100-vjetori, Qosja: Si e kam njohur
Shevqet Musarajin në vitet ‘70

100-vjetori, Qosja: Si e kam njohur<br />Shevqet Musarajin në vitet ‘70
TIRANE- Unë Shefqet Musarajin e kam takuar. Nuk jam i sigurt në vitin 1977 a ‘78 në Hotelin “Dajt”. Unë kisha bërë një shkrim për të që ishte botuar në Kosovë në revistën letrare “Jeta e re” dhe natyrisht dëshiroja ta njihja edhe shkrimtarin Shefqet Musaraj, siç e kisha njohur edhe autorin e “Lumit të vdekur”, dhe autorin e “Hasta la Vista”-s, për romanet e të cilëve bash kisha shkruar. Më thanë se Shefqet Musaraj gjendet në Hotel “Dajti” dhe se shkruan në një prej kthinave të “Dajtit”, dhe ma treguan përafërsisht. Më duket se ishte ana e djathtë e hyrjes në hotel “Dajti”. Unë shkova aty dhe u takova me Shefqet Musarajin. Bëmë një bisedë. S’mund të them sa e shkurtër, sa gjatë, por bëmë një bisedë që mua më mbeti në kujtesë, një bisedë në saj të së cilës unë  kujtoj Shefqet Musarajin me shumë respekt dhe me shumë emocion.

Unë atëherë në Kosovë shkruaja për letërsinë shqipe që krijohej në Shqipëri. Që prej vitit 1966, kur në Kosovë ishin krijuar do kushte më të mira pas Plenumit të njohur të Brionëve, prej të cilit ishin qëruar hesapet me Sigurimin Shtetëror Jugosllav, me UDB-në, dhe në ato kushte ne mund të shkruanim atëherë për herë të parë edhe për letërsinë aktuale që krijohej në Shqipërinë shtetërore, unë shkruaja për atë letërsi edhe me një dëshirë të veçantë, me qëllim të veçantë. Letërsia shqipe trajtohej e ndarë në dy letërsi: letërsia e Shqipërisë dhe letërsia e Kosovës. Nuk ekzistonte koncepti për një letërsi të njësuar kombëtare, s’ekzistonte ai koncept, bëhej ndarja: letërsia e realizmit socialist në Shqipëri dhe letërsia e vetëqeverisjes në Jugosllavi. Ideologjia ishte ajo që përcaktonte këtë ndarje të letërsisë shqipe.

Unë doja të mbizotërojë koncepti për letërsinë shqipe si një letërsi e njësuar, si një letërsi kombëtare dhe kjo më nxiste që të shkruaj veprat që krijoheshin në atë kohë në Shqipëri. Më së pari, kam filluar të shkruaj për romane, për krijimtari poetike dhe për drama të disa autorëve, dhe autorët e parë për të cilët kisha shkruar ishin Petro Marko, Jakov Xoxa, Shefqet Musaraj, Ismail Kadare, kisha shkruar për romanet e tyre. Mandej, kisha shkruar edhe për autorët e disa dramave, për poetika e disa përmbledhjeve me tregime. Isha përpjekur të siguroj shkrimet e Shefqet Musarajit përpos romanit “Përpara agimit”, por edhe shkrime të tjera të paraluftës dhe të pasluftës dhe kisha vërejtur se krijimtaria e Shefqet Musarajit shtrihet në tri faza, dhe mandej ndahet në tri faza; në fazën e paraluftës, në fazën e luftës dhe të pasluftës.

Kisha vërejtur se atëherë dhe më vonë i jam thelluar kësaj bindjeje se krijimtaria e tij e paraluftës ishte e rëndësishme dhe i takonte letërsisë së ashtuquajtur letërsi sociale, përderisa disa autorë të tjerë si Nonda Bulka, fjala vjen, ose Petro Marko me poezinë e tij përmendeshin më shpesh, e Shefqet Musarajt për krijimtarinë e tij të asaj kohe përmendej më pak. Unë kisha vërejtur dhe kisha siguruar revistën “Përpjekja” gjatë ardhjeve të mia në Shqipëri, ku ishin botuar një varg vjershash të Shefqet Musarajit që përfaqësonin ta themi një gjë që ishte mbizotëruese në poezinë e asaj kohe, poezi me tema e motive sociale, por edhe poezi me shprehje moderne, që  zotëronte atëherë edhe në Europë. Në atë poezi zotëronte një mosdisponim, zotëronte një dëshpërim, të cilin Shefqet Musaraj e kishte formuluar me një varg të bukur shumë, shumëkuptimshëm: “Pa ngushëllime, pa këngë dhe valle”. Ky ishte vargu që përmbante disponimin e tij në atë kohë, siç ishte dhe disponimi i Migjenit dhe i Petro Markos, siç zotëronte dhe në shkrimet kritike, satirike, polemike, të jashtëzakonshme të Nonda Bulkës.

