vendimmarrës.

Per shembull, kryeministri, presidenti, kryetari i parlamentit, ministrant, akademika e shkencave, etj, zgjedhin vetë ku të shkojnë, shumica aktivitete formale ose qoka përsonalë, ku të gjithë flasin pa lexuar librat që prezantohen dhe pa pasur fjalime apo materiale të shkruara paraprakisht. Për pasojë fjalimet e tyre janë në tërësi patetike, formale, pa përmbajtje dhe pa lidhje me mesazhet e pritshme të 100 vjetorit. Psh, kryeministri shkon në një ceremoni libri të autorëve profesionistë dhe mban fjalim një orë mbi historinë, fushë që ai nuk e njeh, e ka hobi por jo profesion. Dhe kështu, thotë teza populiste që nuk kanë bazë shkencore e historike, vijnë në kundërshtim me vetë përmbajtjen e librit që botohet dhe e bejnë auditorin, shumica profesionistë të fushtës, turmë që detyrohet të dëgjojë e duartrokasë diçka të gabuar, që në kushtet e universitetit nuk mund të vlerësohej me notë kaluese. Në fjalimet e tyre dominojnë dy tre emra historikë me bilanc gri në jetën e tyre politike, ndërkohë që askush nuk përmend dhe as kujton Luigj Gurakuqin apo Mehmet Dërrallën, Nikoll Kaçorin apo Isa Boletinin, Princ Wied apo Edit Durham, vëllezërit Frashëri apo Turhan Përmetin. Shumë prej figurave historike i kanë ende varret jashtë Shqipërisë, por përveç Zogu (me të drejtë) as 100 vjetori nuk u ktheu atyre borxhin e një varri në Shqipëri.

E njëjta sjellje amatoreske ndodh edhe me kryetaren e parlamentit dhe zyrtarë të tjerë të lartë, pa kulturë historike dhe institucionale dhe me pasion të madh për të bërë politikanin, historianian, albanologun, politologun, shtetarin dhe qytetarin. Psh, mbetet qesharak botimi i akteve të pavarësisë nga parlamenti dhe shpërndarja e tyre me alibinë e nderimit zyrtar për qytete selektive, figura selektive historike, si dhuratë e spikeres së parlamentit për 100 vjetorin. Nderimet me ligj i bën Presidenti, jo parlamenti. Kjo për kuvendin nuk ka rëndësi, ndaj prej javësh ndahen çmime e nderime, që në fakt nuk janë të tilla. Dokumentet e pavarësisë nuk janë dhuratë e askujt, aq më tepër e një zyrtari të radhës, ato janë pasuri publike dhe duhet të jepen falas për çdo qytetar, shkollë e universitet të këtij vendi, sidomos kur ato financohen nga shteti, pra nga parë tona si taksapagues.

Selektimi personal i figurave politike, fetare, femrore, etj, pa ndjekur kritere të njëjta, pa vijë logjike përzgjedhjeje dhe kryesisht mbi bazën e nevojave politike e mediatike të ditës, krijon përveç një situatë groteske edhe ul seriozitetin e sjelljes shtetërore për 100 vjetorin. Janë për barsoleta skandale të tilla kur dikush fut në listë gjyshen e vet apo shoqet deputete dhe “harron” personalitete shumë më të shquara, si Inva Mula, Dora Distria, Flora Brovina etj, apo kur për meritat e pavarësisë futen në listë miq familjarë që kanë lindur kohë pas saj.

E njëjta klimë personale, jo shtetërore, jo zyrtare dhe jo institucionale, vijon edhe në perimetrat vijues publikë të kësaj sjellje amatoreste e folklorike të drejtuesve të shtetit. Një autor në Vlorë boton libra të rëndomtë për veten e tij dhe familjarët e parë, dhe në media shfaqet si aktivitet për 100 vjetorin, ku marrin pjesë të gjithë drejtuesit e piramidës partiake (nënkupto shtetërore). Në Tiranë një ekspozitë për nderimin e grave të shekullit përfshin të gjitha gratë aktuale deputete, dhe bashkëshortët e treshes drejtuese të diktaturës Hoxha-Shehu-Kapo ndërkohë që nuk ka asnjë grua nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora shqiptare. Janë pesë libra të rinj në treg që trumpetohen me të madhe si suprizat e 100 vjetorit sepse kanë botuar për herë të parë procesverbalet e mbledhjes themeluese të vitit 1912, kur në fakt këto procesverbale janë botuar e ribotuar disa qindra herë në këto vite që nga Lef Nosi e deri tek Kristo Frashëri.