Unë kisha shkruar në atë trajtesën time bukur të zgjatur të Shefqet Musrajit me përkushtim të veçantë për këto vargje të tij. Madje isha marrë edhe me shkrimet e tij të bëra gjatë luftës “Epopeja e ballit kombëtar”, 1944, “Dje dhe sot më 1944”, mandej në përmbledhjen tij humoristike të shkuara të harruara, mandej me novelën e tij “Isha unë Çobo Rrapushi”, që do të bëhej një novelë shumë e çmuar në Kosovë, qoftë edhe për titullin e saj, Ccobo dhe Rrapushi, domethënë emra dhe mbiemra që s’mund të dëgjoheshin në Kosovë. Pra ishte një prej novelave më të çmuara në Kosovë në atë kohë. Kisha shkruar në mënyrë të veçantë për romanin e tij “Para Agimit”. Shefqet Musaraj ishte shkrimtar që shkruante vargje, shkruante poezi, shkruante tregime, shkruante novela, shkruante romane, shkruante publicistikë. Ishte shkrimtar që shkruante shkrime satirike, ironike, që shkruante  pamflete, që shkruante humor, dhe që shkruante epopenë e madhe “Para agimit”. Të gjitha këto më kishin bërë përshtypje të veçantë dhe unë kisha një përkushtim të veçantë të respektit për krijimtarinë dhe veprimtarin e tij.

Më pëlqenin të gjitha; humori tij, satira e tij, kritika e tij, mospajtimi i tij, hidhërimet e tij, gëzimet e tij. Ai ishte shkrimtar i angazhuar në kuptimin e plotë të fjalës, që mbronte një drejtësi shoqërore-sociale, që mbronte lirinë, që pa ngurrim i sulmonte, bënte shaka humoristike për ata që ai mendonte se nuk ishin luftëtarë ose kundërshtarë të asaj lirie që mendonte ai. Më bënte përshtypje se ky shkrimtar që kishte bërë luftën për të drejtat e popullit të vet, për lirinë dhe pavarësinë e popullit të vet, me dy armë; me armën e penës, e me armën e pushkës, nuk e kishte shfrytëzuar autoritetin e tij për pozita.

Unë vite më parë e dija se ishte vetëm krijues, nuk e dija se ka pasur ndonjë pozitë, tani e dëgjova nga kolegu im Nasho Jorgaqi. Sigurisht ai do të kishte mundësi edhe për një jetë zyrtare, por ishte deklaruar për krijimtari. Thuhet se njeriu vdes, arti jeton. Shefqet Musaraj ia kishte kushtuar krejt jetën një vlere të veçantë që quhet arti: që e pasuron jetën e njerëzve, që i fisnikëron njerëzit, që e bënë jetën më të kuptimshme. Që njerëzit megjithatë i mëson, i edukon i përgatit të dallojnë qartë të mirën dhe të keqen, të bukurën dhe të shëmtuarën, të drejtën dhe këtë orientim të tij, me këtë përkushtim të tij, ai kishte siguruar edhe amshimin e vet dhe të veprës së vet. Ne jemi këtu sot të shënojmë 100-vjetorin e këtij njeriu, e këtij krijuesi, e këtij bashkatdhetari, i cili me emrin dhe veprën e vet i takon përjetësisë.  

Shkrimi u publikua sot 29 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Notoi në lumin Sena për garën e Lojërave Olimpike, atletja ndan eksperiencën: Pashë gjëra që as dua t’i mendoj

Paris 2024/ Notoi në lumin Sena për garën e Lojërave Olimpike, atletja ndan eksperiencën: Pashë gjëra që as dua t’i mendoj