Në zyrën e kreut të qeverisë jepet me pompozitet zbulimi i dokumentit të pavarësisë, - një skup e mashtrim i radhës, ndërkohë që pak vite më parë të njëjtin skandal pati bërë edhe kryetarja e parlamentit, e cila dokumentit të pavarësisë i shtoi firmën e saj dhe e vendosi në madhësi disa katëshe në ndërtesën e Kuvendit. Në Ministrinë e Kulturës prezantohet si dhuratë e 100 vjetorit nga zyrtarë të lartë një libër që është botuar e ribotuar disa vjet më parë, happen ekspozita të ribëra vite më parë, siç 98% e shfaqjeve dokumentare e kalendarit të 100 vjetorit janë praktikisht aktivitete të konsumuara disa herë gjatë 10 viteve të fundit.
Pamundësia për të prodhuar ide e vepra të reja publike për 100 vjetorin, është zëvendësuar me aktivitete fiktive populiste, shumica pa vlerë kulturore dhe as historike, thjesht, detyrim normativ për punonjësit dhe institucionet e varësisë. Shndërimi i antivlerave në vlera kombëtare dhe detyrimi që publiku të ushqehet me një ushqim të skaduar në kohë e cilësi, e bën bilancin e kësaj sjelljeve populiste një fyerje për dinjitetin, integritetin dhe madhështinë e 100 vjetorit shqiptar. Duke vepruar kështu ne jo vetëm që nuk po ndahemi dot nga metodat e propagandës dhe përdorimit të detajeve historike si abili për justifikimin e akteve të sotme politike, por po ndihmojmë që brezi më i ri të mbetet edhe më tej i painformuar, viktimë e sjelljeve butaforike, pa histori zyrtare dhe pa ndonjë ndjenjë të veçantë respekti për shtetin dhe institucionet e tij. Ky është shërbimi i dytë negativ për shtetin e qytetarët në 100 vjetorin e parë të aktit të pavarësisë.

100 vjetori mbetet unik, nuk vjen më. 50 vjetori u festua nga regjimi komunist, si festë e një partie, me censurë të rreptë për themeluesit e shtetit, pa pjesëmarrje qytetare, civile dhe cilësie akademike. 100 vjetori kishte shansin dhe borxhin të ishte festa e parë zyrtare, e merituar, e plotë dhe dinjitoze e shtetit shqiptar. Gjë që nuk po ndodh, dhe nuk ka gjasa të ndodhë. Politika vendimmarrëse grindet për gradat, emrat, kalendarin e festimeve si më 1913-1914; zyrtarët shfrytëzojnë rastin të merren me tendera koncertesh, flamujsh, hotelesh, etj për të shumëfishuar kontot e tyre personale financiare; politika po përcakton historinë sipas oreksit të sundimtarëve të radhës; institucionet janë tulatur dhe pranojnë të jenë me dëshirë pjesë e fasadës festive, dhe për ta bërë më kulmore festën orientale, bashkia kryesore e Shqipërisë lajmëron një dhuratë – kurban për qytetarët, - një traditë e shekullit 17-18 në Anadollin e largët. Ne kemi probleme të bëjmë shtet funksional, të bëjmë demokraci perëndimore, të kemi shoqëri civile e media të lirë, të kemi pluralizëm konkurrues dhe shtet të së drejtës, por problemi ynë duket se qënka më i madh: ne nuk arrijmë dot as të festojmë, as të ruajmë ata që kanë arritur të parët tanë, as të mësojmë nga gabimet e të kaluarës dhe as të dimë të sillemi si qytetarë në paradhomën e një bashkësie europiane, ku me mentalitete komuniste e zakone orientale duam të trokasim.
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë